Jetike! Si të shpëtosh në mes të kësaj stuhie?
“Që t’i kuptojnë ato (porosi) veshët e vëmendshëm.” Me shejh dr. Salih es Sindi, Allahu e ruajt.
Ndoshta shkaku më i rëndësishëm i devijimit ideor tek rinia në këtë kohë është rrëmuja e njohurive të cilën e solli hapja, madje shpërthimi i informacionit. Me gjithë dobësinë kulturore të gjithë shkruajnë, të gjithë flasin, dhe shumica dëgjon dhe pranon.
Cilësitë e njohurive të realitetit tonë janë të shumta, ku disa prej tyre janë shumëllojshmëria e produkteve kulturore dhe e faqeve informative, të cilën e shoqëron shumica e cicëruesve të cilët kanë ditur ta shfrytëzojnë në mënyrë të përsosur këtë ambjent.
Pa folur pastaj për lehtësinë e arritjes tek njohuritë e ambalazhuara në dëm të studimit saktësues dhe qëmtues për të arritur tek informacioni i vërtetë.
(Sh.p.: Shikoje në fjalor përkufizimin e fjalës “qëmtues” që ta solla me qëllim se është mu në thelb të këtij trajtimi akademik konçiz, e për mos të të shpërndarë po ta sjell këtu: “qëmtues: ai që mbledh pak nga pak e me kujdes të dhëna të hollësishme, lëndë a copa nga burime të ndryshme për një punë të caktuar.”)
Nga cilësitë (të metat) është edhe mungesa e qasjes së përshkallëzuar për tek dituria. Çdokush ka mundësi të shfletojë çdo lloj përmbajtje kulturore, pa patur parasysh a është e përshtatshme për moshën apo nivelin e tij kulturor apo jo.
Mbi të gjitha këto është vozitja e lirë dhe e pakufizuar. Çdo gjë mund ta shohësh sot, edhe në qofshin ato librat e hauarixhëve (ekstremistëve), ateistëve, apo videot e tyre. Apo librat e magjisë dhe të afrimit të xhinëve, të horoskopit, apo shkëputje filmike të pamoralshme. Të gjitha i ke vetëm një klikim larg! Mund ta shohë atë edhe një fëmijë i shkollës fillore!
Kjo ka sjellë shumë fryte të hidhura dhe të helmuara. Një prej tyre është edhe kjo zhurmë, kjo ndotje e madhe akustike njohurish e cila ka shkaktuar këtë shpërndarje ideologjike. Janë shtuar shumë pyetjet dhe dyshimet.
Prej tyre është dhe sfidimi i burimeve të shëndosha të diturisë, të bazuara dhe të besueshme. (Sh.p.: nuk u lënë vend e as kohë burimeve të shëndosha dhe të sakta të diturisë që të përhapen, të marrin vëmendjen e merituar dhe të edukojnë me urtësi.)
Gjithashtu, depërtimi i shumë prej të devijuarve në mendjet e disa prej djemve dhe vajzave tona.
Prandaj po të rendis o i suksesshëm pesë pika, të cilat janë themele sheriatike ku mund të mbështetesh për të arritur njohuri të shëndosha.
E para: Dituria është fe, prandaj shikoni nga po e merrni fenë tuaj. Nuk është e saktë e as e pranueshme që njeriu ta marrë fenë dhe kulturën e tij, dhe informacionin me të cilin ushqen mendjen dhe zemrën e tij nga çdo kush. Feja jote është gjëja më e shtrenjtë që posedon, prandaj duhet të dish se nga t’i marrësh njohuritë e tua fetare të cilat pastaj do t’i shndërrosh në besim me të cilin lidh zemrën dhe shpirtin tënd.
E dyta: Nuk lejohet t’u ekspozohesh trazirave (fitneve) dhe rrëmujës, e nuk lejohet as përhapja e dyshimeve. Largimi nga vendet e tyre është tregues i një besimi të fortë. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush dëgjon se Dexhali ka dalë në një vend le të largohet prej tij. Pasha Allahun! Burri shkon tek ai dhe mendon se është besimtar (i fortë), pastaj shndërrohet në pasues të tij për shkak të dyshimeve (të mëdha) që ai i sjell!” (Transmeton Ebu Daudi.)
Pra, nëse angazhohesh apo u ekspozohesh trazirave ke bërë aventurë me gjënë më të shtrenjtë që ke, me fenë tënde, aventurë pasojat e së cilës janë të paparashikueshme.
E treta: Sheriati është standarti bazë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nëse debatoni për diçka, atëherë kthejeni atë tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij.” Pra peshorja e saktë me të cilën peshohen dhe maten të gjitha gjërat është feja e Allahut. Ajo është rojtari më i mirë informues që të çliron nga gabimet dhe rrëshkitjet.
E katërta: Metoda dhe qasja e të parëve tanë të devotshëm të cilët janë më të zgjedhurit e këtij populli dhe më të afërt me të vërtetën, dhe largimi nga gjërat që të shpërqëndrojnë dhe e turbullojnë pastërtinë e besimit. Nëse je pasues i tyre atëherë largohu nga çdo gjë që mund të ta pështjellë fenë tënde.
E pesta: Tregohu i vëmendshëm dhe përmbaju asaj që të sjell dobi. Kjo është këshilla e Profetit tëndsallAllahu alejhi ue sel-lem ndaj vendose atë përpara syve. Jepi rëndësi asaj që të bën dobi në fenë dhe në jetën tënde në këtë botë, angazhohu me gjëra të mira dhe të dobishme dhe lëri të tjerat.
Po e mbyll me disa porosi rreth leximit dhe dëgjimit:
1. Ruaju nga vetmashtrimi informativ! Zbukurohu me thjeshtësi! Nuk është turp të mos i dish disa gjëra, turp është të mashtrohesh me aftësitë e tua dhe të futesh në gjëra që nuk di t’i bësh.
2. Njihe besimin e autorit që po lexon. Ruaj kohën tënde se ajo është e çmuar dhe mos e harxho veçse në atë që të bën dobi!
3. Përpiqu të fitosh aftësinë e leximit kritik dhe mos u bëj vetëm pranues. Kapu fort pas themeleve; Kurani dhe Suneti janë e vërteta, dhe gjithçka me të cilën erdhi Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është e vërtetë. E çdo gjë që i kundërshton ato është e kotë dhe humbje, pa marrë parasysh a e dite shkakun e kotësisë së saj në detaje apo nuk e dite.
4. Merr një këshilltar të besueshëm që të orienton në gjërat që lexon dhe nga kush i dëgjon, e me çfarë të fillosh, e me çfarë të vazhdosh. Përshkallëzohu në atë që lexon dhe ndiq metodën e saktë. Kush privohet nga themelet e qëndrueshme nuk arrin të ndërtojë. Mos u nxito sepse dituria arrihet me kalimin e ditëve dhe të netëve.
5. Kushtoji rëndësi cilësisë dhe jo sasisë. Nuk është e rëndësishme sa libra ke lexuar por çfarë ke përfituar. Përkundrazi, leximi i shumtë mund të ta shtojë injorancën.
6. Mos e bëj zemrën sfungjer që thith dhe pranon çdo dyshim. Nëse mundesh të mos shfletosh dhe dëgjosh veçse të vërtetën e të saktën, ashtu bëj. E nëse sprovohesh, bëje zemrën tënde pasqyrë që e njeh të kotën por nuk depërton dhe e reflekton mbrapsht. I lumtur është ai që merr mësim nga të tjerët! Të shumtë janë ata që bien nga dëgjimi jo i saktë dhe leximi jo i saktë. Shpëtimi nuk barazohet me asgjë prandaj ruaju nga aventurat informuese.
7. Fama nuk është tregues i besueshmërisë, pra jo çdo i famshëm meriton të marrësh prej tij.
8. Shtoji lutjet ndaj Allahut që të të udhëzojë dhe të të përforcojë në rrugën e drejtë. Allahu të dhëntë sukses për atë që Ai do dhe është i kënaqur!
Emin Bilali
Dosje: Dituria