Në fenë tonë shoku gëzon të drejta. Allahu i Madhëruar thotë: “Silluni mirë me atë që keni afër.” | Nisa: 36. Ibën Seadi duke komentuar këtë ajet ka thënë: “Me atë që keni afër” thuhet se është për qëllim:
1- Shoqëruesi në udhëtim. 2- Gruaja. 3- Shoku në përgjithësi (ai që të shoqëron, qoftë ai shoqërues në udhëtim, qoftë gruaja jote apo shoku i cili të shoqëron në vendin ku rri).
Mendimi i fundit (i treti) është më parësor. Ai përfshin shokun në vendin ku qëndron, shokun në udhëtim dhe gruan tënde. E drejta e shokut ndaj shokut është siç kanë thënë dijetarët:
1) Ndihma ndaj shokut në çështjet e fesë dhe të dunjasë.
2) Këshilla ndaj tij.
3) Gadishmëria për të qenë pranë tij në vështirësi e lehtësi, në të mirë e në të keq.
4) Të dojë për të atë (të mirë) që do për veten e tij, dhe të urrejë për të atë (të keqe) që urren për veten e tij.
Gjithashtu, prej të drejtave të shokut ndaj shokut është:
5) Të jetë shoqërues i dobishëm ndaj shokut. Të mos largohet shoku nga qëndrimi me shokun e tij vetëm se duke përfituar mirësi për fenë dhe për dunjanë e tij.
Prandaj dhe të parët tanë të mirë e lusnin Allahun e Madhëruar t’u bënte rrizk shokë të dobishëm. Transmetohet se El Hurejth ibn Kabisah ka thënë: Erdha në Medine dhe thashë (duke u lutur): “O Allahu im! Më mundëso të kem shokë të dobishëm!” Hadithin e ka përcjellë Tirmidhiu dhe e ka bërë sahih shejh Albani.
Prej të drejtave të shokut ndaj shokut është:
6) Të jetë ndihmues ndaj shokut në gjëra të mira dhe në vështirësi. Allahu i Madhëruar thotë: “Ndihmoni njëri-tjetrin në të mira e në devotshmëri.” | El Maideh: 2.
Prej të drejtave të shokut ndaj shokut është ajo që ka ardhur në fjalën e Allahut të Madhëruar, që thotë: “O ju që keni besuar! Largohuni nga paragjykimet. Vërtetë, paragjykimet janë (mëkat) padrejtësi. Mos gjurmoni për zbulimin e të metave të tjetrit dhe mos përgojoni. Vallë, a ka ndonjë prej jush që dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Sigurisht, kjo për ju është e neveritshme. Ruhuni nga ndëshkimi i Allahut. Me të vërtetë, Allahu është pranues i madh i pendimit e Mëshirëplotë. “ | El Huxhurat: 12.
Prej të drejtave të shokut ndaj teje është të mos mendosh keq për të dhe të largohesh nga paragjykimet ndaj tij, sepse disa paragjykime janë mëkat.
Prej të drejtave të tij ndaj teje është që të mos gjurmosh për zbulimin e të metave të tij, të mos e provokosh dhe të mos e përgojosh. Përkundrazi, të ruash moralin e tij dhe t’i dalësh në mbrojtje gjatë përmendjes për keq kur ai nuk është i pranishëm.
Disa dijetarë i kanë përmbledhur të drejtat e shokut ndaj shokut duke thënë: Largimi i lëndimit ndaj tij, durimi (mbajtja në kurriz) i lëndimit për të, të japësh për të (në të gjitha sferat), t’a lehtësosh të mirën për të dhe t’a pengosh të keqen ndaj tij.
Gjithëpërfshirësja e këtyre të drejtave është që shoku të jetë më i mirë për shokun. Ai i cili është më i mirë për shokun e tij ai është më i mirë për Allahun. Pra, ajo që i përfshin këto të drejta është të jesh më i mirë ndaj shokut tënd. Kjo do të thotë që ajo me çfarë cilësohesh (përshkruhesh) në lidhje me shokun është gjë e mirë, dhe nëse përpiqesh e vazhdon ashtu do të jesh i mirë (i zgjedhur) edhe tek Allahu. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Shokët më të mirë për ju tek Allahu janë më të mirët (të dobishmit) ndaj shokëve të tyre.” Transmeton Tirmidhiu dhe e ka bërë të saktë shejh Albani.
Shkëputje nga një ligjeratë e shejh Sulejman Ruhajli.
Përktheu: Edmond Spahiu
Dosje: Durimi
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi