Tefsiri i Kuranit sipas thënieve të tabiinëve dhe përmes gjuhës arabe

January 29, 2023

Tefsiri i Kuranit përmes thënieve të tabiinëve është shumë i rëndësishëm. Kjo për faktin se ata morën dhe përfituan nga sahabët e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe këta të fundit (sahabët) morën dhe përfituan nga ai.

Shembull për këtë kemi atë që përmend Buhariu në kapitullin e teuhidit (njëshmërisë së Allahut), [1] ku thotë: Ebul Alijeh në lidhje me thënien e Allahut: “… atëherë Ai isteua ila (u ngrit lart drejt) qiellit.” |El Bekare: 29| Që do të thotë: U ngrit lart.

Muxhahidi ka thënë: Isteua do të thotë të jesh mbi fron (Arsh).[2]

Taberiu e shpjegoi se do të thotë “lartësi” dhe pasi përmendi shumë mendime, tha: Kuptimi më i saktë në lidhje me thënien e Allahut të Lartmadhëruar: “… atëherë Ai Isteva ila (u ngrit lart drejt) qiellit”, është se Allahu qëndron lart mbi të dhe me fuqinë e Tij mbikqyr dhe ka krijuar shtatë palë qiej.

Pas kësaj, Taberiu tregoi fjalën e Rabi ibën Enes: “… atëherë Ai isteua ila (u ngrit lart drejt) qiellit.” |El Bekare: 29| Që do të thotë: U lartësua drejt qiellit.[3]

Tefsiri i Kuranit përmes gjuhës arabe.

Tefsiri i Kuranit përmes gjuhës arabe është shumë i rëndësishëm, dhe kjo bazuar në fjalën e Allahut që thotë: “Ne e zbritëm këtë Kuran në gjuhën arabe për ta kuptuar ju.” |Jusuf: 21|

Shembulli i parë:

Një shembull i kësaj është ajo që hafidh Ibën Haxheri përcjell në “Fet’hul Bari” nga Ibën Batal, i cili ka thënë: “Njerëzit u kundërshtuan në lidhje me kuptimin e istiuasë (të qënit lart) që përmendet në ajetin: “… atëherë Ai isteua ila (u ngrit lart drejt) qiellit.” |El Bekare: 29|

Mu’tezilet thanë: Kjo do të thotë se Allahu e ka mbizotëruar me pushtetin dhe forcën e Tij. Ata për të provuar mendimin e tyre përdorën si argument fjalën e një poeti, që thotë:

Në të vërtetë Bishri e përmbysi Irakun,

Pa përdorur shpata e as duke derdhur gjakun.

Pastaj Ibën Batal e hodhi poshtë këtë mendim duke thënë: “Sa i përket mendimit të mu’tezilive ai është pa dyshim i pabazë dhe i rremë. Allahu ka qenë gjithmonë dhe është Mbizotërues, Dominues dhe i Lartë mbi fron. I përsosur është Allahu nga të gjitha të metat, Ai është më i Larti. ”

Ai (Ibën Batal) citoi fjalë të shumta, pastaj tha: “Sa i përket tefsirit të istiuasë me kuptimin e të qënit lart, atëherë ky është mendimi i saktë dhe mendimi i ndjekësve të sunetit. Allahu i Lartësuar e ka cilësuar veten si i Lartë, pra më i Larti.

Allahu thotë: “I lavdëruar qoftë Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim)!” Kjo është cilësi që ka të bëjë me Qënien e Tij.[4]

Them: E vërteta është të thuash se ‘të qënit i Lartë ‘, pra istiuaja është prej cilësive të Allahut të njohura si cilësi që kanë të bëjnë me veprimet e Tij e që lidhen me qënien e Allahut. Allahu e di më së miri! [5]

Më pas Hafidh ibën Haxheri thotë: Ebu Ismail el Haravi përcjell në librin e Farukut me zinxhir transmetimi tek Daud ibën Ali ibën Halef, se ka thënë: Ne ishim tek Abdullah ibën el Arabi,  tek Muhamed ibën Zijad el Lugaui kur një njeri i tha: “I Gjithëmëshirshmi mbi Fron u ngrit (si i takon Madhërisë së Tij).” |Taha: 5|

Ai u përgjigj: Ai është mbi Fronin e Tij ashtu siç ka treguar. Por ai i tha: O Ebu Abdullah! Në fakt kuptimi është se e ka mbizotëruar – isteula. Ai u përgjigj: Hesht, sepse nuk thuhet për diçka se e ka mbizotëruar – isteula – vetëm se kur ekziston një kundërshtar.

Të tjerë kanë thënë: “Nëse domethënia do të ishte të mbizotërosh atëherë kjo nuk do të kufizohej vetëm me Arshin, sepse me të vërtetë Allahu është Dominues dhe Mbizotërues ndaj të gjitha krijesave të tjera.” [6]

Është për t’u habitur sepse esharijtë[7] e kanë marrë tefsirin e të qënurit lart – istiuasë – në kuptimin e mbizotërimit (isteula) nga mutezilitët. Ky mendim u përhap në shumë libra të tefsirit, libra të teuhidit dhe në thëniet e njerëzve. Ata nuk e pranuan istiuanë (lartësimin e Tij mbi Arsh) e Allahut të Lartësuar, gjë që tregohet; në shumë ajete Kuranore, hadithe autentike, thënie të sahabëve, tabi’inëve, dijetarëve dhe imamllarëve të ixhtihadit. Madje shkuan deri aty sa kundërshtuan edhe gjuhën arabe në të cilën ka zbritur Kurani famëlartë.

Allahu e mëshiroftë Ibën Kajimin kur tha: “Allahu i urdhëroi hebrejtë të thonë: Na fal (hitah), – por në vend të kësaj ata thanë hinta (miell) duke e ndryshuar fjalën dhe kuptimin e saj. Prandaj, kur Allahu na njofton se ai është i Lartë mbi fronin e Tij, njerëzit e interpretimeve të rrejshme thonë: Kjo do të thotë se Ai e mbizotëroi atë (Arshin) – isteula. Shikoni sesa shumë ngjan lami i tyre (Mu’tezilive dhe Esh’arive) që e ndryshuan (në fjalën isteula) me nunin e beni Israilëve (që e ndryshuan fjalën duke e bërë hinta).[8]

Shembulli i dytë:

Një shembull tjetër i tefsirit të Kuranit përmes gjuhës arabe është ajo që Allahu tregon për Ibrahimin, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Kur ai i tha babait dhe popullit të tij se ç’janë këto statuja të cilave u jeni përkushtuar.” |El Enbija: 52|

Kuptimi i fjalës temathil janë idhujt siç është përmendur në librin “Fet’hul-Kadir” të Sheukanit, kështu që ai tha: Temathil (statuja) do të thotë idhuj. Origjina e fjalës timthal është një objekt i punuar ngjashëm me një krijesë që ka krijuar Allahu i Lartësuar. Thuhet: Bëra ngjashmëri me diçka kur e bëj shumë të ngjashëm, dhe emri i këtij të ngjashmi quhet statujë (timthal). Idhujt që i adhuronin femohuesit ishin statuja që për ta përfaqësonin evlijatë (të dashurit e Zotit). Argumentet për këtë janë:

a) Buhariu transmeton nga Ibën Abasi radiAllahu anhuma, se për fjalën e Allahut: “Dhe thanë: Mos i lini kurrsesi zotat tuaj! Mos e lini kurrsesi as Veddin, as Suvain, as Jeguthin, as Jaukën, as Nesrin’!” |Nuh: 23|

Ibën Abasi tha: “Idhujt të cilët adhuroheshin nga populli i Nuhut adhuroheshin edhe nga arabët…  dhe ishin emrat e disa njerëzve të mirë nga populli i Nuhut. Pasi ata vdiqën, shejtani erdhi tek populli i tyre dhe u tha: Ngrini portretet e tyre në vendet ku mblidheshin dhe emërtojini sipas emrave të tyre. Ata e bënë këtë por nuk i adhuruan. Por kur ai brez u shua dhe dija (rreth realitetit të atyre portreteve) u harrua, njerëzit filluan t’i adhuronin (idhujt).”

Kuptimi i fjalës ‘dija u harrua’ i referohet njohurive rreth specifikave të këtyre imazheve.[9]

b) Në lidhje me fjalën e Allahut: “A e keni parë Latin dhe Uzzën?” |En Nexhm: 19| Buhariu përmendi nga Ibën Abasi se ka thënë: Lati ishte një burrë që përziente Sevikun[10] për haxhinjtë.

Them: Në shumë ajete Allahu u referohet atyre si evlija.

Për shembull: “Vallë, a mos zgjedhin ata për adhurim evlija (mbrojtës) të tjerë përveç Atij?!” |Esh-Shura: 9|

Nisur nga tefsiri (shpjegimi) i mëparshëm, kupton gabimin e shumë muslimanëve që pohojnë se adhuruesit e idhujve që janë përmendur në Kuran konsiderohen vetëm ata që adhuronin idhujt prej guri, dhe se nuk kanë lidhje me evlijatë. Por kjo është e pasaktë, sepse statujat dhe idhujt personifikojnë njerëzit e devotshëm, siç e treguam më lart.

Shembulli i tretë:

Një shembull tjetër i tefsirit të Kuranit përmes gjuhës arabe, është fjala e Allahut: “Dhe dije se askush nuk meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut.” |Muhamed: 19|

Fjala Ilah që përmendet në ajet, do të thotë ai që adhurohet. Pra, kuptimi i ajetit është se nuk duhet adhuruar askush me të drejtë përveç Allahut. Përderisa siç e dimë, ata që adhurohen në vend të Allahut janë të shumtë: Hindutë në Indi adhurojnë lopën, të krishterët adhurojnë Isain dhe disa muslimanë fatkeqësisht – adhurojnë evlijatë – duke u lutur atyre në vend të Allahut. Në hadith thuhet: “Lutja (duaja) është adhurim.”[11] Ishte e nevojshme që shprehja ‘me të drejtë’ t’i shtohet shpjegimit, kështu që kuptimi është: “Askush nuk meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut.” Pra, duke përjashtuar gjithçka që adhurohet rrejshëm në vend të Allahut.

Dëshmi për këtë shpjegim është fjala e Allahut të Lartësuar: “Kjo është kështu sepse Allahu është e Vërteta, ndërsa çfarë adhurohet në vend të Tij është e rreme. Allahu është i Lartësuar dhe i Madhërishëm.” |Lukman: 30|

Nga ky shpjegim i fjalës Ilah (i adhuruar) del në pah gabimi i shumë muslimanëve, të cilët e mohojnë se Allahu është lart mbi Fronin e Tij dhe përdorin si argument ajetin: “Ai është i vetmi Zot (i vërtetë) në qiell dhe i vetmi Zot (i vërtetë) në tokë. Ai është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.” |Ez Zuhruf: 84|

Sikur ta dinin kuptimin e fjalës Ilah nuk do ta përdornin këtë ajet si argument, sepse kuptimi i fjalës Ilah është Ai që adhurohet siç thamë më lart. Pra, kuptimi i këtij ajeti është: “Ai është i vetmi që meriton të adhurohet në qiej dhe në tokë.”

Pa harruar edhe faktin se shumë ajete e pohojnë se Allahu është lart mbi Fronin e Tij, siç është fjala e Allahut të Lartësuar që thotë: “Më pas, Ai (isteua) u ngrit lart mbi Arsh.” |El A’raf: 54| Që do të thotë se u lartësua dhe u ngrit lart.

Gjithashtu, është gabim ajo që pretendojnë disa muslimanë se kuptimi i fjalës “La Ilahe il-la Allah” është: “Nuk ka Krijues e as Furnizues përveç Allahut”. Ky kuptim nuk është i saktë pasi edhe idhujtarët e pohonin këtë. Por për shkak se ata e dinin domethënien e fjalës Ilah që do të thotë ‘i adhuruar’ refuzuan të thoshin ‘La Ilahe il-la Allah’, siç na njofton Allahu për ta duke thënë: “Sepse kur u thuhej: Nuk ka të adhuruar tjetër (të vërtetë) veç Allahut!” – ata tregoheshin mendjemëdhenj dhe thoshin: Vallë, a t’i braktisim hyjnitë tona për shkak të një poeti të marrë?” |Es Safat: 35-36|

 Shembulli i katërt:

Prej gjërave që na ndihmojnë në njohjen e tefsirit është dhe njohja e rregullave të gjuhës arabe, p.sh. fjalët që kërkohen të paraprijnë në fjali apo të vijnë më pas. Shembull i kësaj është fjala e Allahut të Lartësuar që thotë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” |El Fatiha: 5|

Këtu kundrinori “vetëm Ty” doli i pari në fjali para foljes ”adhurojmë” dhe foljes “kërkojmë ndihmë”. Kjo bën që kuptimi i fjalisë të kufizohet dhe të veçohet. Fjalia vjen në këtë kuptim: Ne nuk adhurojmë askënd përveç Teje o Allah, dhe as nuk kërkojmë ndihmë nga askush tjetër përveç Teje o Allah! Ne të veçojmë vetëm Ty për adhurim dhe për të kërkuar ndihmë.

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”

Ibën Kajimi në librin e tij “Medarixh es Salikin” ka thënë: “Urtësia në krijimin, urdhërimin, dërgimin e librave, vendosjen e ligjeve, dhënien e shpërblimit dhe dënimit, e gjitha fokusohet në këto dy fjali: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”

I gjithë adhurimi ndaj Allahut dhe njëshmëria e Tij rrotullohet rreth këtyre dy fjalive, aq sa është thënë: Allahu ka zbritur një qind e katër libra, dhe të gjitha kuptimet e tyre i mblodhi në Tevrat, Inxhil dhe Kuran. Pastaj i mblodhi kuptimet e këtyre tre librave në Kuran … ndërsa kuptimet e Kuranit i mblodhi në një ajet të sures El Fatiha, pikërisht në ajetin: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” |El Fatiha: 5| [12]

Dobi dhe mësime të këtij ajeti:

1) Veçimi i Allahut në adhurim, siç është; namazi, tavafi (rrotullimi rreth shtëpisë së shenjtë Qabes), ligjet dhe legjislacioni, dhe lutja ndaj Allahut. Kjo bazuar në thënien e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që thotë: “Lutja (duaja) është adhurim.” [13]

2) Lutja e Allahut dhe kërkimi i ndihmës prej Tij, veçanërisht në çështjet ku askush tjetër nuk mund të ndihmojë, si; shërimi prej sëmundjes, kërkimi i furnizimit dhe udhëzimit … etj. E themi këtë duke u bazuar në fjalën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Nëse kërkoni atëherë kërkoni nga Allahu, dhe nëse kërkoni ndihmë atëherë kërkoni ndihmë nga Allahu.” [14]

Marrë nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin”.

Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

———————————————–

[1] (8/175).

[2] (8/175).

[3] “Tefsiri i Taberiut” 8/175.

[4] Shih “Fet’h el Bari” 13/406.

[5] Për më tepër shih “Sherh el Akide el Vasitije” të el Herr-rra, fq. 91.

[6] “Fet’hul Bari” 13/406.

[7] Një grupacion që u shfaq afërsisht në vitin 300 hixhri. Ata janë pasuesit e imam Ebul-Hasen el-Eshariut. Mirëpo Ebul-Haseni i la idetë dhe besimet që i përkrahte dhe u kthye në rrugën e sahabëve. Kjo është dokumentuar nga shumë deklarata të tij. Megjithatë, ndjekësit e sotëm të shkollës së mendimit Eshari po e ndjekin atë në periudhën e tij fillestare dhe jo në mendimet me të cilat thuhej se kishte vdekur.

[8] Shih poezinë “En Nunije” të Ibën Kajim el Xheuzijes.

[9] E përcjell Buhariu 6/73.

[10] Ky është një lloj ushqimi ose pijeje që u ofrohej haxhinjve në Meke.

[11] E përcjell Tirmidhiu i cili ka thënë se hadithi është i mirë dhe i saktë.

[12] Për më tepër shih “Medarixh es Salikin” të Ibën Kajim el Xheuzijes.

[13] Hadith i mirë dhe i saktë.

[14] E përcjell Tirmidhiu dhe ka thënë se hadithi është i mirë dhe i saktë.

Loading...