Të njohësh nëpërmjet shenjave

March 6, 2014

Allahu i Lartësuar e lavdëroi mendjemprehtësinë dhe mendjemprehtët në disa vende në Librin e Tij. Tha i Lartësuari: “Në këtë ka argument për vëzhguesit e vëmendshëm.” (Hixhr:75)

Janë ata që kuptojnë shenjat, meditojnë në to.  Në tefsirin e Sa’dit ka ardhur: ‘Ata të cilët meditojnë dhe nëpërmjet shenjave kuptojnë atë që është për qëllim.’
Në një vend tjetër Allahu thotë: “Sikur të dëshironim Ne do t’i tregonim ty ata (munafikët, dyfytyrëshit), dhe ti do t’i njihje ata nëpërmjet shenjave të tyre” (Muhammed: 30)
Dhe thotë i Madhëruari: “Injoranti i mendon ata të pasur, për shkak të ruajtjes së tyre (nuk e japin veten), nëpërmjet shenjave të tyre i njeh ata (të varfrit e ndershëm)” (Bekarah: 273)
Nga Enes ibn Malik përcillet se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë:
“Allahu ka disa robër që i njohin njerëzit nëpërmjet shenjave” (Albani e konsideroi Hasen/ të mirë, në ‘Sahihah’: 1693). Ky hadith e bën të panevojshëm argumentimin me atë tjetrin që është i dobët me të gjitha rrugët e tij – siç e ka gjykuar shejkh Albanij – [ku ndonjëherë ka thënë për të: ‘i dobët’, e ndonjëherë: ‘shumë i dobët’.] Është fjala për hadithin: “Ruajuni nga mendjemprehtësia e besimtarit sepse ai shikon me dritë prej Allahut” [Shiko ‘Es Silsiletu ed daifeh/ Vargu i haditheve të dobëta’: 1821, 4/300, 301.]

‘El firasetu’ rreth së cilës po flasim, ka dy kuptime, siç ka ardhur në ‘En nihaje li garibil hadith’:

I pari: Ajo që hedh Allahu në zemrat e të dashurve të Tij (eulijave), dhe ata nëpërmjet kësaj njohin gjendjen e disa prej njerëzve, me një lloj kerameti, duke ja qëlluar së vërtetës. [Kerameti është: Nderim nga ana e Allahut që ua jep disa prej robërve të Tij më të mirë, nga ata që ecin në gjurmët e Profetëve, të ngjashme me mrekullitë që u janë dhënë këtyre të fundit, por në përmasa më të vogla se ato. Dhe këtu të vjen në mendje ndodhia me Uthmanin – khalifen e tretë – tek i cili thuhet se hyri një njeri që kishte parë diçka të ndaluar, Uthmani i tha: ‘Këta sy kanë bërë imoralitet’! Dhe pamja e kundërt me këtë është: drita dhe bukuria në fytyrat e atyre që transmetojnë hadithet e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, për shkak të duasë së tij të bekuar.]

Kuptimi i dytë: Është ai që mësohet nëpërmjet treguesve dhe shenjave, prej eksperiencës, prej njohjes së krijimit të Allahut, nëpërmjet të cilave njeh gjendjen e njerëzve. Dijetarët për këtë kanë shkruajtur libra.

Mendjemprehtësia e besimit, siç thotë Ibnul Kajjim në ‘Medarixhus salikin’: “Shkaku i saj është një dritë që Allahu e hedh në zemrën e besimtarit nëpërmjet së cilës ai dallon ndërmjet të vërtetës dhe të kotës, të sinqertit dhe gënjeshtarit
[Në këtë kuptim shejkh Ibn Uthejmini – rahimehullah thotë : Për këtë tregon fjala e Të Lartësuarit: “O ju që keni besuar! Nëse i frikësoheni Allahut Ai do tju japë juve ‘furkan’ “ (Enfal: 29)
‘Furkan’ dmth ‘dalluesin’ nëpërmjet të cilit ju do të dalloni ndërmjet të vërtetës dhe të kotës, ndërmjet të dëmshmes dhe të dobishmes, ndërmjet adhurimit dhe gjynahut, ndërmjet të dashurve të Allahut dhe armiqve të Allahut, etj.  Ndonjëherë arrihet ky ‘furkan’ nëpërmjet dijes, Allahu i hap  njeriut prej njohurive dhe i lehtëson atij grumbullimin e tyre më shumë se atij që nuk i frikësohet Allahut, e ndonjëherë arrihet ky ‘dallues’ nëpërmjet asaj që Allahu hedh në zemrën e tij prej intuitës dhe mendjemprehtësisë ‘firaseh’. Ka thënë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Nëse ka në mesin tuaj njerëz të inspiruar ‘muhaddethun’ atëherë Umeri është një prej tyre” (Bukhari: 3469 dhe Muslim:2398). Kështu Allahu i jep atij që i frikësohet Atij (ashtu siç duhet, duke zbatuar urdhëresat dhe duke u larguar nga ndalesat) i jep atij ‘firaseh’ mendjemprehtësi, nuhatje, parandjenjë të saktë me të cilën ai ja qëllon së vërtetës.]*
[Them: Një prej emrave të Kuranit është edhe ‘El Furkan’ Dalluesi, ndaj për këtë shkak është e pamundur që dikush që nuk ka dije dhe nuk mediton rreth Librit të Allahut, apo qëndron larg tij, të dallojë saktë të vërtetën nga e kota, atë që është sheriat i Allahut nga ajo që është fitneh (sprovë, trazirë). E sa më shumë të qëndrosh me Kuranin (lexim të tij, dhe të tefsirit) aq më afër do ta kesh ‘Furkanin’]
Thelbi i saj është: Mendim që i hidhet zemrës, si luani që i hidhet presë së tij… dhe kjo mendjemprehtësi është sipas forcës së besimit, ai që është me besim më të fortë ai ka edhe shikim (shpirtëror) më të mprehtë”
Gjithashtu ka thënë: “Njerëzit që kanë ‘firaseh’ e dallojnë sinqeritetin e të sinqertit nëpërmjet qetësisë së zemrës së tij në kohën kur ai njofton, trimërisë së tij, dhe faktit që ai është hijerëndë gjatë kësaj. Dhe e njohin gënjeshtrën e gënjeshtarit me të kundërtat e këtyre, dhe kjo nuk i fshihet veçse atij që ka shikim (shpirtëror) të dobët.” Dhe falenderimi i takon Allahut Zotit të botëve.

* Shpjegimi i ‘Zbukurimi i kërkuesit të dijes’/ Hiljetu talibil ilm’/ fq15. Botimi i parë: Dar Ibnul Hejthem, Kajro.

Loading...