Zhytja në mëkate

February 21, 2023

Dije se mëkatet rëndohen nga disa shkaqe:

  • Nga këmbëngulja dhe vazhdimësia në to.

Andaj thuhet: “Nuk ka mëkat të vogël kur njeriu këmbëngul, dhe nuk ka mëkat të madh kur njeriu kërkon falje.’’

  • Nga përçmimi i mëkatit.

Sa më i madh t’i duket mëkati njeriut aq më i vogël është ai tek Allahu, dhe sa më i vogël t’i duket mëkati njeriut aq më i madh është ai tek Allahu. Ngase kur njeriut i duket i madh mëkati kjo do të thotë se ai e urren atë me zemër, dhe urrejtja bën që mëkati të mos lërë ndikim të madh tek ai. Ndërsa kur mëkati i duket i vogël kjo tregon se njeriut i pëlqen ky mëkat dhe për pasojë ai lë ndikim të madh në zemrën e tij. Zemra është ajo që na kërkohet ta ndriçojmë me vepra të mira dhe na ndalohet ta errësojmë me vepra të këqija. Në një transmetim ceket: ‘’Besimtarit i duket mëkati i tij si një mal që qëndron mbi të dhe trembet se mos i bie sipër. Ndërsa hipokritit mëkati i tij i duket si një mizë që kalon pranë hundës së tij, të cilën ai e tremb dhe ajo fluturon!’’ Transmeton Buhariu.

  • Nga shprehja e gëzimit dhe mburrjes me veprimin e mëkatit.

Duke e konsideruar mundësinë për ta bërë atë si një mirësi dhe duke qenë i pandërgjegjshëm se një gjë e tillë sjell mjerim dhe ndëshkim. Sa më shumë t’i ëmbëlsohet mëkati njeriut aq më i rëndë bëhet ai si mëkat dhe aq më shumë errësohet zemra e tij. Kjo derisa të bëhet prej atyre që mburren dhe krenohen me mëkatet e tyre, dhe thotë: A nuk e pe si e poshtërova filanin? Si e turpërova duke i përmendur të metat? Si e nënçmova?

Ai që merret me tregti thotë: A nuk e pe si ia hodha duke i shitur mall të keq? Si e mashtrova? Si  e bëra të dilte me humbje? Si e bëra të dukej mendjelehtë? Në këtë mënyrë mëkatet rëndohen dhe bëhen shkatërruese për njeriun. Kështu që nëse njeriu bie në mëkat dhe shejtani ia del ta fusë në mëkat, ai duhet të ndihet keq për shkak të ngadhënjimit të armikut ndaj tij dhe për shkak të largimit të tij prej Allahut të Madhëruar. I sëmuri i cili gëzohet për thyerjen e enës në të cilën gjendet ilaçi ngaqë kështu shpëton prej sikletit të pirjes së tij, nuk mund të shpresojë që të shërohet.

  • Nga shpërfillja duke përfituar nga mbulimi, urtësia dhe afatizimi i Allahut ndaj tij (duke mos e dënuar Allahu në momentin e kryerjes së mëkatit).

Ai nuk e di se po i jepet afat me përbuzje që të zhytet më shumë në mëkate, ndërsa ai pandeh se mundësia që i është dhënë për të mëkatuar është mirësi prej Allahut. Kjo ndodh ngase ai ndihet i sigurt nga kurthi i Allahut dhe ngase është i vetëmashtruar. Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’Ata thonë në vetvete: Përse nuk na dënon Allahu për atë që themi?! Atyre u mjafton Xhehenemi, në të do të hidhen, e sa përfundim i keq është ai!’’ |Muxhadeleh: 8|

  • Nga publikimi i mëkatit pas kryerjes së tij ose kryerja e tij në publik.

Ky veprim përbën cënim të mbulesës së Allahut ndaj tij si dhe nxit dëshirën për të mëkatuar tek ata që e shohin apo e dëgjojnë. Këto gjëra i bashkangjiten mëkatit që njeriu bën dhe e rëndojnë atë. Nëse këtyre u bashkangjitet nxitja e të tjerëve dhe përshtatja e kushteve ndaj tyre për të mëkatuar, atëherë ky është një tjetër krim që i shtohet mëkatit dhe e rëndon atë akoma më shumë. Në hadithin profetik thuhet: ‘’I tërë umeti im është i falur përveç atyre që i publikojnë mëkatet e tyre. Ata e kryejnë mëkatin në shtëpinë e tyre e ua mbulon Allahu. Ndërkohë, kur gdhihet ai e heq mbulesën e Allahut dhe ua tregon mëkatin të tjerëve.’’ Buhariu dhe Muslimi.

Kur muslimani mëkaton dhe nuk e publikon mëkatin, Allahu e mbulon atë dhe çështja e tij i përket Allahut të Madhëruar ngase prej cilësive dhe mirësive të Tij është se Ai e nxjerr në pah të mirën dhe e mbulon të keqen. Publikimi i mëkatit përbën mohim ndaj kësaj mirësie. Dikush ka thënë: “Bëj çmos që të mos mëkatosh! E nëse detyrohesh të mëkatosh atëherë mos i nxit të tjerët të mëkatojnë sepse kështu bën dy mëkate.” Allahu i Madhëruar ka thënë: Hipokritët dhe hipokritet janë palë me njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë për të keqen dhe ndalojnë nga e mira.’’ |Teube: 61| Dikush nga të parët tanë të mirë ka thënë: Poshtërimi më i madh që mund t’i bëjë dikush vëllait të tij është që ta ndihmojë për të mëkatuar dhe t’ia bëjë mëkatin t’i duket i lehtë dhe i papërfillshëm.

  • Kur mëkatuesi është njeri i ditur që merret si shembull nga të tjerët.

Nëse ky njeri e bën mëkatin në publik atëherë mëkati rëndohet, si p.sh. cënimi i nderit të tjetrit me fjalë dhe poshtërimi i palës kundërshtare në debat e sipër, duke synuar përçmimin e kundërshtarit dhe duke  mësuar vetëm ato dije që i shërbejnë për të fituar famë si p.sh. shkenca e debatit dhe dialogut. Këto janë mëkate për të cilat dijetari që i bën merret si shembull nga të tjerët. Kësisoj ai vdes ndërsa e keqja qëndron pas tij e përhapur nëpër anët e botës për një kohë të gjatë. Lum si ai që vdes dhe bashkë me të vdesin dhe mëkatet e tij! Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’Ne mbajmë shënim punët që ata kanë bërë dhe gjurmët që kanë lënë pas vetes.’’ |Ja sin: 12| Ndërkohë, gjurmët janë punët që vijojnë pas vdekjes së vepruesit.

 

Shkëputur nga libri: “Orientimi i muslimanëve drejt triumfit dhe rimëkëmbjes’’.

Shkroi: Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Rexhep Milaqi

Loading...