Shpjegimi i Librit të Teuhidit – 28

Kapitulli: Sqarimi se lidhja dhe veshja e rrathëve, penjve e të tjera si këto për largimin e së keqes ose për parandalimin e saj është prej shirkut.

Fjala e Allahut të Lartësuar:

قُلْ أَفَرَأَيْتُم مَّا تَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّهِ إِنْ أَرَادَنِيَ اللَّهُ بِضُرٍّ هَلْ هُنَّ كَاشِفَاتُ ضُرِّهِ أَوْ أَرَادَنِي بِرَحْمَةٍ هَلْ هُنَّ مُمْسِكَاتُ رَحْمَتِهِ ۚ قُلْ حَسْبِيَ اللَّهُ ۖ عَلَيْهِ يَتَوَكَّلُ الْمُتَوَكِّلُونَ

“Më tregoni! Nëse Allahu do që të më godasë me ndonjë të keqe (sëmundje, fukarallëk, bela, vështirësi), ata të cilët ju u luteni përveç Allahut (i kërkoni t’ju sjellin të mira dhe t’ua largojnë të keqen) a mund t’a largojnë të keqen? (Padyshim që jo!) Nëse Allahu do që të më mëshirojë (të më japë shëndet, mirësi, largim të së keqes), a munden ata t’a ndalojnë këtë gjë? (Padyshim që jo!) Allahu më mjafton mua (dhe të gjithëve të cilët i mbështeten Atij) dhe Atij i mbështeten besimtarët.

Surja Zumer, ajeti 38.

—————————————–

Arsyeja e vendosjes së këtij kapitulli në Librin e Teuhidit:

Ky kapitull flet për diçka e cila është e kundërta e Teuhidit, që është; kërkimi i largimit të fatkeqësisë ose parandalimit të saj nga dikush tjetër përveç Allahut. Kjo temë trajtohet për paralajmërim dhe tërheqje vërejtje nga kjo gjë. Teuhidi njihet edhe duke njohur të kundërtën e tij.

‘është prej shirkut’: ‘prej’ është parafjalë e cila tregon një pjesë të diçkaje, d.m.th. është një prej llojeve të shirkut të madh nëse njeriu beson se vetë këto gjëra bëjnë dobi ose dëm. Është prej shirkut të vogël nëse beson se ato janë shkak për të ardhur e mira ose shkak për t’u larguar e keqja.

‘rrathëve’: çdo gjë rrethore (e cila lidhet në duar etj. për të larguar të keqen ose për t’a parandaluar).

‘e të tjera si këto’: çdo gjë e cila vishet ose lidhet e varet për këtë qëllim.

‘për largimin e së keqes ’: ngritjen dhe largimin pasiqë ka zbritur nga Allahu.

‘ose për parandalimin e saj’: parandaliminin e saj para se të zbresë.

‘أَفَرَأَيْتُم’: Më tregoni!

‘ata të cilët ju u luteni përveç Allahut’: u kërkoni t’ju sjellin të mira dhe t’jua largojnë të keqen.

‘përveç Allahut’: të tjerë si ortakë e idhuj.

‘me ndonjë të keqe’: sëmundje, fukarallëk, bela, vështirësi.

a mund t’a largojnë të keqen?!’: nuk munden t’a bëjnë këtë gjë.

të më mëshirojë’: të më japë shëndet, mirësi, largim të së keqes.

Allahu më mjafton mua’: Allahu më mjafton mua dhe të gjithëve të cilët i mbështeten Atij.

Kuptimi i përgjithshëm i ajetit: Allahu e urdhëron Profetin e Tij Muhamedin ﷺ t’i pyesë idhujtarët një pyetje retorike, e cila tregon se ata janë gabim në lidhje me idhujt e tyre të cilët i adhurojnë. A munden këta idhuj të sjellin dobi ose dëm? Medoemos do t’a pranojnë dhe do të bien dakort se idhujt nuk kanë mundësi t’a bëjnë këtë gjë. Meqë çështja qëndron kështu, atëherë bie poshtë adhurimi i tyre përveç Allahut.

Arsyeja e vendosjes së këtij ajeti në këtë kapitull: Në këtë ajet ka argument të qartë për kotësinë dhe pavlefshmërinë e shirkut. Prej llojeve të shirkut është veshja dhe lidhja e rrathëve dhe penjve, sepse nuk largohet e keqja me ta dhe as nuk parandalohet.

Dobitë e përfituara nga ajeti:

1- Hedhja poshtë e shirkut dhe vërtetimi i kotësisë së tij, sepse çdo gjë e cila adhurohet përveç

Allahut nuk mundet t’i bëjë dëm e as dobi adhuruesve të saj.

2- Paralajmërimi nga veshja dhe lidhja e rrathëve dhe penjve e të tjera si këto për sjelljen e të mirave

ose largimin e të këqijave, sepse kjo gjë është shirk ashtu si në rastin kur këto gjëra kërkohen prej

idhujve.

3- Lejueshmëria e bërjes debat kundër idhujtarëve për hedhjen poshtë të shirkut.

4- Obligueshmëria e mbështetjes vetëm në Allahun dhe dorëzimi i të gjitha çështjeve në dorë të

Tij.