Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë.” | El Muzemil: 4.
Lexoje ngadalë sepse kjo të ndihmon në kuptimin e Kuranit dhe në meditimin e tij. Umu Seleme u pyet për leximin e të dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe tha: “Ai e ndante leximin e tij ajet pas ajeti. Lexonte: Bismilahi Rrahmani Rrahijm. El hamdu lilahi Rabil alemin. Er Rahmani Rrahijm. Maliki Jeumid Din.”[1]
Preferohet që Kurani të lexohet ngadalë duke e zbukuruar zërin dhe duke mos u nxituar në leximin e tij. Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Zbukurojeni Kuranin me zërat tuaj, sepse me të vërtetë që zërat melodioz e shtojnë bukurinë e Kuranit.”[2]
Ibën Mesudi ka thënë: “Mos e ndërprisni leximin në mënyrë të shpërndarë dhe as mos nxitoni në leximin e tij siç veprohet me poezinë. Ndaloni në mrekullitë e tij dhe lëvizini zemrat me të. Të mos jetë preokupimi i ndonjërit prej jush që të arrijë në fund të sures.”[3]
Nuk lejohen të thuhen në fund të leximit të Kuranit këto fjalë “SadakAllahul Adhim – Allahu ka thënë të vërtetën.” Leximi i Kuranit është një akt adhurimi dhe nuk lejohet të shtohet diçka përveç nëse është vërtetuar nga ndonjë tekst nga sheriati, ndërkohë që nuk ka asgjë që e vërteton këtë praktikë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve se-lem e dëgjoi Ibën Mesudin të lexonte Kuran, dhe kur arriti tek fjala e Allahut që thotë: “Dhe Ne të sollëm ty dëshmitar mbi ta” – i tha: “Mjafton!”[4] Pra, Ibën Mesudi nuk tha “SadakAllahul Adhim – Allahu ka thënë të vërtetën”, dhe as e urdhëruan ta veprojë këtë.
Kjo praktikë është bidat që në fakt ka zhdukur një sunet i cili është suneti i lutjes përmes Kuranit, bazuar kjo në fjalën e Profetit sal-lAllahu alejhi ve se-lem që thotë: “Kush e lexon Kuranin le t’i lutet Allahut me të.”[5]
Recituesi (lexuesi) duhet t’i kërkojë Allahut çfarë të dojë pas leximit të Kuranit, dhe të kërkojë afrim tek Allahu përmes leximit të tij. Kjo ngase leximi i Kuranit është prej veprave të mira që shkakton pranimin e lutjes.
Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”
Autor: Muhamed Xhemil Zejno
Përktheu: Fatjon Isufi
——————————————-
[1] Hadithi është i saktë. E përcjell Tirmidhiu.
[2] Hadithi është i saktë. E përcjell Ebu Davudi dhe të tjerë.
[3] Buhariu.
[4] Buhariu.
[5] Hadithi është i mirë. E përcjell Tirmidhiu.
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi