Tiparet e njerëzve të fituar

January 19, 2019

Tiparet e njerëzve të fituar.

Ku janë kërkuesit e margaritarëve? Ku janë gjurmuesit e sendeve  të çmuara? Allahu i lavdëroi ata në ajetet e Kuranit, pikërisht në fillimin e sures El Muminun[1] dhe në fund të sures El Furkan.[2]

Pasha Allahun, këto janë tiparet e atyre që fituan kënaqësinë, që në xhenetet e amshueshme do të shijojnë përjetësinë dhe aty do të mbledhin të gjitha llojet e mirësisë dhe dhuratat e bamirësisë.

O Zoti ynë, për sa mirësi që u dhe atyre të lutemi na jep edhe neve prej mirësive të kësaj bote, që rezulton në bindjen ndaj Teje dhe përmendjen Tënde! Ndërsa në botën tjetër na jep xhenetin, mirësinë dhe mundësinë e të parit në fytyrën Tënde! Na bëj të shoqërohemi me ta, na fut në grumbullin e tyre, na bëj të jemi prej tyre dhe mos e bëj pjesë tonën atë që ke shpejtuar për ne nga dhuratat e kësaj bote, por të lutemi që të ruash për ne të njëjtën mirësi që ke ruajtur për ata që fituan amshimin!

Të jetë bota tjetër më e mirë për ne se e para, e nëse ndodh që ndjekësit e dunjasë gëzohen me dunjanë e tyre  atëherë na mundëso të gëzohemi me mëshirën dhe kënaqësinë Tënde.

O Zoti ynë, Ty që të luten mbarë krijesat që kryejnë ritet e Tua, i pa të meta Je dhe e madhe është pozita Jote!

O Zoti ynë, Ty që krijesat të drejtohen me lutje, i pa të meta Je, sa e madhe është pozita Jote!

O Zot, falë Teje qiejt dhe toka qëndrojnë me urdhërin Tënd. E vështira bëhet e lehtë përmes gjykimit Tënd. Je Ti që e ndan të mirin bamirës dhe Je i Lavdëruari për drejtësinë Tënde. O Zoti ynë, i pasuri dhe i varfëri kanë nevojë për rrizkun Tënd. I pa të meta Je, sa e lartë është pozita Jote.

O Zoti ynë, krijesat janë të nënshtruara para krenarisë Tënde,  fytyrat janë drejtuar për tek Ti, krijesat e kanë pohuar se Ti je Zoti i këtij universi. I pa të meta Je, sa madhështore është pozita Jote!

O Poseduesi i gjithçkaje në qiej e në tokë, para Teje të gjithë janë të nënshtruar! Ti i ftove njerëzit për të vizituar shtëpinë e shenjtë përmes të dashurit tënd Ibrahimit (alejhi selam), dhe  t’u përgjigjën të gjithë ata që t’u përgjigjën. O Zoti ynë, në pragun e derës Tënde qëndruan të ngujuarit që me lutje dhe kërkesa tek Ti strehohen, synojnë mëshirën Tënde në dunja dhe në botën tjetër dhe nga kundërshtimi i urdhërave të Tua kërkojnë falje. I pa të meta Je, sa madhështore është pozita Jote!

I pa të meta Je, sa të qarta janë argumentet e tua!

I pa të meta Je, sa i hershëm është pushteti Yt!

I pa të meta Je, sa e gjerë është falja Jote!

Ty të madhërojnë qiejt dhe kush gjendet brenda tyre, të lavdërojnë yjet dhe galaktikat, të madhëron toka dhe banorët e saj, deti dhe gjallesat e tij, zotërinjtë dhe skllevërit, shiu dhe vetëtimat, mbretërit dhe njerëzit, ushtritë dhe vendbetejat, malet dhe kodrat, luanët dhe të vegjëlit e tyre! Të gjithë e njohin dhe e pranojnë pozitën Tënde!

Ti je Krijuesi i kësaj natyrshmërie, Furnizuesi i nevojave të njeriut, Udhërrëfyesi që orienton, Ti je Mëshiruesi që ruan nga ndëshkimi, je Ai që përmes kënaqësisë mbron nga zemërimi! Me përjashtim të atyre që merituan dënimin Tënd, për ta caktimi është i patjetërsueshëm!

 

“Përkujtime dhe predikime” – Ibn Xheuzi.

Përktheu: Fatjon Isufi

——————————————-

[1] Ka për qëllim cilësitë e besimtarëve në fillimin e sures El Muminun, ajetet 1-11.

[2] Aty ku Allahu flet për cilësitë e robërve të Tij, në ajetet 63-77.

Loading...