Le të bëjmë mirë në këto ditë që na kanë mbetur

Le të bëjmë mirë në këto ditë që na kanë mbetur që të rregullojmë ato që kanë kaluar. Sepse “Punët llogariten sipas përfundimit” siç ka thënë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Dhe shpërblimi vjen sipas punëve më të mira që kemi bërë siç thotë Allahu i Lartësuar: “…që t’i shpërblejë ata Allahu sipas veprave më të mira që kanë bërë, dhe tu shtojë nga mirësia e Tij, dhe Allahu furnizon kë do pa masë” (Nur: 38)

Pra shikon Allahu veprat e muslimanit Ditën e Gjykimit dhe në to ka të këqija, të dobëta, mesatare, të mira, dhe shumë të mira. Sipas këtyre të fundit e shpërblen.


Dhe Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – na ka mësuar se: “Kur Allahu i Lartmadhëruar ja do të mirën një robi e ëmbëlson atë. (‘asseleh’, nga fjala: ‘asel’: mjaltë) – i thanë: E çdo të thotë kjo? – Tha: I jep sukses për një vepër të mirë përpara vdekjes së tij, pastaj ja merr shpirtin në atë gjendje”
(Ahmed: 17438, saktësoi Albani në “Sahihul xhamiu”)
Ndërsa në një transmetim tjetër: “’ista’meleh’: E përdor atë. – i thanë: Si e përdor? – Tha: I jep sukses për vepra të mira përpara vdekjes së tij”
(zinxhiri i tij i lidhur, transmetuesit të besueshëm, sipas kushteve të “Dy të saktëve”)
Në një transmetim tjetër tek Ahmedi dhe e ka saktësuar Albani: “I hap atij një punë të mirë përpara vdekjes derisa të kënaqen ata që janë përreth tij”


Transmetim tjetër: “Kur Allahu ia do të mirën një robi e ëmbëlson atë në mesin e njerëzve”
Dmth: E bën të dashur për njerëzit, e lavdërojnë atë dhe e duan, siç e pëlqejnë shijen e mjaltit.

Ashtu si mjalti kur përzihet me një ushqim e ëmbëlson atë, ashtu edhe shoqërimi me të është i këndshëm.
Prandaj t’i lutemi Allahut të na japë sukses që ta mbyllim më së miri këtë muaj, me ato vepra që Ai i do prej nesh dhe kënaqet, dhe të na falë mangësitë, dhe tejkalimet në këtë muaj. Dhe mbi të gjitha të na japë një mbyllje të mirë të jetës.