Shpjegimi i Ajetit 115 nga Suretu Nisa

February 7, 2008

وَمَن يُشَاقِقِ الرَّسُولَ مِن بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُ الْهُدَى وَيَتَّبِعْ غَيْرَ سَبِيلِ الْمُؤْمِنِينَ نُوَلِّهِ مَا تَوَلَّى وَنُصْلِهِ جَهَنَّمَ وَسَاءتْ مَصِيراً

Kushdo që e kundërshton të Dërguarin, pasi i është dhënë udhëzimi dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë të ecë andej nga është nisur dhe do ta përcëllojmë në zjarrin e Xhehenemit; eh, sa vendbanim i keq që është ai!” Nisa: 115.

Fjala e Allahut: “Kushdo që e kundërshton të Dërguarin, pasi i është dhënë udhëzimi” ka kuptimin: ai i cili ndjek rrugë tjetër pos asaj së sheriatit me të cilën erdhi me të i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-, në mënyrë që ai të jetë në një anë dhe sheriati në anën tjetër, dhe e gjithë kjo me qëllim prej tij pasi atij iu bë e qartë e vërteta.

Kurse fjala e Allahut: “dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve” kjo është diçka e pa ndarë nga cilësia e parë, por ndodh që të jetë në kundërshtim me argumentin e sheriatit, ose të jetë në kundërshtim të asaj që kanë rënë unanim për të umeti i Muhamedit në atë që është bërë e ditur se ata kanë rënë dakord për atë në të vërtetë, sepse atyre (umeti të Muhamedit) iu është garantuar se nuk mund të bashkohen në ndonjë gabim kjo si nderim për to dhe madhështi për të profetin e tyre -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-. Në lidhje me këtë çështje janë transmetuar shumë hadithe të sakta, kemi përmendur një pjesë të mirë të tyre në librin “Ehadithul Usul” dhe ka prej dijetarëve që kanë thënë se kuptimi i këtyre haditheve është muteuatir (që nuk len dyshim në saktësimin e saj) dhe në këtë ajet fisnik është bazuar imam Shafiu -Allahu e mëshiroftë- për argumentimin se unanimi i dijetarëve (El Ixhmau) është argument që nuk lejohet (është harram) kundërshtimi i tij, pas një diskutimi dhe mendimi të gjatë. Ai është i cili nxori në mënyrën më të mirë këtë përfundim dhe e përforcojë atë, megjithëse disa kanë hedhur dyshime rreth saj dhe kanë pretenduar se argumentimi me këtë ajet është i largët[1].

Për këtë Allahu i Lartësuar i ka kërcënuar ata që e kundërshtojnë një gjë të tillë me fjalën e Tij: “Ne e lëmë të ecë andej nga është nisur dhe do ta përcëllojmë në zjarrin e Xhehenemit; eh, sa vendbanim i keq që është ai!” që do të thotë: nëse dikush e pason këtë rrugë do ta ndëshkojmë atë për këtë vepër, duke ia zbukuruar atë atij në vetveten e tij dhe duke ia bërë atij të dashur –si degradim për të-, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

فَذَرْنِي وَمَن يُكَذِّبُ بِهَذَا الْحَدِيثِ سَنَسْتَدْرِجُهُم مِّنْ حَيْثُ لَا يَعْلَمُونَ

Prandaj, më lër Mua me ata, që e mohojnë këtë Fjalë (Kuranin). Ne do t’i çojmë ata hap pas hapi drejt rrënimit të tyre, me mënyra që ata nuk i kuptojnë” Kalem: 44.

Dhe ka thënë:

فَلَمَّا زَاغُوا أَزَاغَ اللَّهُ قُلُوبَهُمْ

Kur ata u larguan (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre (nga rruga e drejtë)” Saf: 5.

Dhe ka thënë:

وَنَذَرُهُمْ فِي طُغْيَانِهِمْ يَعْمَهُونَ

Ne do t’i lëmë ata që të bredhin të verbër në humbje e mosbesim” En’am: 110.

Dhe e bëri që të jetë për të vendbanimi në botën tjetër zjarri, sepse ai i cili largohet nga udhëzimi nuk ka rrugë tjetër përveç zjarrit ditën e gjykimit, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

احْشُرُوا الَّذِينَ ظَلَمُوا وَأَزْوَاجَهُمْ وَمَا كَانُوا يَعْبُدُونَ مِن دُونِ اللَّهِ فَاهْدُوهُمْ إِلَى صِرَاطِ الْجَحِيمِ

“(Engjëjve do t’u thuhet): “Mblidhini njerëzit e këqij, shokët e tyre (djaj) dhe idhujt që i kanë adhuruar krahas Allahut e tregojuni atyre rrugën e Zjarrit flakërues!” Safat: 22-23.

Gjithashtu ka thënë:

وَرَأَى الْمُجْرِمُونَ النَّارَ فَظَنُّوا أَنَّهُم مُّوَاقِعُوهَا وَلَمْ يَجِدُوا عَنْهَا مَصْرِفاً

“Të ligjtë do të shohin zjarrin dhe do të binden, se me të vërtetë, do të bien në të dhe nuk do të gjejnë largim prej atij” Kehf: 53.

Shkëputur nga libri Tefsiri i Ibn Kethirit: 2/411-412 shpjegimi i ajetit 115 nga surja Nisa.

Përktheu Ylli Rama


[1] Shiko fjalën e imam Shafiut -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje në librin e tij Risaletu: 471.

Loading...