101/114 (Sahih) Na ka treguar Ali bin Muhamed nga Uekiu, nga Ebu Muauijeh dhe Abdullah bin Numejr, nga El Eamashi, nga Adij bin Thabit, nga Zirri bin Hubejsh, nga Aliu radijAllahu anhu se ka thënë: “Profeti që nuk shkruante e as nuk lexonte më la testament: Mua nuk më do veçse besimtari dhe nuk më urren veçse munafiku (hipokriti).”[1]
102/115 (Sahih) Na ka treguar Muhamed bin Beshar nga Muhamed bin Xhafer, nga Shubeh, nga Sad bin Ibrahim se ka thënë: E kam dëgjuar Ibrahim bin Sad bin Ebi Uekas të tregojë nga babai i tij dhe ai nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se i ka thënë Aliut: “A nuk dëshiron të jesh për mua ashtu siç ishte Haruni për Musain?”[2]
103/116 (Sahih ligajrihi)[3] Na ka treguar Ali bin Muhamed nga Ebu el Husejn, nga Hamad bin Seleme, nga Ali bin Zejd bin Xhudan, nga Adij bin Thabit, nga Bera bin Azib radijAllahu anhu se ka thënë: U kthyem me të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nga haxhi që kreu, dhe ndaloi në një rrugë dhe urdhëroi të mblidheshin njerëzit për faljen e namazit. Ai e kapi Aliun nga dora dhe i tha: “A nuk jam unë më i afërti për besimtarët se sa vet vetja e tyre? Thanë: Sigurisht që po. Tha: A nuk jam më i afërti për besimtarin se sa vet vetja e tij? Thanë: Sigurisht që po. Tha: Ky (Aliu) është miku (i dashuri) i atyre që më kanë mua të dashur. O Allah, duaje atë që e do atë (Aliun)! O Allah, armiqësoje atë që e armiqëson atë (Aliun)!”[4]
104/117 (Hasen ligajrihi)[5] Na ka treguar Uthman bin Ebi Shejbeh nga Uekiu, nga Ibën Ebi Lejla se ka thënë: Ebu Lejla qëndronte natën vonë me Aliun dhe ai rrobat e verës i vishte në dimër ndërsa rrobat e dimrit i vishte në verë. I thamë: Sikur ta pyesje atë. Tha: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem më kërkoi, ndërsa unë kisha dhimbje tek sytë ditën e Hajberit. I thashë: O i Dërguar i Allahut, mua më dhembin sytë. Kështu Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pështyu tek sytë e mi dhe tha: O Allah! Largoje prej tij nxehtësinë dhe të ftohtin! Tha: Që nga ajo ditë unë nuk kam ndier kurrë nxehtësi dhe as të ftohtë.” Dhe tha: “Do dërgoj dikë që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij ndërsa atë e do Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe ai nuk zbrapset nga beteja.” Njerëzit filluan të shihnin, ndërsa ai dërgoi Aliun dhe ia dha atij flamurin.[6]
105/118 (Sahih ligajrihi)[7] Na ka treguar Muhamed bin Musa el Uasitij nga El Mual-la bin Abdurrahman, nga Ibën Ebi Dhi’b, nga Nafiu, nga Ibën Umeri radijAllahu anhuma se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Haseni dhe Husejni janë dy zotërinjtë e djelmoshave të banorëve të xhenetit, ndërsa babai i tyre (Aliu) është më i mirë se të dy ata.”[8]
106/119 (Hasen ligajrihi)[9] Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh, nga Suejd bin Seid dhe Ismail bin Musa, nga Sheriku, nga Ibën Is’haku, nga Hubshij bin Xhinadeh se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Aliu është prej meje dhe unë jam prej (pjesë e) tij. Askush nuk e kryen diçka si dua unë përveç Aliut.”[10]
107/121 (Sahih) Na ka treguar Ali bin Muhamed nga Ebu Muauijeh, nga Musa bin Muslim, nga Ibën Sabit (ai është Abdurrahmani), nga Sad bin Ebi Uekas radijAllahu anhu se ka thënë: Muauijeh erdhi në një nga haxhet e tij dhe tek ai hyri Sadi. E përkujtuan Aliun ndërsa ai (Muauijeh) nuk foli mirë për të. Sadi u zemërua dhe tha: Flet kështu për personin ku unë kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Nëse kam dikë për mirë, atëherë Aliu është miku im.” Gjithashtu e kam dëgjuar të thotë: “Ti (o Ali) je për mua ashtu siç ishte Haruni për Musain, vetëm se pas meje nuk ka profet.” Dhe e kam dëgjuar të thotë: “Do t’ia jap flamurin sot atij që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”[11]
Përktheu: Unejs Sheme
—————————————————–
[1] Muslimi 78, Tirmidhiu 3736, Nesaiu 5018, “Es-Sahihah” 1720 dhe “Tuhfeh” 10092.
[2] Buhariu 3706, Muslimi 2404, “Er-Rauda en-Nedir” 277, dhe “Tuhfeh” 3840.
[3] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është sahih.
[4] “Es-Sahihah” 1750 dhe “Tuhfeh” 1797.
[5] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është hasen me dy rrugë të tjera tek “Eusat” i Taberanit.
[6] “Tuhfeh” 10213.
[7] Tek botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është sahih.
[8] “Es-Sahihah” 796 dhe “Tuhfeh” 8434.
[9] Tek botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është hasen.
[10] Tirmidhiu 3719, “El Mishkah” 6083, “Es-Sahihah” 1980, “Dhilalul-Xhenneh” 1189 dhe “Tuhfeh” 3290.
[11] “Es-Sahihah” 1750 dhe “Tuhfeh” 3901.
Dosje: sahabet