Tri porosi nga i Dërguari i Zotit

July 19, 2017

Allahu i Lartësuar i ka dhënë Pejgamberit tonë (paqja e nderimi i Allahut qoftë mbi të) shprehjet më të larta, këshilla gjithëpërfshirëse, fjalët më kuptimplota e më të bukura. Ai i cili ka lidhje të ngushtë me traditën dhe udhëzimin e tij (paqja e nderimi i Allahut qoftë mbi të) është i shpëtuar në këtë botë dhe në botën tjetër.

Këtu do të ndalemi me një këshillë të shkurtër dhe madhështore prej këshillave të pejgamberit tonë fisnik (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të), këshillë e cila përfshin të gjithë mirësinë në mënyrën më të plotë.

Imam Ahmedi në Musnedin e tij, Ibn Maxhe në Sunenin e tij dhe të tjerë, transmetojnë nga hadithi i Ebu Ejub el-Ensari (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): “Një person erdhi tek Pejgamberi (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) dhe i tha: Më këshillo porse sa më shkurt.” Në një transmetim tjetër thuhet: “Më mëso porse sa më shkurt. Profeti i tha (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të): Kur të ngrihesh për namaz falu sikur të jetë namazi yt i fundit. Mos thuaj ndonjë gjë për të cilën të bën të kërkosh ndjesë prej saj nesër. Shkëpute shpresën prej asaj që njerëzit posedojnë.” [Imam Ahmedi (23498), Ibn Maxhe (4171). Shiko ‘Silsiletu Sahiha’ (401)]. Ky hadith është në gradën hasen (i mirë) sepse posedon edhe transmetime të tjera që dëshmojnë për të.

Ky hadith madhështor ka përmbledhur tri porosi madhështore të cilat e kanë përfshirë të gjithë mirësinë. Ai i cili i kupton këto porosi dhe punon me to, ai ka arritur të zotërojë të gjitha mirësitë në dynja dhe ahiret.

Porosia e parë: Porosia për përkujdesjen ndaj namazit dhe kryerjen e tij në mënyrën më të mirë.

Porosia e dytë: Porosia për ruajtjen e gjuhës dhe mbrojtjen e saj.

Porosia e tretë: Thirrje për t’u kënaqur me atë që Allahu të ka caktuar edhe nëse është e pakët, dhe se zemra duhet të lidhet vetëm me Allahun.

Në porosinë e parë Pejgamberi (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) bën thirrje që ai i cili ngrihet për të falur namaz, ta fal atë sikur të jetë namazi i lamtumirës. Dihet se ai i cili lë amanetet e fundit të tij zgjedh ato fjalë dhe vepra që nuk i zgjedh kush veç tij, dhe kjo dihet prej udhëtimit të njerëzve dhe zhvendosjeve të tyre. Ai i cili largohet nga një vend duke shpresuar se do të kthehet përsëri në të, nuk është njësoj me atë që largohet nga një vend duke mos pasur shpresë për t’u kthyer në të. Ai i cili lë amanetet zgjedh atë çka nuk e zgjedh dikush tjetër. Kështu edhe njeriu; nëse ai e fal namazin sikur të jetë namazi i fundit i tij atëherë do të mundohet ta përkryej atë, do ta perfeksionoi rukunë dhe sexhden, obligimet e namazit dhe gjërat e pëlqyera në të.

Ndaj duhet që çdokush ta ketë para syve këtë porosi në çdo namaz që fal, që ta falë si namazin e lamtumirës e të ndiej në të sikur të jetë namazi i fundit i tij dhe sikur nuk do ketë mundësi të falë namaz tjetër pas tij. Nëse njeriu e ndien këtë në namazin e tij atëherë kjo ndjenjë do ta bëjë atë që ta perfeksionojë kryerjen e tij në mënyrën më të plotë.

Ai i cili e fal namazin në mënyrën më të mirë, atëherë ai namaz e shpie në çdo mirësi dhe e ndalon nga çdo e keqe dhe gjë e ulët. Zemra e tij ndërtohet me besim e kështu ai shijon shijen e besimit dhe ëmbëlsinë e tij. E kështu namazi i bëhet gjëja më e dashur për të, qetësim, përkrahje dhe lumturi.

Porosia e dytë ishte porosia për ruajtjen e gjuhës dhe se gjuha është gjëja më e rrezikshme për njeriun. Nëse fjala është akoma pa dalë nga gjuha e tij atëherë njeriu e posedon atë, e nëse ajo del nga gjuha atëherë ajo e posedon njeriun dhe duhet të mbartë pasojat e saj. Ndaj pejgamberi -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- tha: “Mos fol diçka për të cilën do kërkosh falje për të nesër.” Kjo do të thotë: Mundohu ta ndalosh gjuhën nga çdo fjalë e cila të bën të kesh frikë që të nesërmen do kërkosh ndjesë për të, si dhe nga çdo fjalë që do të të kërkojë ty të kërkosh ndjesë për të. Nëse nuk flet atëherë ti e zotëron atë fjalë, e nëse e thua atëherë ajo të zotëron ty me atë çka the.

Në porosinë që Pejgamberi -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- i drejtohet Muadhit -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- tha: “A dëshiron të të tregoj diçka që i zotëron të gjitha këto? Ai i tha: Po, o pejgamber i Allahut! Pejgamberi kapi gjuhën e tij dhe tha: Përmbaje këtë. Ai i tha: O pejgamber i Allahut! A me të vërtetë do të merremi në llogari për atë çka flasim? Ai i tha: Mos të pastë nëna o Muadh! Po a nuk hidhen njerëzit në zjarr me fytyrat e tyre vetëm se si pasojë e asaj çka korrin gjuhët e tyre?” [Transmeton imam Ahmedi (22016) dhe Tirmidhiu (2616), dhe e ka saktësuar shejh Albani në “Xhamiu Sagir” (5136).]

Gjuha përbën një rrezikshmëri të madhe. Në hadithin e Thabitit -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- thuhet se pejgamberi -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Kur gdhihet biri i Ademit të gjitha gjymtyrët e trupit i drejtohen gjuhës dhe i thonë: Kije frikë Allahun sepse ne jemi në varësinë tënde. Nëse tregohesh e qëndrueshme edhe ne jemi të qëndrueshëm, e nëse ti devijon edhe ne devijojmë.” [Transmeton imam Ahmedi (11908) dhe Tirmidhi (2407) nga hadithi i Ebu Seid el Hudri -Allahu qoftë i kënaqur prej tij-, dhe e ka konsideruar hadithin hasen shejh Albani në “Xhami es Sagir” (351).]

Fjala e pejgamberit -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- në këtë porosi gjithëpërfshirëse: “Mos thuaj ndonjë fjalë për të cilën do kërkosh ndjesë për të nesër”, ka thirrje që të marrim në llogari veten në atë çka flet. Kjo në mënyrë që të mendojë para se të flasë, nëse e shikon që ka dobi e folura atëherë flet, e nëse e shikon se e folura përmban dëm atëherë e përmban veten. E nëse ajo që do flasë është e dyshimtë për të dhe nuk e di a është e keqe apo e mirë, atëherë le të hesht në mënyrë që të ruhet nga të dyshimtat deri sa t’i qartësohet çështja. Ndaj dhe pejgamberi -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- për këtë ka thënë: “Ai i cili beson në Allahun dhe në ditën e gjykimit, le të flasë mirë ose le të heshtë.” [Transmeton Buhariu (6018) dhe Muslimi (47) nga hadithi i Ebu Hurejrës -Allahu qoftë i kënaqur prej tij-.]

Shumë prej njerëzve e ngatërrojnë veten në disa ngatërresa të mëdha me një fjalë që e thonë me gjuhën e tyre duke mos i kushtuar rëndësi, porse pasojat e saj janë të mundimshme në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër ka përfundime jo të mira. I mençuri prej njerëzve është ai i cili i peshon fjalët e tij dhe e ruan gjuhën e tij, dhe nuk flet vetëm se siç ka thënë pejgamberi ynë -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- me fjalë për të cilat nuk ka pse të kërkojë ndjesë.

Fjala e pejgamberit -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-: “… me fjalë që e bën të kërkojë ndjesë të nesërmen” kihet për qëllim kur të dalë përpara Allahut, ose të kërkojë ndjesë nesër tek njerëzit kur të kërkojnë pasojat e fjalës tënde.

Nëse do marrim kuptimin e parë atëherë kjo ka lidhje të fortë me namazin, sepse me çfarë arsye do të kërkojë ndjesë ai i cili e ka lënë namazin duke qenë se ai do të jetë vepra e parë për të cilën do të pyetet dhe llogaritet.

Porosia e tretë përmban thirrje për t’u kënaqur me atë që të është caktuar edhe nëse është e pakët, si dhe të lidhësh zemrën me Allahun e vetëm e të shkëputësh çdo shpresë nga ajo që posedojnë njerëzit. Ai tha: “… shkëput çdo shpresë nga ajo që njerëzit posedojnë”. Kjo do të thotë; të bindësh zemrën tënde dhe ta përgatitësh atë që të shkëpusë çdo shpresë nga ajo që njerëzit posedojnë. Mos shpreso nga ata porse të jetë shpresa jote e gjitha vetëm tek Allahu i vetëm. Ashtu si ti me gjuhën tënde nuk i kërkon vetëm se Allahut dhe nuk i lutesh vetëm se Atij, ashtu duhet edhe me gjuhën e zemrës mos të shpresosh vetëm se prej Allahut, të largosh çdo shpresë prej të tjerëve e vetëm prej Tij jo. Kështu largon dhe shkëput çdo shpresë prej njerëzve dhe shpresa jote mbetet vetëm për Allahun e vetëm. Namazi është urë lidhëse mes teje dhe Zotit tënd, ku në namaz do të gjesh ndihmën më të madhe për të arritur atë çka dëshiron.

Ai i cili largon shpresat prej asaj që njerëzit posedojnë atëherë ai e jeton jetën i nderuar dhe krenar, e ai i cili e ka zemrën të lidhur me atë çka njerëzit posedojnë do ta jetojë jetën i përçmuar dhe i nënshtruar. Ai i cili e ka zemrën të lidhur me Allahun duke mos shpresuar vetëm se prej Tij, nuk e kërkon atë që i nevojitet vetëm se prej Tij, nuk mbështetet vetëm se tek Allahu, atëherë Allahu do t’i mjaftojë në jetën e kësaj bote dhe në botës tjetër.

Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk i mjafton Allahu robit të Tij?” [Zumer: 36]

Gjithashtu thotë: “Ai i cili i mbështetet Allahut, Allahu do t’i mjaftojë atij.” [Talak: 3]

Suksesi është vetëm në dorën e Allahut të vetëm dhe pa ortak!

 

Shkroi: AbduRrazak AbdulMuhsin el Bedër

Loading...