Fjala e Allahut të Lartësuar:
وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَّسُولًا أَنِ اعْبُدُوا اللَّهَ وَاجْتَنِبُوا الطَّاغُوتَ
“Me të vërtetë Ne kemi dërguar në çdo popull Profetë të cilët i kanë ftuar njerëzit të adhurojnë vetëm Allahun dhe t’i largohen adhurimit të Tagutit.”
En Nahl: 36.
—————————————-
‘dërguar’: të dërguar, Profetë.
‘çdo popull’: çdo bashkësi njerëzish, çdo gjeneratë, çdo shekull.
‘të adhurojnë vetëm Allahun’: t’a njësojnë Atë në adhurim.
‘t’i largohen’: t’a lënë, të heqin dorë, t’a braktisin.
‘Tagut’: rrjedh nga fjala ‘Tughjan’ e cila ka kuptimin tejkalim i kufinjve. Çdokush i cili adhurohet përveç Allahut dhe është dakort të adhurohet, quhet Tagut.
۞۞۞
Kuptimi i përgjithshëm i ajetit:
Me të vërtetë që Allahu i pa të meta na tregon se ka dërguar në çdo bashkësi dhe brez njerëzish Profet, i cili i ftonte në adhurimin e vetëm ndaj Allahut dhe lënien e adhurimit të dikujt tjetër përveç Allahut. Allahu dërgoi vazhdimisht profetë tek njerëzit që në momentin që ndodhi shirku (adhurimi i të tjerëve krahas Allahut) në kohën e Nuhut, deri kur e ndali dhe i vendosi vulën profetësisë me dërgimin e Muhamedit ﷺ.
۞۞۞
Arsyeja e vendosjes së këtij ajeti në këtë kapitull:
Thirrja në Teuhid dhe ndalimi nga Shirku ishte misioni dhe detyra e të gjithë Profetëve dhe ndjekësve të tyre.
۞۞۞
Dobitë e përfituara nga ajeti:
1 – Urtësia e dërgimit të Profetëve është thirrja në Teuhid dhe ndalimi nga Shirku.
2 – Feja e Profetëve është një: Dedikimi i plotë i të gjitha adhurimeve vetëm Allahut dhe lënia e shirkut. Kjo ishte feja e tyre edhe pse ligjet dhe dispozitat ndryshonin nga njëri tek tjetri.
3 – Profetësia përfshiu të gjithë popujt dhe ngriti argumentin mbi të gjitha krijesat (njerëzit dhe xhinët).
4 – Rëndësia madhështore e Teuhidit. Ai ishte detyrë dhe obligim për të gjithë popujt.
5 – Në këtë ajet ashtu si në fjalën ‘la ilahe il-lAllah’ ka mohim të adhurimit ndaj të tjerëve përveç Allahut, dhe pohim e aprovim të adhurimit për Allahun. Ky ajet vërteton se Teuhidi nuk realizohet ndryshe veçse me këto të dyja, dhe se mohimi plotësisht nga çdokush i meritës për t’u adhuruar nuk është Teuhid. Ashtu edhe aprovimi ndaj çdokujt i meritës për t’u adhuruar nuk është Teuhid.