Shkaqet e shfaqjes së fitneve

October 15, 2017

Shejh Ebu Islam Salih bin Taha Abdulvahid (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Shkaku i parë: Pasimi i epshit dhe qëllimi i keq.

Epshi e pengon personin që t’i përgjigjet dhe ta pranojë të vërtetën. Allahu i Lartësuar thotë: “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se janë skllevër të dëshirave të veta. E kush është në humbje më të madhe se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej Allahut? Sigurisht, Allahu nuk i udhëzon njerëzit keqbërës.” El-Kasas: 50.

Epshi është “zot” që adhurohet përveç Allahut të Lartësuar. Epshi te shumë prej njerëzve është ai që urdhëron dhe ndalon. Ai -epshi- është që e bën diçka të lejuar dhe të ndaluar. Kështu që pasuesit e epsheve duan dhe miqësojnë për shkak (në bazë) të epsheve të tyre dhe urrejnë dhe ndalojnë për shkak të epsheve të tyre.

Allahu i Lartësuar thotë: “Mendo pak! Kush përveç Allahut mund ta udhëzojë atë njeri që dëshirat e veta i ka bërë si zot? Atë njeri të cilin Allahu duke e njohur për të tillë e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh?” El-Xhathijeh: 23.

I Lartësuari thotë: “A e ke parë atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij? A mendon se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër veçse si bagëti. Madje, ata janë  edhe më të shmangur nga rruga e drejtë.” Furkan: 43-44.

Vështroni tek të gjitha grupacionet dhe partitë të cilat e kanë hedhur umetin në fitnen e përçarjes, ndarjes në parti dhe në fanatizëm (pasimin e vërbër). Do shohësh se shkaku që i ka çuar ata në këtë gjendje është se ata ndjekin epshet e tyre dhe nuk i përgjigjen Allahut dhe as të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur e Vërteta të ishte sipas dëshirave të tyre, atëherë do të shkatërroheshin qiejt dhe Toka dhe gjithçka që gjendet në to. Ne u kemi dërguar atyre këshillën (Kuranin), por ata shmangen nga ajo.” El-Mu’minun: 71.

Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar të dërguarit dhe profetët e Tij që të pasojnë Shpalljen Hyjnore e cila ka ardhur nga Allahu, dhe assesi mos të ndjekin tekat (dëshirat).

Allahu i Lartësuar Profetit të Tij Daudit (alejhis-selam) i ka thënë: “O Daud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut! Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut ka dënim të ashpër ngase e kanë harruar Ditën e Llogarisë.” Sad: 26.

I Lartësuari i ka thënë të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Gjykoji sipas asaj që të ka shpallur Allahu e mos ndiq dëshirat e tyre të kota!” El-Maide: 49.

Po ashtu, i Lartësuari i ka thënë atij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Andaj, ti thirru dhe bëhu këmbëngulës ashtu siç je urdhëruar, dhe mos i ndiq epshet e tyre.” Esh-Shura: 15.

Epshi e hedh (shpie) personin në fitne, në fitnen e dëshirave (epsheve) dhe në fitnen e dyshimeve dhe kështu ai shkatërrohet. Prandaj dhe i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Tre gjëra janë shkatërruese dhe tre të tjera janë shpëtuese.” Dhe përmendi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tre shkatërruesit duke thënë: “Ndërsa tre shkatërrueset janë; lakmia kur i nënshtrohesh, epshi kur pasohet dhe pëlqimi i vetes.” Hadith i mirë (hasen). E ka nxjerrë Et-Taberani në “El-Mu’xhemul-Eusat” (5754). “Sahihul-Xhami” (3045).

“Uesailu eth-Thebati ala ed-dijn fi zemen el-fiten.”

 

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...