Nga moralet më të rëndësishme me të cilat duhet të pajiset nxënësi i dijes, është verifikimi i lajmeve që transmetohen dhe sigurimi për gjykimet që nxirren. Detyrimisht kërkohet që lajmet të cilat përcillen fillimisht të verifikohen: Vallë janë thënë nga personi të cilit i atribuohen? Nëse janë thënë prej tij sigurohu mirë për gjykimin, sepse ai lajm që mund të kesh dëgjuar mund të jetë i bazuar në ndonjë parim të cilin ti nuk e di ndaj dhe e gjykon si gabim, mirëpo në të vërtetë nuk është gabim.
Cila është rruga që duhet të ndiqet në këtë rast?
Rruga është që të kontaktosh me personin të cilit i atribuohet lajmi dhe t`i thuash: Percillet se ke thënë kështu e ashtu, a është e vërtetë? Më pas e diskuton me të, sepse qortimi yt paraprak apo mospëlqimi yt mund të vijë si shkak i mosnjohjes tënde rreth motivit të atij lajmi që përcillet, sic thotë një proverbë: “Kur njihet shkaku s`ngelet më habi.” Pra fillimisht duhet verifikuar lajmi dhe të sigurohemi për gjykimin. Më pas kontakton me personin dhe e pyet nëse është e vërtetë ajo që thuhet në lidhje me të. Më pas e diskuton me të dhe ose do jetë e vërteta me të dhe ti bindesh për fjalën e tij, ose ti arrin ta bindësh për gabimin e tij dhe ai kthehet tek e vërteta që i tregove.
Gjithashtu, themi se verifikimi është gjë e rëndësishme duke u nisur nga fakti se nganjëherë përcjellësit e lajmeve mund të kenë qëllime të ndryshme dashakeqe, dhe përcjellin qëllimisht ato lajme që dëmtojnë dhe cënojnë imazhin e personit. Nganjëherë mund të mos kenë qëllime dashakeqe por e keqkuptojnë fjalën në atë mënyrë që thënësi nuk e ka pasur për qëllim, prandaj kërkohet verifikim. Për ta përmbledhur themi: Nëse të arrin ndonjë lajm nga dikush, atëherë ndiq njërën nga këto tre rrugë:
1) Verifikimi në lidhje me saktësinë e lajmit që përcillet.
2) Vlerësimi i gjykimit rreth asaj çështjeje, a është gjykimi i saktë apo jo? Nëse gjykimi është i saktë, e mbështet dhe e mbron atë. Nëse mendon se gjykimi nuk është i saktë, atëherë ndiq rrugën e tretë.
3) Kontaktimi me personin që i atribuohet ajo thënie në mënyrë që të diskutohet me të, por diskutim me qetësi dhe me respekt.
Marrë nga: “Libri i diturisë: fq. 52.
Autor: Muhamed bin Salih el Uthejmin
Përktheu: Shuajb Rexha
Dosje: Besimi
Të Ngjashme
- Prezantim i shkurtër mbi Islamin Udha e Besimtarëve
- Këshilla të vyera në kohë sprovash dhe trazirash Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Mjetet e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Është detyra jonë që t’i ndihmojmë besimtarët Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Cila është metodologjia e grupit të shpëtuar? Shejh Muhamed Xhemil Zejno