Sjellja e mirë me gruan

December 17, 2015

Nga Ebu Hurejra përcillet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Të mos e urrejë besimtari besimtaren. Nëse nuk pëlqen prej saj një moral do t’i pëlqejë një moral tjetër.” Muslimi[1]

Ky është udhëzim prej Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për burrin në sjelljen me gruan e tij, i cili është prej shkaqeve dhe nxitësve më të mëdhenj për bashkëjetesë të lumtur. Kështu e ndaloi besimtarin që të sillet keq me gruan e tij, dhe ndalimi nga diçka nënkupton urdhër për të kundërtën e saj. E urdhëroi të shikojë në moralet e tjera të mira të saj dhe gjërat që i përshtaten, dhe t’i vendosë ato përballë gjërave që urren prej saj. Nëse burri mendon rreth moraleve të mira që ka gruaja e tij dhe bukuritë e karakterit të saj që ai i do, dhe mendon pastaj rreth shkakut që e bën ta urrejë atë dhe të bezdiset prej saj, do ta shikojë se është një gjë apo dy ndërsa gjërat që pëlqen janë të shumta. Nëse është i drejtë do ta mbyllë një sy dhe një vesh nga sjelljet e pakta të këqija që ajo ka, për shkak se ato janë të pakta kundrejt të mirave që ka.

Kështu vazhdon shoqërimi i mirë, zbatohen detyrimet e domosdoshme dhe të pëlqyeshme, dhe ndoshta atë që nuk e pëlqen prej saj ai përpiqet ta rregullojë apo ta përmirësojë.
Ndërsa kush mbyll sytë përpara të mirave dhe shikon vetëm të këqijat edhe nëse ato janë të pakta, kjo nuk është drejtësi dhe ai nuk do të kënaqet me gruan e tij.

Njerëzit në këtë çështje janë tri llojesh.

Më i larti prej tyre është ai që shikon moralet e bukura dhe të mira, e mbyll një sy dhe një vesh para të këqijave dhe i harron ato.

Më i ulëti në aspektin e suksesit, të besimit dhe të moralit të mirë është ai që e përmbys peshoren duke i fshehur të mirat që ajo ka çfarëdo qofshin, dhe të këqijat i mban para syve gjithë kohës.

Ndoshta i zmadhon ato dhe qimen e bën tra duke pasur mendim të keq dhe duke ecur me dyshime dhe pështjellime, të cilat të paktën e shfaqin të shumtë ashtu siç tregon realiteti.

Lloji i treti është ai që shikon të dyja çështjet dhe krahason mes tyre dhe sillet me gruan sipas çdonjërës prej tyre, dhe ky është i drejtë por është i privuar nga përsosmëria.

Ky moral për të cilin na nxit Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duhet ndjekur dhe përdorur mes të gjithë atyre që jetojnë me njëri-tjetrin dhe kanë marrëdhënie të ndërsjellta mes tyre. Dobia fetare dhe materiale e kësaj është e madhe dhe ai që vepron kështu zemra e tij do të rehatohet, dhe kështu do përpiqet të arrijë zbatimin e detyrimeve të domosdoshme dhe të pëlqyeshme.

Përsosmëria tek njerëzit është e vështirë të arrihet dhe mjafton si vlerë për njeriun që të metat e tij janë të numërueshme (sa gishtat e dorës). Përgatitja e vetes për atë që mund t’i vijë prej bashkëshortit (apo prej njerëzve me të cilët është i rrethuar) prej sjelljeve jo të mira, kjo gjë ia bën më të lehtë njeriut sjelljen e mirë (dhe durimin) dhe bamirësinë ndaj njerëzve. Allahu është Ai që jep sukses!

 

Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”.

Autor: Abdurrahman es Seadi

Përktheu: Emin Bilali

——————————————————————–

[1] Muslimi 1469.

Dosje:

Loading...