Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Nuk ka fjalë që ai (njeriu) e nxjerr nga goja veçse për të është një vëzhgues pranë tij i gatshëm (për ta shënuar atë).” |Kaf: 18|
Transmetohet nga Sehl ibën Sad se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Kush më siguron që do të ruajë gjuhën dhe organin e tij, atëherë unë i siguroj atij Xhenetin.” Transmeton Buhariu 11/308, 6474, dhe Tirmidhiu me nr. 2408.
Gjithashtu, transmetohet nga Muadh ibën Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: I thashë të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:
– Më trego një vepër që më fut në Xhenet dhe më largon nga zjarri.
– Ke pyetur për një çështje të madhe, e ajo është e lehtë për atë që ia lehtëson Allahu. Adhuroje Allahun e mos i shoqëro shok në adhurimin e Tij, fale namazin, jepe zekatin, agjëroje Ramazanin, dhe kryej ritualin e Haxhit nëse të jepet mundësia.
Pastaj i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem vazhdoi duke thënë:
-A do që të të tregoj dyert e së mirës? Agjërimi është mburojë, lëmosha e largon dhe e zhduk mëkatin ashtu siç e shuan uji zjarrin, dhe namazi në mesin e natës.
Pastaj lexoi:
“Anët e shtatit të tyre braktisin shtratin për të lutur Zotin e tyre në frikë e shpresë. Ata shpenzojnë (në mirësi e për Çështjen e Allahut) nga ato (begati) të cilat ua kemi dhuruar. Askush nuk e di se çfarë është ruajtur për ta nga kënaqësitë e syrit si shpërblim për çfarë punuan.” |Surja Sexhdeh: 16-17|
A do që të të tregoj për gjënë më me vlerë, shtyllën dhe kulmin e saj?
– Po o i Dërguar i Allahut.
– Gjëja më me vlerë është Islami, shtylla e tij është namazi, kulmi i tij (Islamit) është lufta dhe sakrifica në rrugën e Allahut.
A do të të tregoj se si mund t’i përmbledhësh të gjitha (që të përmenda)?
Iu përgjigja: – Po o i Dërguar i Allahut.
Atëherë i Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e kapi gjuhën e tij e iu drejtua duke i thënë: – Ruaje këtë!
Unë (Muadhi) ia ktheva:
– O i Dërguar i Allahut, a mos vallë do të merremi në llogari për atë që flasim?
– Mos të pastë nëna o Muadh (nuk është për qëllim lutja në këtë rast por tërheqja e vemendjes sh.p.)! E çfarë tjetër përveç asaj që kanë korrur njerëzit me gjuhët e tyre do t’i hedhë ata në zjarr (xhehnem)!” E transmeton Tirmidhiu me nr. 2616.
Shpjegimi i hadithit:
Rreziku i lëshimit të gjuhës është i madh. Rreth paralajmërimit nga kjo vepër janë transmetuar argumente të shumta, e kjo si rrjedhojë e të këqijave të shumta që sjell dhe lehtësia e rënies në këto gabime për ata të cilët nuk arrijnë ta ruajnë e ta përdorin në të mira. Për këtë shkak, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka treguar se lëshimi i saj është prej sebepeve më të mëdha të cilat e fusin njeriun në zjarr.
Dobitë:
- Rreziku i lëshimit të gjuhës dhe obligueshmëria e ruajtjes së saj, sepse njeriu mund të hidhet në zjarr ndoshta edhe për një fjalë të cilës nuk i jep rëndësi.
- Lëshimi i gjuhës në mëkate është shkak për hyrjen në zjarr, ndërsa ruajtja e saj është prej shkaqeve të hyrjes në xhenet.
- Gabimi i shumë prej njerëzve dhe hutimi i tyre ndërkohë që lëshojnë gjuhën pa i vënë fre në gjëra të padobishme.
Përktheu: Ardit Ulqinaku
Të Ngjashme
- Pesë fazat nëpër të cilat kalon njeriu Udha e Besimtarëve
- Mirësjellja në xhami Udha e Besimtarëve
- Çdo cilësi e lavdërueshme është e rrethuar nga dy cilësi të qortueshme Udha e Besimtarëve
- Kështu e përshkruante Aliu Profetin Udha e Besimtarëve
- Dy sëmundjet e rrezikshme që i kanosen zemrës Udha e Besimtarëve