Prej mashtrimeve që shejtani u bën disa njerëzve është se; kur u bëhet i qartë gabimi në një çështje dhe u sqarohet e vërteta tek e kundërta e fjalës apo e veprimit të tyre, ata hasin në shumë vështirësi që të kthehen nga gabimi, madje mendojnë se kthimi është mangësi në personalitetin e tyre.
Mashtrimi i shejtanit shtohet kur fillojnë të gjejnë justifikime që e përkrahin qëndrimin e tyre, madje mund të fillojnë të kapen pas provave të dobëta vetëm e vetëm për ta promovuar gabimin, dhe kjo – Allahu na ruajtë – konsiderohet shkelje e rëndë në praktikë.
Allahu i Lartësuar thotë: “Për ta bërë të vërtetën ngadhënjyese dhe për ta zhdukur të pavërtetën, edhe pse keqbërësit e pafe e urrejnë këtë.”[1]
Ibën Xhemaah, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Zelli për të ekzekutuar të vërtetën dhe për të realizuar të kotën është tregues shkeljeje prej të cilës duhet patur kujdes.[2]
Prandaj, kushdo që synon përmirësimin duhet ta vendosë veten e tij madje ta detyrojë atë që të kthehet nga gabimi dhe të vazhdojë rrugën e së vërtetës pa hezituar, dhe ta dijë se zbrapsja nga gabimi dhe aprovimi nga ana e tij konsiderohet vlerë për personin e tij.
Dikush e pyeti Ebu Hurejran, radiAllahu anhu, dhe ai ju përgjigj. Por në momentin kur ai u largua Ebu Hurejra u kujtua se kishte gabuar dhe e ndoqi pas që ta arrinte, por nuk e arriti dot. Ai shkoi në treg dhe me zë të lartë tha: Ta dini se Ebu Hurejra u përgjigj në një çështje me këto fjalë, por ka gabuar!
Si ky rast është edhe ngjarja mes dy imamëve Malikut dhe Ebu Jusufit, Allahu i mëshiroftë, kur debatuan rreth sasisë dhe masës së Saut.[3] Në momentin kur argumenti i imam Malikut u duk më i fortë se i Ebu Jusufit, ky i fundit tha: Unë kthehem nga mendimi im o Ebu Abdullah, dhe nëse mësuesi im Ebu Hanifja do ta dëgjonte këtë që dëgjova unë edhe ai do kthehej njësoj si unë.[4] Allahu i mëshiroftë të parët tanë të cilët nxitonin me të shpejtë për tu kthyer tek e vërteta kur u bëhej e qartë!
Prej gjërave që duhen përmendur në këtë temë është edhe lejimi i sqarimit të gabimit të atij që kundërshton të vërtetën, kushdo qoftë ai. Por kjo nuk nënkupton se jemi duke e urryer atë, sepse nëse ndodh (urrjejtja) ajo duhet bazuar në rregulla legjislative. Po ashtu, nuk nënkupton se jemi duke ulur pozitën dhe vlerën e atij që ka gabuar. Përkundrazi, e përmendim gabimin dhe e sqarojmë atë duke u nisur nga dëshira për të përhapur mirësinë, dhe po ashtu duke u nisur nga respekti dhe dashuria që kemi për atë që ka gabuar, sepse në fakt ai kishte për qëllim përmirësimin por gaboi në gjetjen e rrugës. Kushdo që e synon përmirësimin dhe e do mirësinë është i dashur tek ne për shkak të dashurisë që ai ka për të mirën.
Prandaj o ti që e synon përmirësimin, vështro në metodologjinë e të parëve tanë të mirë sesi shpejtonin në drejtim të rrugës së drejtë. Shiko sesi nuk i jepnin përparësi tekave të nefsit dhe dëshirave të tyre.
Allahu na dhëntë dije dhe largpamësi në të gjitha çështjet tona, dhe na ruajtë nga e keqja e epsheve, dëshirave dhe shejtanit!
Marrë nga libri: “Shenja në rrugën e përmirësimit”.
Autor: Abdul Aziz Sed’han
Përktheu: Fatjon Isufi
———————————————-
[1] Suretu el Enfal: 8.
[2] “Tedhkiratu es sami uel mutekelim” fq. 40.
[3] Njësi matëse e përdorur kohë më parë e cila llogaritet përafërsisht në 3 kg.
[4] Ndodhinë e plotë e gjen tek “Mexhmu el fetaua” të Ibën Tejmijes 21/54.
Të Ngjashme
- Këshilla të vyera në kohë sprovash dhe trazirash Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Mjetet e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Është detyra jonë që t’i ndihmojmë besimtarët Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Cila është metodologjia e grupit të shpëtuar? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Koncepte Kuranore -1- Udha e Besimtarëve