Veçoria e shtatë: Shami është vendi i grumbullimit në dynja dhe në ahiret

November 2, 2021

Veçoria e shtatë: Shami është vendi i grumbullimit në dynja dhe në ahiret.

Allahu i Madhëruar e ka bërë Shamin vendin e grumbullimit të njerëzve në përfundimin e kësaj bote, dhe vendin e grumbullimit të tyre për fillimin e botës tjetër. Jemi njoftuar në Kuran se Meka është nëna e fshatrave, ku thuhet:

وَكَذَلِكَ أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ قُرْآنًا عَرَبِيًّا لِتُنْذِرَ أُمَّ الْقُرَى وَمَنْ حَوْلَهَا

“Kështu Ne të shpallëm ty Kuranin në gjuhën arabe, që të paralajmërosh nënën e fshatrave (Meken) dhe ato rreth saj.” Suretu Esh-Shura: 7.

Të gjithë komentuesit e Kuranit thonë se emërtimi ‘Nëna e Fshatrave’ është për Mekën e bekuar. Ndërsa në lidhje me shkakun se pse ajo është quajtur ashtu, disa prej sahabëve si Abdullah bin Amr bin El-As dhe Ibn Abasi -radiallahu anhuma- dhe po ashtu disa tabi’inë si: Kab El-Ahbar, Muxhahidi, Katade, Ibn Sabit etj. (Allahu i mëshiroftë), mendojnë se ka lidhje me krijimin e parë. Ata thonë: “Nga poshtë Qabes është formuar Toka”[1], gjë që nënkupton se Meka për shkak të kësaj ngjarjeje është nëna e vendeve të tjera të Tokës, përfshi këtu edhe Shamin.

Sipas këtij interpretimi janë shprehur edhe dijetarë të tjerë pas tyre, si Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- i cili citon: “Në Sham është grumbullimi dhe rikthimi siç është Meka vendi i fillimit. Meka quhet ‘Nëna e Fshatrave’ sepse poshtë saj është formuar Toka. Ndërsa Shami është vendi i grumbullimit siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Allahu është Ai i Cili i dëboi ata që mohuan prej Ehli Kitabit prej shtëpive të tyre (në drejtim të Shamit) për grumbullimin e parë.” (Suretu El-Hashr: 1) Duke lënë të kuptohet se ka edhe një grumbullim të dytë. Pra, Meka është fillimi i krijimit ndërsa Shami është kthimi i krijimit.”[2]

Fillimi i botës është Meka dhe çdo vend tjetër është pas saj, ndërsa vendi ku do të marrë fund kjo botë dhe prej tij të fillojë bota tjetër është Shami, siç ka ardhur në hadith nga profeti Muhamed -alejhi selam.

Hadithi i Profetit -alejhi selam- për Shamin.

Ebu Dherri -radiallahu anhu- tregon se i Dërguari i Allahut -alejhi selam- ka thënë:

“Shami është vendi i grumbullimit dhe i ringjalljes.” E transmeton Bezzari, Tahauiu dhe Bejhakiu, dhe e saktëson sheih Albani.

Fjala e Profetit -alejhi selam- për Shamin [vendi i grumbullimit] d.m.th. vendi i grumbullimit të njerëzve para orës së fundit të dynjasë, siç sqarojnë shumë prej dijetarëve si: El-Khattabij, El-Kadij Ijad, El-Kurtubij etj.[3]

Cilësimi i Shamit me këtë cilësi sipas komentuesit të njohur të haditheve profetike Ibn Rexheb El-Hanbelij -Allahu e mëshiroftë-, përfshin tre lloje grumbullimesh.[4]

I pari: Grumbullimi i besimtarëve drejt Shamit me dëshirën e tyre.

Ky lloj grumbullimi sipas Ibn Rexhebit ka nisur herët që në kohën e sahabëve, të cilët shkuan atje për çlirimin e tij dhe për t’a mbrojtur atë. Këtu futet gjithashtu çdo besimtar që mbërrin në atë vend me dëshirën e tij deri në fund të dynjasë, me qëllim banimin për shkak se feja e Allahut atje është më e dukshme se në vendet e tjera.

I dyti: Grumbullimi  i besimtarëve drejt Shamit nga frika e sprovave në vendet e tyre.

Këtij lloj grumbullimi i përket çdo shpërngulje e besimtarëve në drejtim të Shamit për shkak të sprovave që hasin në vendet ku banojnë, si shpërngulja e shumë prej banorëve të Irakut për në Sham për shkak të sulmeve të Mongolëve në vitin 656 sipas hixhretit.

I treti: Grumbullimi i detyruar i mohuesve në drejtim të Shamit.

Këtij lloj grumbullimi i përket një grumbullim i ehli kitabit i përmendur në suren El-Hashr, i cili ka ndodhur në kohën e Profetit -alejhi selam. Dhe çdo grumbullim tjetër i mohuesve deri tek ai i fundit i cili do të jetë fare pranë Kiametit për shkak të një zjarri që i detyron njerëzit të shkojnë drejt Shamit.

Për këtë të fundit Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Shenja e parë e orës së fundit të dynjasë është një zjarr që i grumbullon njerëzit nga Lindja për në Perëndim (për në Sham, sepse ai është në Perëndim të Medines).” E transmeton Buhariu.

Fjala e tij [Shenja e parë] do të thotë ajo e cila është ngjitur me Kiametin.

Kjo shenjë është përmendur edhe në një hadith tjetër të Profetit -alejhi selam- dhe është quajtur e fundit, sepse disa shenja do të jenë para saj si; Mehdiu, Isai, Dexhali, Jexhuxhët dhe Maxhuxhët etj.[5] Sipas Ibn Rexhebit është pas fryrjes së erës së butë për të marrë shpirtrat e besimtarëve, ndërsa për vetë ngjarjen e Kiametit është e para sepse Kiameti vjen ngjitur me të.

Ky zjarr sipas përshkrimeve të përmendura në hadithe, ka për t’u shfaqur në Jemen dhe do të përhapet në tokë për të mbledhur çdo mohues të mbetur në tokë për në Sham. Profeti -alejhi selam- duke përmendur ngjarjet e kohës së fundit në lidhje me këtë zjarr, thotë: “Zjarri del nga skaji i Adenit (vend në Jemen) dhe i drejton njerëzit për në vendin e grumbullimit. Ai qëndron me ta kur qëndrojnë dhe pushon me ta kur ata pushojnë.”

E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson sheih Albani. Ky zjarr i shoqëron njerëzit e kohës së fundit kudo që janë duke mos u lënë atyre rrugë tjetër veç rrugës për në Sham.

Shami është quajtur ‘Vendi i Grumbullimit’ sepse atje do të grumbullohen krijesat e Allahut për orën e fundit të dynjasë, me qëllim që fundi i tyre të jetë në këtë vend.

Ndërsa fjala e Profetit -alejhi selam- për Shamin [vendi i ringjalljes] d.m.th. vendi ku do të mblidhen krijesat për Ditën e Llogarisë pas ringjalljes së tyre, siç sqaron El-Hafidh Es-Sekhauij -Allahu e mëshiroftë- i cili thotë: “Vendi i ringjalljes është toka e pastruar e Shamit. Allahu i Madhëruar i grumbullon të vdekurit në këtë vend ditën e Kiametit.”[6]

Në Kuran, kur përmendet fillimi i botës tjetër, thuhet:

وَنُفِخَ فِي الصُّورِ فَإِذَا هُمْ مِنَ الْأَجْدَاثِ إِلَى رَبِّهِمْ يَنْسِلُونَ

I fryhet Surit dhe ata (njerëzit) menjëherë dalin nga varret dhe shpejtojnë për te Zotit i tyre.” Suretu Jasin: 51.

Sipas përshkrimit të përmendur ringjallja e njerëzve bëhet nga varret e tyre, dhe ata pas ringjalljes shpejtojnë për te Zoti i tyre. Kjo lëvizje e njerëzve në atë ditë pas ringjalljes është grumbullimi në një vend për të qëndruar para Zotit, siç thuhet në Kuran:

وَحَشَرْنَاهُمْ فَلَمْ نُغَادِرْ مِنْهُمْ أَحَدًا * وَعُرِضُوا عَلَى رَبِّكَ صَفًّا لَقَدْ جِئْتُمُونَا كَمَا خَلَقْنَاكُمْ أَوَّلَ مَرَّةٍ

“Ne atë ditë i grumbullojmë ata pa lënë asnjë prej tyre, dhe ata paraqiten para Zotit tënd në rreshta. Ja, na erdhët siç u krijuam herën e parë.” Suretu El-Kehf: 47-48.

Ky grumbullim i njerëzve për t’u paraqitur te Zoti është për llogarinë që do t’ju bëhet atyre, dhe kjo sipas hadithit do të jetë mbi tokën e Shamit. Kështu janë komentuar edhe disa ajete të sures En-Naziat të cilat gjithashtu flasin rreth ringjalljes, ku thuhet:

فَإِنَّمَا هِيَ زَجْرَةٌ وَاحِدَةٌ * فَإِذَا هُمْ بِالسَّاهِرَةِ

“Ai është vetëm një urdhër (fryrja e Surit) dhe ata menjëherë do të jenë mbi faqe të Tokës.” Suretu En-Naziat: 13-14.

Uehb bin Munebih në lidhje me fjalën [mbi faqe të Tokës], thotë: Ajo është një kodër përbri Bejtul-Makdis. Ndërsa Sufjan Eth-Theurij -Allahu e mëshiroftë- thotë: Ajo është toka e Shamit.[7]

Pra, stacioni i parë i njerëzve në Ahiret është sërish grumbullimi i tyre në Sham për llogari, duke mos harruar se edhe në Ahiret ka më shumë se një grumbullim siç duket nga përdorimi i kësaj fjale në Kuran. Imam Kurtubiu -Allahu e mëshiroftë- sqaron: Grumbullimet e Ahiretit janë dy; një për qëndrimin para Zotit siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Ne atë ditë i grumbullojmë pa lënë asnjë prej tyre.” Suretu El-Kehf:47.  Dhe një për në Xhenet apo për në Xhehenem, siç thotë Allahu i Madhëruar:Ne atë ditë i grumbullojmë të devotshmit për te Mëshiruesi si të deleguar.” Suretu Merjem:85.[8]

Së fundmi një pyetje mund të shtrohet rreth kësaj çështjeje: Është përmendur në Kuran se toka ditën e Ringjalljes do të jetë tjetër nga kjo që është sot, si në ajetin:

يَوْمَ تُبَدَّلُ الْأَرْضُ غَيْرَ الْأَرْضِ وَالسَّمَاوَاتُ وَبَرَزُوا لِلَّهِ الْوَاحِدِ الْقَهَّارِ

“Ditën kur toka ndërrohet në një tokë tjetër, dhe po ashtu edhe qiejt. Ata dalin para Allahut i Cili është Një dhe Sundimtar i Madh.Suretu Ibrahim: 48.

Atëherë, si mund të thuhet se ata do të jenë në Sham?

Përgjigja është se Profeti -alejhi selam- është pyetur njëherë: Ku do të jenë njerëzit kur toka të ndërrohet në një tokë tjetër dhe po ashtu edhe qiejt? Ai është përgjigjur: “Ata do të jenë mbi Sirat.” E transmeton Muslimi.

Përgjigja se njerëzit kur të ndërrohet Toka do të jenë mbi Sirat do të thotë se ndërrimi i tokës do të jetë pas llogarisë, sepse kalimi mbi Sirat është pas llogarisë dhe për rrjedhojë ajo çfarë përmendet për Shamin nuk bie ndesh me ndërrimin e tokës. Allahu e di më së miri!

Pse është zgjedhur Shami për të qenë vendi i grumbullimit dhe i ringjalljes?

S’ka dyshim se një zgjedhje e tillë ka brenda saj një urtësi, sepse Zoti ynë është i Urtë dhe veprimet e Tij përmbajnë urtësi. Një prej komentuesve të haditheve El-Menauij (dijetar nga Egjipti i cili ka vdekur në vitin 1031 H -Allahu e mëshiroftë-) në lidhje me urtësinë e saj, thotë:

I është dhënë kjo veçori Shamit sepse Allahu i Madhëruar për të ka thënë: “E bekuam atë për mbarë botën.” Dhe se shumica e profetëve janë dërguar te ky vend dhe prej tij janë shpërndarë udhëzimet e Allahut në të gjithë botën, prandaj dhe asaj i përshtatet të jetë toka e grumbullimit dhe toka e ringjalljes.[9]

 

Shkroi Dr. Abdullah Nabolli

—————————————

[1] Shih librin ‘Tefsir Et-Taberi’: 1/448, 3/60, 3/63, 11/531, 24/208.

[2] Shih fjalët e autorit në librin me titull ‘Mexhmu El-Fetaua’: 27/507.

[3] Shih libin ‘Leuami El-Enuar El-Behijje’: 2/155.

[4] Shih librin e autorit me titull ‘Fadail Esh-Sham’: 226-236.

[5] Shih hadithin: “Nuk ka për të ardhur ora e fundit derisa para saj të shihni dhjetë shenja; tymi, Dexhali, kafsha, lindja e diellit nga Perëndimi, zbritja e Isait -alejhi selam-, Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, tre fundosje të tokës (një fundosje në Lindje, një në Perëndim dhe një në Gadishullin Arabik). Dhe e fundit prej tyre është një zjarr që del nga Jemeni, i cili i drejton njerëzit për në vendin e grumbullimin të tyre.” E transmeton Muslimi.

[6] Shih librin e autorit me titull ‘El-Kanaah…bi Eshrat Es-Saah’: 1/65.

[7] Shih librin ‘Tefsijr Et-Taberij’: 24/199.

[8] Shih librin e autorit me titull ‘Et-Tedhkira’: 520.

[9] Shih librin e autorit me titull ‘Fejd El-Kadir’: 4/171.

Loading...