Vlerat e muajit Muharrem
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, bekimet dhe paqja qofshin mbi profetin tonë Muhamedin, vulën e Pejgamberëve dhe zotëriun e të Dërguarve, dhe mbi të gjithë familjen dhe shokët e tij!
Muaji i Allahut Muharrem është një muaj i madh dhe i bekuar. Është muaji i parë i vitit hixhri dhe është një nga muajt e shenjtë për të cilët Allahu thotë:
“Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm duke i shkelur këta muaj!” [Teube, 9:36]
Transmetohet nga Ebi Bekrate (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “… Viti është dymbëdhjetë muaj nga të cilët katër janë të shenjtë. Tre muaj vijnë njëri pas tjetrit; Dhul-Ka’deh, Dhul-Hixhe dhe Muharrem, dhe Rexhebi i Mudarit që hyn midis Xhumadës dhe Shabanit. “ Transmeton Buhariu me nr. 2958.
Është quajtur kështu (Muharrem) sepse është muaj i shenjtë (muharrem) ku ndalohet shkelja e tij, si dhe për të theksuar shenjtërinë e tij.
Fjala e Allahut ku thotë: “Prandaj, mos i bëni vetes dëm duke i shkelur këta muaj!” do të thotë (mos i bëni padrejtësi vetes) në këto muaj të shenjtë, sepse të bësh diçka të tillë është mëkat më i madh se ai që kryhet në muajt e tjerë.
Është transmetuar se Ibn Abasi në lidhje me fjalën e Allahut: “Prandaj, mos i bëni vetes dëm duke i shkelur këta muaj!” ka thënë: (Urdhëri për të mos i bërë dëm vetes) Duhet të zbatohet në të gjithë muajt. Allahu i veçoi këto katër muaj, i bëri ata të shenjtë dhe e theksoi shenjtërinë e tyre duke e bërë mëkatin më të rëndë, ndërsa veprave të drejta u dha shpërblimin më të madh.
Katade në lidhje me fjalën e Allahut: “Prandaj, mos i bëni vetes dëm duke i shkelur këta muaj!” ka thënë: Keqbërja gjatë muajve të shenjtë është më e rëndë dhe shkakton barrë më të madhe mëkati sesa në muajt e tjerë. Keqbërja është çështje madhore në çdo rrethanë, por Allahu bën që të rëndojë çfarë të dojë nga urdhërat e Tij .
Gjithashtu ka thënë: Allahu ka zgjedhur elita nga krijesat e Tij; nga engjëjt Ai zgjodhi Lajmëtarët, nga njerëzimi zgjodhi Pejgamberët, nga fjalët zgjodhi përkujtimin e Tij (dhikrin), nga hapësirat e tokës zgjodhi xhamitë, nga mesi i muajve zgjodhi Ramazanin dhe muajt e shenjtë, nga ditët zgjodhi të Premten (të Xhumanë) dhe nga netët zgjodhi Natën e Kadrit. Prandaj, vlerësojeni atë që është zgjedhur nga Allahu sepse njerëzit e mençur e respektojnë atë që është zgjedhur nga Ai. Tefsiri i Ibn Kethirit (Allahu e mëshiroftë), komenti i sures Teube, ajeti 36.
Vlera e agjërimit nafile (vullnetar) gjatë muajit Muharrem.
Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi në muajin e Allahut Muharrem.” Muslimi me nr. 1982.
Fraza “muaji i Allahut (shehru Allah)” është tregues i nderimit që meriton ky muaj sepse i atribuohet Allahut.
El-Karrij ka thënë: Ajo që duket të jetë është se nënkuptohet i gjithë muaji Muharrem.
Por është vërtetuar se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) nuk agjëronte asnjë muaj plotësisht përveç Ramazanit. Pra, ky hadith duhet kuptuar si diçka që inkurajon agjërimin e sa më shumë ditëve të muajit Muharrem, e jo agjërimin e tërë muajit.
Është vërtetuar se Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) agjëronte shumë gjatë muajit Shaban, dhe ndoshta vlera e muajit Muharrem nuk i’u zbulua atij deri në fund të jetës para se të arrinte të agjëronte gjatë në këtë muaj. Sherh en-Neueui ala Sahih Muslim.
Allahu zgjedh çfarë të dojë në kohë dhe vende.
El-Iz ibn Abdis-Selam (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Përzgjedhja e kohëve dhe vendeve është dy llojesh. E para është në aspektin e kësaj bote, dhe e dyta është në aspektin fetar apo shpirtëror për shkak të asaj që Allahu u jep robërve të Tij prej shpërblimit për veprat në ato kohë dhe në ato vende. Siç është përzgjedhja e agjërimit të Ramazanit mbi agjërimin në muajt e tjerë ose në ditën e Ashures. Kjo përzgjedhje vjen për shkak të bujarisë dhe mirësisë së Allahut ndaj robërve të Tij.
Kaua‘id el-Ahkam (1/38)
Përktheu: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Llojet e ajeteve të paqarta (Teshabuh) në Kuranin famëlartë Udha e Besimtarëve
- Shtoje bujarinë në muajin e begatë të Ramazanit! Udha e Besimtarëve
- Kushtoi rëndësi faljes së namazit të teravive! Udha e Besimtarëve
- Lexoje Kuranin, librin e Allahut! Udha e Besimtarëve
- Lutju Allahut që ta arrish muajin e Ramazanit Udha e Besimtarëve