U ankua për imamin dhe i erdhi një përgjigje plotë me perla të diturisë.

October 27, 2016

Pyetësi: Ju ankohem për gjatësinë e namazit të imamit që na fali sabahun pak më parë… ai namaz duket si namazi i taravive (i gjatë).

Shejkh Mesh’hur Hasen: Ato sure që lexoi vëllai ynë Ebu Ahmedi (imami), janë ato sure që ka lexuar Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Ai lexonte në rekatin e parë suren ‘es Sexhdeh’ dhe në të dytin suren ‘el Insan’. Dhe ky është një veprim i saktë i vërtetuar prej Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem. Dhe shumë prej imamllarëve të Qabes i lexojnë këto dy sure, sidomos jashtë sezonit të haxhit. Kjo është gjatësia e namazit të sabahut. Kështu duhet të jetë namazi i sabahut. (sidomos ditën e xhuma).

Por unë ju ftoj të gjithëve, dhe ju vë në betim Allahun që të zhvisheni nga çdo ndikim tjetër dhe të thoni të vërtetën, dhe t’i lini zakonet e trashëguara. Ju betohem për Allahun, kur Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – tha për namazin: “nëse ai është në rregull të gjitha punët e tjera do të jenë në rregull, e nëse ai është i çrregullt edhe punët e tjera do të jenë të çrregullta”, i logjikshmi, a nuk kupton prej këtij hadithi se në namazin tonë ka mangësi? I logjikshmi e kupton se në namazin tonë ka mangësi. Namazliu është bërë njësoj si ai që s’falet. Shumë prej namazlive përdorin kreditë bankare (kamatën)… dhe probleme të tjera që i kanë njerëzit… e gjithë puna e tij nuk është në rregull. Kur puna jote nuk është e rregullt, çfarë do të thotë kjo? E kupton çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që në namazin tënd ka mangësi.

Ka ardhur hadith i saktë te Nesai se një grua e sollën te Profeti – sal lall llahu alejhu ue sel lem –  dhe i thanë: O i Dërguari i Allahut kjo ka vjedhur! – Atëherë i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) tha : Lëshojeni sepse namazi i saj do ta pengojë atë (prej vjedhjes).” Kjo sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë namazi të ndalon nga veprat e turpshme dhe të këqija” Nëse falemi dhe nuk i japim fund veprave të turpshme dhe të këqija, ka diçka që s’shkon. Çfarë nuk shkon? Mazallah, (kurrsesi) nuk mund të jetë mangësia te fjalët e Allahut! Atëherë ku është problemi? Te namazi ynë! Ka mangësi në namazin tonë.

Prandaj imam Ibnul Kajjim thotë – memorizoje këtë fjalë: “Fal një namaz që i ka hije Zotit tënd (ashtu siç e meriton Ai t’i falesh), përndryshe merr një zot që i përshtatet namazit tënd”. Allahu i Madhëruar, me Madhështinë e Tij dëshiron prej nesh që kur t’i drejtohemi, t’i drejtohemi me zemrën dhe me gjithë qenien tonë. Duke qenë të përqëndruar. (Prandaj Allahu përmend në Kuran këtë lutje të bukur dhe të rëndësishme) : “Zoti im ma lehtëso, ma bëj të mundur (duke m’i mbledhur mendimet dhe duke më bërë të jem i përqëndruar jo i hallakatur) që të të falënderoj për mirësitë që më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira që Ti i pëlqen”

Njerëzit janë të hallakatur! Të paktë janë ata që hedhin çdo gjë pas shpine kur falen. Prandaj ai që falet duke qenë akoma i angazhuar (me dynjanë), atij i duket namazi i gjatë. Por ky është etaloni i namazit të Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Saktësohet prej tij se lexonte ato sure që dëgjuam. Dhe ky është falënderim për Allahun e Madhëruar në Lartësi. “Namazi më i dashur tek Allahu është namazi i sabahut ditën e xhuma” (Hadith i vërtetë, e saktëson shejkh Albani) Ky është namazi më i dashur tek Allahu i Lartmadhëruar, namazi i sabahut ditën e xhuma, më i dashur edhe se namazi i xhumasë! Prandaj e falënderojmë shumë Allahun për këtë namaz që e falëm. U falëm dhe u kënaqëm me atë që dëgjuam. Sepse Zoti ynë në këto dy sure na tregon se nga kemi ardhur dhe, ku po shkojmë. Përgjigja e këtyre pyetjeve nuk gjendet askund tjetër. Nuk gjendet në asnjë fe tjetër, as te filozofët, as te mendimtarët, askund tjetër. Allahu i Lartmadhëruar na tregon në suren e parë (es Sexhdeh) se nga kemi  ardhur dhe në suren e dytë (el Insan) na bën të qartë se ku jemi drejtuar. Dhe Allahu i Madhëruar ka ligjëruar në fenë e Tij gjëra që i bëjnë njerëzit gjithmonë të kujtohen. Çdo ditë të xhuma ti kujtohesh: Në ditën e xhuma Allahu i krijoi krijesat dhe, ditën e xhuma Allahu i Lartmadhëruar e nxorri Ademin prej Xhennetit.

Shumë kam menduar: Si ka mundësi që dita e xhuma është dita më me vlerë (e javës) dhe në atë ditë Allahu e nxorri Ademin prej Xhennetit!? Dijetarët tanë kur e sqarojnë këtë thonë: Për shkak të pozitës së madhe që gëzon dita e xhuma tek Allahu, kur në të ndodhi gjynahu, ishte shpërblimi i Ademit nxjerrja prej Xhennetit. Dmth po të ndodhte gjynahu në një ditë tjetër veç të xhumasë ndoshta ai nuk do të nxirrej prej Xhennetit. (Por për shkak se u shkel vlera, dhe pozita e asaj dite, i erdhi shpërblimi duke u nxjerrë prej Xhennetit, brenda asaj dite, menjëherë). Kjo tregon vlerën e ditës së xhuma. Prandaj ditën e xhuma nuk duhet të ketë shkujdesje, e as gjynah. Ditën e xhuma zemra duhet të jetë e vëmendshme, syçelët, që nga fillimi i ditës, deri në fundin e saj. Dhe pastaj në fund të ditës (para perëndimit të diellit) vjen shpërblimi: ngre duart lutesh dhe lutja jote pranohet! Allahu të përgjigjet. Nëse puntori punon dhe përpiqet fort, ai ka nevojë për shpërblim! Prandaj prej bujarisë së madhe të Zotit është se në ditën e xhuma, dhurimi i Tij nuk rezervohet (për në një kohë tjetër), dhuratat e Tij jepen po atë ditë! Prandaj në ditën e xhuma është çasti që pranohen duatë.

Prandaj përgëzohu! Falënderojmë Allahun që e nisëm ditën me këtë namaz të gjatë dhe pak të rëndë për nefsin. Elhamdu lilah. Ndoshta qëndrojmë po me këtë zell deri në fund të ditës. Sikur ta provoje herë pas herë ta shfrytëzoje kështu ditën e xhuma (dhe të angazhoheshe në të me llërët përveshur), pasha Allahun ky është projekt madhështor (fitimprurës)! Me të vërtetë projekt madhështor! Dhe e falënderojmë Allahun e Lartësuar që na ka veçuar (me mirësitë e Tij), për shkak të dashurisë së Tij për Profetin tonë – sal lall llahu alejhi ue sel lem – dhe për ummetin e Profetit tonë – sal lall llahu alejhi ue sel lem. Dhe e lus Allahun e Lartmadhëruar që të na bëjë ne prej ummetit të vërtetë të Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – dhe jo prej ummetit të shkumës.

[Sh.p.: Këtu shejkhu – Allahu e ruajtë – aludon për hadithin ku thotë Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem: “Gati sa nuk janë mbledhur popujt e ta thërrasin njëri-tjetrin kundër jush, ashtu siç e thërrasin (e ftojnë) njëri-tjetrin ngrënësit rreth sofrës së ushqimit (ejani të hamë)! – i thanë – Kjo do të ndodhë për shkak se atëbotë do të jemi pak o i Dërguari i Allahut? – tha: Jo, ju do të jeni shumë, por si shkuma e përrenjve” (shumë e për lumë)!..]

Shumë prej ummetit të Muhammedit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – sot – përveç atyre që i ka mëshiruar Allahu – janë ummet i shkumës (pa dobi, të dobët në fe)! Allahu na bëftë prej ummetit të vërtetë të Muhammedit – sal lall llahu alejhi ue sel lem! Në këtë ditë duhet të lodhesh pak. Me këtë ditë Allahu e ka posaçëruar këtë ummet. Popujt para nesh e humbën ditën e xhuma. Prandja kjo është një ditë e madhe. Largohu nga shkujdesja, largohu nga gjynahet. Largohu nga përtacia. Sëmundja e arabëve sot është përtacia, madje sëmundja e njerëve është përtacia. Përpiqu dhe mundohu në këtë, ndoshta Allahu i Lartësuar të nderon ty në fund të ditës, ashtu siç të nderoi me këtë namaz (sabahun në fillim të saj). Ndoshta do të nderohesh në fund të kësaj dite me shpërblimin, që është: përgjigja e lutjeve të tua.

Shejkh Mesh’hur Hasen, Allahu e ruajtë.

Loading...