Nga Ebu Hurejrah përcillet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Tre njerëz Allahu ja ka bërë detyrë Vetes t’i ndihmojë: Robi që bën marrëveshje me zotërinë e tij për tu liruar, ai që martohet sepse kërkon të ruaj nderin (dlirësinë) e tij, dhe ai që përpiqet në rrugë të Allahut.” Transmetojnë autorët e suneneve përveç Ebu Daudit.[1]
Kjo sepse Allahu i Lartësuar ua ka premtuar atyre që shpenzojnë se do tua zëvendësojë së afërmi. Shpenzimi është përmendur në mënyrë të përgjithshme por qëllimi i tij është shpenzimet që i do Allahu, sepse premtimi i Tij për zëvendësim vjen si shpërblim për shpenzimet që bëhen në gjëra që Allahu i do. Ndërsa shpenzimet që bëhen në gjërat që Allahu nuk i do, në mëkate ose në shpërdorim (teprim) në gjëra të lejuara, Allahu nuk i ka premtuar zëvendësim për to askujt madje ato janë gjynah. Ndërsa këta të tre që u përmendën në këtë hadith janë prej gjërave më të mira që Allahu i do.
Përpjekja në rrugë të Allahut është kulmi i fesë dhe maja më e lartë e saj, qoftë kjo përpjekje me armë apo përpjekje me dituri dhe argumenta. Shpenzimi në këtë rrugë do të rimbursohet nga Allahu, dhe ai që ecën në të do ndihmohet prej Tij dhe do t’i lehtësohen punët.
Ndërsa robi që nënshkruan marrëveshje lirimi me zotërinë e vet kjo është një gjë të cilën Allahu e ka urdhëruar në Kuran duke thënë: “Nënshkruani marrëveshje lirimi me ta nëse dini ndonjë mirësi tek ata (robërit).” | En Nur: 33. D.m.th. nëse njihni prej tyre devotshmërinë në çështjet e fesë dhe se janë të aftë për çështjet e dynjasë sepse zotëria është i urdhëruar ta pranojë këtë marrëveshje. Robi që bën marrëveshje lirimi dhe dëshiron ta zbatojë atë dhe përpiqet të përshpejtojë fitimin e lirisë së tij që të jetë i lirë në çështjet e fesë së tij dhe në jetën e dynjasë, Allahu e ndihmon atë, ja lehtëson çështjet dhe e furnizon andej nga nuk e pret.
Është detyrë për zotërinë që të tregohet i butë me robin e tij në këtë rast në përcaktimin e afateve të shlyerjes dhe blerjes së lirisë së tij. Duhet t’i japë një të katërtën nga vlera e marrëveshjes së lirisë kur robi ta dorëzojë atë.
Tek fjala e Allahut në lidhje me nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje: “Dhe jepuni nga pasuria e Allahut që Ai u ka dhënë juve.” | En Nur: 33. Këtu ka urdhër për zotërinë dhe për të tjerët prej muslimanëve. Për këtë arsye Allahu i ka ndarë atij një pjesë të zekatit tek fjala e Tij: “… dhe në çlirimin e robërve.” | Et Teubeh: 60. Kjo është prej ndihmës së Allahut të Lartësuar për robin.
Ka ardhur në një hadith të saktë prej Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem diçka që është më e përgjithshme se kjo, ku ai thotë: “Kush merr pasuritë e njerëzve duke dashur tua rikthejë ato, Allahu do t’i kthejë ato për të. Dhe kush i merr ato duke dashur t’i shkatërrojë, do ta shkatërrojë atë Allahu.” Transmeton Buhariu.[2]
Ndërsa përsa i përket martesës Allahu ka urdhëruar për të të Dërguarin e Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe ka përmendur dobi të shumta për të, siç janë: ndihma e Allahut, zbatimi i urdhrit të Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe kjo është prej zakonit të të dërguarve.
Gjithashtu martesa ruan nderin, të ndihmon në uljen e shikimit nga harami, sjell pasardhës, shpenzon për gruan dhe fëmijët. Kur njeriu shpenzon për familjen e tij diçka dhe shpreson shpërblim për të prej Allahut, kjo gjë i sjell atij shpërblime pa marrë parasysh a janë ushqime apo veshje, apo mbulim i nevojave të tyre të ndryshme. Të gjitha këto i sjellin shpërblime (sevape) njeriut dhe ato janë shpërblime rrjedhëse për të, dhe janë më të dobishme se adhurimet vullnetare dobia e të cilave qëndron vetëm tek ai që i kryen.
Në të (martesë) ka gjithashtu përkujtim për mirësitë e Allahut kundrejt robit, kohë të lirë për adhurimin e Tij, ndihmimi i bashkëshortëve për përfitime fetare dhe të kësaj bote. Ka thënë Allahu i Lartësuar: “Martohuni me sa të doni prej grave, dy, tre apo katër. Por nëse frikësoheni se nuk mbani dot drejtësi mes tyre, atëherë vetëm me një.” | En Nisa: 3. Dhe ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Gruaja martohet për katër gjëra: për pasurinë e saj, për bukurinë e saj, për prejardhjen e saj dhe për fenë e saj. Zgjidh atë që ka fe i paç duart plot.”[3] Ajo të rregullon gjendjen e shtëpisë dhe të fëmijëve, ja rehaton zemrën dhe i dhuron qetësi burrit. E nëse bashkë me fenë vijnë edhe gjëra të tjera kjo është gjë e mirë, përndryshe feja është prej cilësive më madhore që kërkohet të jenë tek gruaja (sh.p. dhe tek burri).
Thotë i Lartësuari: “Gratë e devotshme (që janë të udhëzuara ashtu siç duhet në fenë e tyre) janë ato që bëjnë vepra të mira dhe janë të bindura (ndaj Allahut pastaj ndaj burrave të tyre), dhe që ruajnë në fshehtësi çfarë Allahu i ka urdhëruar ato të ruajnë (nderin dhe pasurinë e burrave të tyre në mungesë, dhe i zbatojnë detyrimet e Allahut mbi to).” | En Nisa: 34.
Prandaj është detyrë për gruan të zbatojë urdhrat e Allahut e pastaj të bashkëshortit të saj, dhe t’iu japë përparësi të drejtave të burrit kundrejt të drejtave të kujtdo tjetër prej njerëzve.
Për burrin është detyrë të përpiqet ta përmirësojë gruan e tij dhe të bëjë të gjitha shkaqet për të çuar jetë të mirë me të, sepse bashkëjetesa e mirë është synimi kryesor. Për këtë arsye Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e pëlqeu shikimin e gruas që dëshiron të fejohesh me të, [4] në mënyrë që njeriu të jetë i qartë për çështjen e tij. Allahu e di më mirë!
Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”
Autor: Aburrahman es Seadi
Përktheu: Emin Bilali
——————————————————————–
[1] Hadith i mirë. Transmetojnë Tirmidhiu 1655, Nesaiu 61/6, Ibn Maxheh 2518, Hakimi 160/2, dhe Begauij në “Sherhus suneh” 2239. Saktësoi Albani në “Gajetul meram” 210.
[2] Buhariu 2387.
[3] Buhariu 5090, Muslimi 1466.
[4] Siç ka ardhur në hadithin që përcjell Xhabiri se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush fejohet me ndonjë grua, nëse ka mundësi të shikojë prej saj në atë gjë që e shtyn të martohet me të, le ta bëjë (le ta shikojë).” Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe të tjerë me zinxhir të mirë. Shiko “Sahihul xhami’” 506, dhe “El irua” 1791.
Dosje: Profeti