Rregullat e haxhit

 

I përgjigjem thirrjes Tënde o Zoti im, i përgjigjem thirrjes Tënde pa të bërë shok askënd. Vërtetë, falënderimi, mirësia dhe pushteti të takojnë vetëm Ty e Ti nuk posedon ortak.

 Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirbërësit. Komisioni i shpërndarjes së literaturës fetare tek haxhijtë dhe ata që bëjnë umre, nën mbikqyrje të ministrisë së çështjeve fetare, vakëfeve, udhëzimit dhe thirrjes. Gjithashtu, organi kryesor që merret me botimet dhe shpërndarjen e tyre me qendër në Arabinë Saudite, paraqet për ju: Udhëzimet e haxhiut dhe atij që bën umre.

 Shejh Uthejmini thotë: Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, paqja dhe nderimet qofshin mbi të dërguarin e tij, Muhamedin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), mbi familjen, shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

 Haxhi është një nga bazat e Islamit, por prej mirësisë së Allahut është fakti që na i ka obliguar vetëm një herë në jetë. Prandaj, nga haxhiu kërkohet që qëllimin e tij ta bëjë të sinqertë vetëm për Allahun e Madhëruar, sepse Allahu në një hadith kudsij thotë: Unë jam më i panevojshmi për ortak, prandaj kush bën një punë duke shoqëruar në të ndonjë tjetër përpos Meje, Unë do ta braktis atë dhe punën e tij.

 Së dyti; kërkohet nga ai që të pasojë gjurmët e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) në këto rite, e pas kësaj këshillojmë vëllezërit tanë të cilët duan të ndërmarrin rrugën për të kryer haxhin, që të mos udhëtojnë derisa ta mësojnë se si i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) e kryente haxhin, në mënyrë që ta pasojnë atë dhe të zbatojnë porosinë e të dërguarit që thotë: Merrni nga unë ritet e haxhit tuaj.

 Allahu i Madhëruar thotë: “Përkujto kur Ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e shtëpisë; të mos më përshkruaj shok. Prandaj, pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë, që qëndrojnë në këmbë duke u falur, përkulur dhe që bëjnë sexhde. Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë dhe kalorës me deve të rraskapitura, vijnë prej rrugëve të largëta.”

 Meka e ndershme në të cilën ndodhet shtëpia e hershme e Allahut, pika e referimit të besimtarëve kudo që ndodhen në çdo anë të botës. Tek ajo drejtohen zemrat dhe ballet plot frikë-respekt dhe përulje ndaj Allahut të Madhëruar, pesë herë gjatë ditës dhe natës. Muslimanët vinë tek ajo nga çdo vend i largët, në mënyrë që të kryejnë pelegrinazhin dhe të bëjnë tavaf rreth Qabes së ndershme. Kjo gjë vazhdon që nga koha kur e ngriti Ibrahimi i cili iu përgjigj këkesës së Zotit të tij, që njerëzit ti përgjigjen thirrjes së Allahut për të kryer haxhin, e që të bëhej e para shtëpi e vendosur për ta në mënyrë që ta adhurojnë Allahun me dije, dritë dhe me besim të pastër larg gjërave të kota dhe mendimeve të gabuara.

 Allahu i Madhëruar thotë: “Shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo që u ngrit në Beke (Meke), e dobishme dhe udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta; vendi i Ibrahimit, e kush hyn në të ai është i sigurt. Për hirë të Allahut, vizita e shtëpisë është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo, e kush nuk e beson atëherë dijeni se Allahu nuk është i nevojshëm për njerëzit.”

 Që në momentet e para kur u shfaqën rrezet e ndritshme të Islamit, Allahu i Madhëruar dërgoi Profetin e fundit dhe vulën e të dërguarve, Muhamedin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) me fenë e vërtetë, që të triumfojë mbi çdo fe tjetër, t’iu sqaronte njerëzve injorancën dhe humbjen në të cilën ishin, dhe tu sqaronte vërtetësinë e adhurimit ndaj Allahut, gjë për të cilën krijoi njerëzit dhe xhinët.

 Është saktësuar se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: Islami është i ndërtuar mbi pesë shtylla; dëshmia se nuk ka të adhuruar me të drejtë përpos Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe vizita e shtëpisë së shenjtë për atë që ka mundësi të udhëtojë drejt saj.

 Pra, haxhi është një prej shtyllave të kësaj feje, dhe Islami i një personi nuk plotësohet nëse ka mundësi për të shkuar në haxh, derisa ta kryejë këtë obligim (haxhin).

 Haxhi është baza e pestë e shtyllave të Islamit, dhe është i detyrueshëm për çdo musliman që ka arritur moshën e pjekurisë, pa të meta mendore, dhe që është i lirë e jo skllav. Është obligim vetëm një herë në jetë, atëherë kur të krijohen mundësitë trupore dhe materiale.

 Çdo vit, drejt vendeve të shenjta udhëtojnë miliona njerëz për të kryer pelegrinazhin e haxhit apo umres, duke besuar në qeverisjen e shërbëtorit të dy haremeve; mbretit Fehd bin AbdulAziz, Allahu e ruajtë. Ai i ka kushtuar rëndësi të veçantë këtij obligimi, duke bërë të mundur plotësimin e të gjitha nevojave për ata që vijnë për të kryer këto rite. Shteti Saudian ka vënë në shërbim të gjitha mundësitë e tij materiale dhe njerëzore, ka vënë në dispozicion të gjitha ministritë e saj në shërbim të miqve të Mëshiruesit, në mënyrë që të jenë të qetë dhe të sigurtë që në momentin që prekin tokën e bekuar e derisa të kthehen në vendet e tyre, duke qenë nën mbikqyrjen e Allahut të Madhëruar.

 Vëllai im haxhi, atje do të vëresh aktivitete dhe shërbime të ndryshme të cilat janë vënë në shërbimin tënd, në mënyrë që të ndihesh mirë, i qetë dhe i sigurtë. Kështu që, mos hezito në shfrytëzimin e këtyre shërbimeve të ndryshme dhe në fund të themi; mirë se erdhe vëllai im musliman, mik i dashur në tokën e dy haremeve të ndershme.

 Allahu thotë: “Haxhi është në muajt e caktuar, e kush bën haxhin në këta muaj nuk duhet ti afrohet gruas, të marrë nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, e as nuk duhet të shkaktojë grindje. Çdo gjë që punoni prej të mirave, Allahu e di atë. E përgatituni me furnizim, e furnizimi më i mirë është devotshmëria. O ju të zotët e mendjes, jini të devotshëm ndaj Meje.”

 Haxhi kryhet në tre mënyra, të cilat ndryshe mund të quhen; ritet e pelegrinazhit. Çdo rit përmban në vetvete formën dhe detyrimet të cilat duhet ti bëjë haxhiu, në mënyrë që haxhi i tij të jetë i saktë. Këto rite pelegrinazhi janë; et temetu, el kiran dhe el ifrad. Më i miri është lloji i parë “et temetu“, për atë që nuk ka tërhequr pas vetes kurbanin nga vendi që ka ardhur. Gjithashtu, ky është riti për të cilin i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe shokët e tij kanë urdhëruar që ta praktikojmë.

 Përsa i përket ritit të parë “et temetu“, realizohet kur njeriu vesh ihramin në muajt e haxhit për të bërë umre, dhe lirohet nga ky ihram pasi të bëjë rrotullimin rreth Qabes, tavafin dhe sajin (ecjen midis dy kodrave; Safa dhe Merua), e kështu lirohet plotësisht dhe i lejohet çdo gjë. Kur të vijë dita e tetë e muajit Dhul Hixhe, atëherë vesh ihramin për të hyrë në ritet e haxhit, nga vendi ku është duke dalë në vendet ku kryhen ritet duke plotësuar haxhin.

 Pa harruar dhe kurbanin, e nëse nuk ka mundësi atëherë duhet të agjërojë tri ditë gjatë kryerjes së haxhit, dhe shtatë ditë pasi të kthehet në vendin e tij.

 Përsa i përket llojit të dytë “el kiran“, realizohet duke veshur ihramin për umre dhe haxh së bashku, duke e bërë nijetin me fjalët; o Zot, i përgjigjem thirrjes tënde për umre dhe haxh. Kur arrin në Meke, bën tavafin e mbërritjes dhe sajin për haxh e për umre, duke qëndruar me ihram pa e hequr. Pas kësaj, ditën e tetë del për të kryer ritet, i plotëson ritet e mbetura të cilat kanë të bëjnë me haxhin dhe umren, por nuk bën sajin sepse e ka bërë herën e parë kur bëri tavafin e mbërritjes. Gjithashtu, duhet të bëjë kurban, nëse nuk mundet atëherë agjëron tri ditë gjatë haxhit dhe shtatë të tjera kur të kthehet në vendin e tij.

 Ndërsa lloji i tretë që quhet “el ifrad“, realizohet duke veshur ihramin me qëllim që të kryej vetëm haxhin, prandaj kur të arrijë në kufijtë ku vishet ihrami, bën nijet duke thënë: I përgjigjem thirrjes tënde o Zot, për të bërë haxhin.

 Kur të arrijë në Meke bën tavafin dhe sajin, qëndron me ihram derisa ti plotësojë të gjitha ritet e haxhit. Nuk është e obligueshme për të që të presë kurban, sepse nuk ka bashkuar ndërmjet umres dhe haxhit.

 Duhet të dimë se lloji më i mirë i këtyre riteve është lloji i parë “et temetu“, pas saj vjen “el kiran“, dhe së fundi “el ifrad“.

 Shtyllat e secilit prej llojeve të riteve të haxhit, fillojnë me ihramin që do të thotë; qëllimi për të hyrë në ritet e pelegrinazhit. Ky ihram është i domosdoshëm që të vishet në një prej kufijve të njohur, të cilin e ka sqaruar i dërguari (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) për ata që vinë nga vendet e ndryshme, para se të mbërrijnë në Meke.

 Këta kufij janë si vijon: Dhul Hulejfe është kufiri i banorëve të Medines, ndryshe quhet Ebjar Alij. El Xhuhfe është kufiri i banorëve të Shamit, i cili ndodhet afër qytetit Ragib. Sot njerëzit e veshin ihramin pikërisht në kufijtë e këtij qyteti.

 Karnul Menazil është kufiri i banorëve të Nexhdit, i cili njihet ndryshe me emrin Es Sejl el Kebir. Jelemlem është kufiri i banorëve të Jemenit, por njerëzit në këtë kohë e veshin ihram në vendin e quajtur Seadije. Dhatu Irk është kufiri i banorëve të Irakut.

 Banorët e Mekes i veshin ihramet e tyre për haxh duke qenë në Meke, ndërsa për të kryer umren i veshin ihramet nga kufiri i Tenijmit, apo në çdo vend tjetër që ndodhet jashtë kufijve të haremit.

 Të njëjtën gjë bëjnë edhe banorët e Xhides; e veshin ihramin nga Xhidja, kështu që çdo njeri që dëshiron të kryejë haxhin apo umren duhet të veshë ihramin brenda kufijve që përmendëm. Kush e vesh atë pa qëllim, atëherë duhet të kthehet edhe një herë tek njëri prej këtyre kufijve dhe ta veshë ihramin atje, në të kundërt duhet të therë një dele në Meke dhe mishin e saj ta shpërndajë tek të varfërit e Mekes.

 Pra, kur të arrish tek këta kufij me anë të mjeteve të transportit apo diçka tjetër, lahu dhe pastrohu duke hedhur erëra të mira nëse ke mundësi, e pas kësaj vish rrobat e ihramit, izarin dhe ridanë, dy copëza të bardha dhe të pastërta. Ndërsa gruaja vesh çfarë të dojë prej rrobave, gjithmonë pa u zbuluar e pa përdorur zbukurime. Pas kësaj bën nijetin për umre duke thënë; lebejke umrah (o Zot, i përgjigjem thirrjes Tënde me umre).

 Nëse mbërritja jote bëhet me anë të detit apo ajrit, është bërë zakon që piloti apo kapiteni i anijes ti njoftojë pasagjerët kur të jenë afër kufijve të caktuar të lart përmendur, në mënyrë që ata të përgatiten për të veshur ihramet e tyre.

 Nuk ka problem në këtë rast, nëse haxhiu vesh rrobën e ihramit që kur niset nga vendi i tij, e pas kësaj bën nijetin që tregon hyrjen e tij në ritet e haxhit në kohën kur anija apo avioni të kalojë pranë kufijve të caktuar.

 Telbijen (lutjen për hyrjen në ritet e haxhit), burrat duhet ta bëjnë me zë, por jo gratë.

      I përgjigjem thirrjes Tënde o Zoti im, i përgjigjem thirrjes Tënde pa të bërë shok askënd. Vërtetë, falënderimi, mirësia dhe pushteti të takojnë vetëm Ty e Ti nuk posedon ortak. (kjo është telbija, lutja).

 Pasi të veshësh ihramin për umre, duhet të dish vëlla i dashur se tashmë ke hyrë në rite, gjë që do të thotë të mos veprosh asnjë nga ndalesat e ihramit. Këto ndalesa janë si më poshtë; prejra e qimeve apo thonjve, përveç nëse bie diçka prej tyre pa qëllim, apo nëse pret flokët dhe thonjtë duke mos e ditur gjykimin rreth saj, kjo nuk përbën problem.

 Gjithashtu, nuk lejohet që të parfumoset rroba apo trupi, e nuk përbën problem nëse kanë mbetur shenja të parfumit që mund të ketë hedhur para se të veshë ihramin.

 Nuk lejohet të bësh gjueti ndaj kafshëve tokësore, duke i vrarë apo duke i trembur, qoftë edhe nëse ndihmon ndonjë tjetër në këtë vepër.

 Prerja e degëve të haremit dhe pemëve të gjelbërta, e kjo vlen si për atë që është me ihram edhe për atë që nuk është me ihram.

 Nuk duhet ta marrë sendin e gjetur në harem, vetëm atëherë kur e merr për t’ia treguar organeve përgjegjëse.

 Nuk duhet të kryejë akte fejese apo martese duke qenë me ihram, gjithashtu, nuk lejohet të kryejë marrëdhënie intime gjatë kohës që është me ihram, e as të prekë gruan e tij me epsh.

 Gruas nuk i lejohet të veshë dorashka gjatë kohës së ihramit, apo të mbulojë fytyrën e saj me perçe, me përjashtim të rastit kur ndodhen njerëz të huaj, sepse në këtë rast duhet ta mbulojë fytyrën e saj me perçe apo dicka tjetër, e njëjta gjë sikur të mos ishte me ihram.

 Mbulimi i kokës me ihram apo diçka tjetër që ngjitet me kokën, ndërsa përdorimi i çadrës, mbulesa e makinës nga lartë, apo mbartja e gjërave mbi kokë nuk përbën ndonjë problem.

 Nëse ai që ka veshur ihramin e mbulon kokën e tij nga harresa, apo duke mos e ditur gjykimin e saj, ai duhet ta largojë rrobën e tij nga koka në momentin që i kujtohet, apo atëherë kur e mëson gjykimin e kësaj gjëje dhe nuk ka problem.

 Veshja e rrobave të qepura në përgjithësi, siç janë; sirualet, çallmat apo këpucët, lejohen vetëm nëse nuk gjen ihram që të veshë siruale, nuk gjen sandale apo shapka kështu që vesh këpucë, nuk ka asnjë problem.

 Atij që është me ihram, i lejohet të veshë shapka, unazë, syze, orë, kufje, rrip mesi, dhe një lloj rripi në të cilin ruan lekët dhe letrat e rëndësishme.

 Gjithashtu, lejohet ndërrimi i rrobave të ihramit për ti pastruar, apo larja e kokës dhe trupit. Nëse gjatë larjes bie ndonjë qime pa qëllim, apo plagoset, në këtë rast nuk ngarkohet me ndonjë detyrim.

 Ihrami nuk posedon ndonjë namaz të veçantë siç mendojnë shumë njerëz, pa harruar faktin se njeriu që ka veshur ihram nuk duhet të lërë pas dore gjërat që i ka kërkuar feja e tij, siç është; namazi në kohë me xhemat, largimi nga gjynahet dhe gabimet, fjalët e kota dhe zënkat siç veprojnë shumë muslimanë.

 Kështu, udhëtimi yt vazhdon derisa të arrish në Meke, aty ku ndodhet shtëpia e hershme e Allahut. Për atë që ka veshur ihramin, është e pëlqyshme të lahet pas mbërritjes së tij në Meke.

 Kur të hyjë në xhaminë e shenjtë, duhet të hyjë me këmbë të djathtë e të thotë: Kërkoj ndihmë tek i Madhi Zot, kërkoj ndihmë tek fytyra e Tij e ndershme dhe pushteti i Tij i hershëm nga shejtani i mallkuar. O Zot, hapi për mua dyert e mëshirës Tënde. Kjo lloj lutje nuk është e veçantë vetëm për hyrjen në xhaminë e shenjtë, por mund të bëhet në të gjitha xhamitë.

 Pas kësaj, drejtohesh nga Qabja për të filluar tavafin. Duhet të dimë se është sunet shfaqja e shpatullës së djathtë, e cila realizohet duke marë gjysmën e rrobës së sipërme të trupit, e duke e vendosur nën sqetull. Ndërsa dy pjesët e tjera vendosen mbi shpatullën e majtë. Pas kësaj, fillon rrotullimin rreth Qabes shtatë herë, duke filluar nga guri i zi, e nëse i krijohet mundësia të jetë afër këtij guri atëherë le ta puthë. Në të kundërtën, nuk lejohet që ti lëndojë njerëzit duke u shtyrë e duke bërë çrregullime me sharje dhe goditje, sepse ky është një gabim me të cilin lëndohen muslimanët. Mjafton të bëjë me shënjë nga guri i zi, duke thënë: Allahu Ekber.

 Pas kësaj, haxhiu apo ai që bën umre vazhdon tavafin e tij duke bërë dua e duke e përmendur Allahun me duatë që dëshiron, apo duke lexuar Kuran pa e ngritur zërin në leximin e disa duave të veçanta, siç veprojnë disa njerëz të cilët krijojnë probleme tek të tjerët që bëjnë tavaf.

 Kur të arrish vëlla haxhi tek cepi i Jemanit, atëherë preke atë me dorë nëse të jepet mundësia e mos e puth, as mos u fërko me të siç bëjnë disa njerëz të cilët me këtë vepër kundërshtojnë sunetin e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).

 Nëse nuk të jepet mundësia që ta prekësh cepin e Jemanit, atëherë kalo pa bërë me shenjë drejt tij, apo duke bërë tekbir.

 Nga suneti është që ndërmjet cepit të Jemanit dhe gurit të zi, të thuhet; o Zot, na jep në këtë botë të mira dhe në botën tjetër na dhuro të mira, na ruaj nga dënimi i zjarrit. Kështu pra, haxhiu i plotëson rrotullimet shtatë herë, duke e filluar çdo rrotullim nga guri i zi e duke e mbaruar përsëri tek ky gur.

 Është sunet që të shpejtosh më shumë në tre rrotullimet e para, të cilat realizohen duke i afruar hapat e duke shpejtuar, kjo bëhet vetëm në tavafin e mbërritjes në Meke.

 Ekzistojnë disa gabime që bëhen nga haxhijtë dhe ata që bëjnë umre; në kohën kur bëjnë rrotullimet rreth Qabes, p.sh. kalimi brenda hixhrit (vend i rrethuar me mur) gjatë kryerjes së tavafit, duke menduar se kjo bën pjesë në tavaf. Në realitet, tavafi brenda hixhrit e prish tavafin, sepse kjo do të thotë se ai ka bërë tavaf të mangët dhe është rrotulluar rreth një pjese të Qabes.

 Në grupin e gjërave që kundërshtojnë fenë, është dhe prekja e të gjitha cepave të Qabes, fërkimi i mureve të Qabes apo fërkimi i mbulesës së saj, derës dhe vendit të Ibrahimit. Të gjitha këto nuk lejohen sepse janë gjëra të shpikura dhe nuk kanë bazë në fenë tonë, e as i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) nuk i ka vepruar.

 Gjithashtu, nuk lejohet ngritja e zërit gjatë tavafit sepse kjo gjë i çorodit muslimanët.

 Në gabimet që ndodhin gjatë tavafit, është dhe shtyrja mes burrave dhe grave, sidomos pranë gurit të zi apo vendit të Ibrahimit, pra duhet tu largohemi këtyre gjërave.

 Tani që e plotësove tavafin vëllai im haxhi, duhet ta mbulosh shpatullën e djathtë, dhe është sunet i fortë që pas mbarimit të tavafit të falësh dy rekate në drejtim të vendit të Ibrahimit nëse të krijohet mundësia, në të kundërtën fali ku të mundesh brenda xhamisë së shenjtë.

 Në rekatin e parë, pas Fatihasë këndon suren El Kafirun, ndërsa në rekatin e dytë pas sures Fatiha lexon suren Kul hue Allahu Ehad, dhe nëse lexon diçka tjetër bashkë me to nuk ka ndonjë problem.

 Pas kësaj shko tek kodra Safa për të bërë sajin shtatë herë, e kur të afrohesh pranë saj fillo me atë që ka filluar Allahu duke thënë: “Safa dhe Merua janë nga shenjat e Allahut, e kush e viziton shtëpinë e shenjtë për haxh apo umre, nuk është mëkat për të që ti vizitojë këto të dyja. E kush bën ndonjë të mirë nga vullneti i tij, ska dyshim se Allahu është shpërblyes, i Gjithdijshëm.”

 Pas kësaj, ngjitu mbi Safa, drejtohu nga Qabja dhe falënderoje Allahun. Bën tekbir për Të tri herë, duke i ngritur duart me lutje e duke përsëritur: La Ilahe ila Allahu uahdehu la sherijke leh, lehul mulku ue lehul hamdu ue Hue ala kuli shejin kadijr. La Ilahe ila Allahu uahdeh, enxheze ueadeh ue nesara abdeh ue hezemel ahzabe uehdeh. Këtë lloj dhikri e përsërit tri herë, e ndërmjet këtyre lutjeve mund të lutet si të dojë. Nëse bën dua më pak se këto, atëherë nuk ekziston asnjë lloj problemi.

 Nuk duhet ti ngrejë duart e tij vetëm atëherë kur lutet, e as nuk duhet të bëjë me shenjë kur thotë tekbirin, sepse kjo bën pjesë në grupin e shumë gabimeve në të cilat bien shumica e haxhijve dhe atyre që bëjnë umre.

 Pas kësaj, haxhiu zbret nga Safaja në drejtim të kodrës Merua, duke u lutur me çfarë ti vijë më lehtë nga duatë për veten, familjen, dhe për të gjithë muslimanët.

 Kur të arrijë tek drita jeshile duhet të shpejtojë shumë në të ecur, kjo vlen për burrat e jo për gratë, vrapon derisa të arrijë dritën tjetër jeshile ku normalizon të ecurin e tij.

 Vazhdon kështu derisa të arrish në Merua, e kur arrin atje vëllai im haxhi drejtohu nga Qabja dhe bëni të njëjtat lutje që bëre në Safa, pas kësaj lutu me çfarë duaje të duash. Zbrit nga kodra Merua dhe ec derisa të arrish dritën jeshile ku duhet të vraposh derisa të arrish tek drita tjetër jeshile, pas saj ecën normalisht derisa të arrish në Safa e kështu i plotëson shtatë xhirot e tua, duke u llogaritur ikja jote nga Safa deri në Merua një xhiro, dhe kthimi yt nga Merua përsëri në Safa një xhiro tjetër.

 Nuk përbën ndonjë problem nëse e fillon Sajin duke ecur e më pas ndien lodhje apo dobësi, apo të kaplon ndonjë e papritur në shëndetin tënd mos e thëntë Allahu, nuk përbën problem që ta plotësosh sajin tënd me karrocë.

 Gruas i lejohet të bëjë sajin në kohën që është me menstruacione, por nuk i lejohet të bëjë tavafin, kjo për vetë faktin se vendi ku bëhet saji nuk i përket xhamisë së shenjtë.

 Në grupin e gabimeve që ndodhin, është dhe vrapi që bëjnë gratë në kufijtë jeshil që ndodhen përgjatë xhiros së sajit.

 Pasi haxhiu përfundon sajin, duhet të shkurtojë flokët nëse lloji i haxhit që bën është “temetu”. Në këtë rast duhet ta përshkojë gjithë kokën me shkurtim të flokëve, ndërsa gruaja pret nga flokët e saj sa maja e një gishti.

 Pas kësaj, haxhiu i llojit “temetu” e kreu umren e tij, kështu që i lejohet çdo gjë që iu ndalua për shkak të ihramit.

 Kërkohet nga haxhiu dhe ai që do të kryej umren të shtojë sa më shumë prej telbijes (lebejke Allahume lebejk), sipas kohës së caktuar. Nëse është për umre fillon të bëjë telbije që nga veshja e ihramit e deri sa të fillojë tavafin. Ndërsa, kur është për të kryer haxhin e fillon telbijen që nga veshja e ihramit e deri sa të gjuaj gurët e Akabes, duke thënë gjatë gjithë kësaj kohe; lebejke Allahume lebejk, lebejke la sherijke leke lebejk, inel hamde ue niamete leke uel mulk la sherijke leh.

 Dita e tetë e muajit Dhul Hixhe, e quajtur ndryshe dita e teruijes.

 Në këtë ditë nisen të gjithë haxhijtë pa marrë parasysh llojet e riteve (temetu, el kiran, el ifrad) drejt tokës së Minasë, duke pasuar kështu sunetin e të dërguarit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).

 Është e pëlqyeshme të arrish në Mina para drekës së asaj dite, ku haxhijtë falin drekën, ikindinë, akshamin, jacinë dhe sabahun e ditës tjetër, duke i shkurtuar namazet me katër rekate por pa i bashkuar ato. Nuk ka dallim ndërmjet banorëve të Mekes apo të tjerëve, të gjithë e shkurtojnë namazin. Suneti është që haxhiu të gdhijë ditën e teruijes në Mina, derisa të falë sabahun e ditës së nëntë të muajit Dhul Hixhe, pret derisa të lindë dielli e pastaj niset për në Arafat, ngadalë, me qetësi të plotë, duke bërë telbije dhe tekbire.

 Dita e nëntë e muajit Dhul Hixhe; dita e Arafatit.

 Grumbujt e haxhijve mbërrijnë në këtë ditë të dëshmuar në tokën e Arafatit, të cilën Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) e ka cilësuar si dita më e vlefshme.

 Aty qëndrojnë muslimanët që pas lindjes së diellit e deri në perëndim, në këtë ditë madhështore.

 Nga suneti është që haxhiu të shkojë në vendin e quajtur Nemira (në Arafat), në të kundërtën duhet të sigurohet nga të qënurit e tij brenda kufijve të haremit.

 Atje gjenden shumë tabela treguese të cilat i sqarojnë këta kufij, e duhet të dini se i gjithë Arafati është vend për të ndenjur.

 Në këtë ditë madhështore ji i kujdesshëm vëllai im haxhi, merru me telbije dhe tekbire, shtoje kërkimin e faljes, fjalët Allahu ekber dhe la Ilahe ila Allah. Drejtohu tek Allahu i përulur dhe me frikë-respekt, përpiqu shumë për të bërë dua për veten, fëmijët, familjen dhe për të gjithë vëllezërit e tu musliman.

 Kur të hyjë koha e drekës, imami çohet dhe ligjëron këshilla dhe udhëzime të përgjithshme për muslimanët, më pas fal namazin e drekës dhe të ikindisë duke i shkurtuar e bashkuar ato siç ka vepruar Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Nuk falë asgjë para, në mes, apo pas këtij namazi të bashkuar.

 Ki kujdes të mos biesh në gabime dhe mëkate të cilat i largojnë shpërblimet dhe mirësitë, pikërisht në këtë ditë madhështore dhe në këtë vend qëndrimi të ndershëm.

 Në grupin e gabimeve të cilat i praktikojnë

 disa haxhij, janë; dalja jashtë kufijve të Arafatit duke qëndruar në ato vende derisa të perëndojë dielli, e pas kësaj largohen për në Muzdelife para se të perëndojë dielli. Kjo nuk është e lejuar, për shkak se bie ndesh me veprën që ka praktikuar Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).

 Disa të tjerë shtyhen me njëri-tjetrin për tu ngjitur në malin e Arafatit, me qëllim që të arrijnë majën e malit e të fërkohen me të, apo të falin namaz pikërisht në majë të këtij mali. Kjo vepër është bidat dhe nuk ka origjinë në fenë tonë, shtoi kësaj që thamë dhe faktin se të shkuarit atje mund të shkaktojë dëme në shëndetin e njeriut.

 Gjithashtu, disa njerëz kur bëjnë dua drejtohen nga mali i Arafatit, ndërsa suneti është të drejtohemi nga Qabja duke thënë; o Zoti im, unë kërkoj strehim tek Ti për të mos rënë në kufër apo në varfëri, gjithashtu kërkoj strehim tek Ti nga dënimi i varrit. Nuk ka të adhuruar me të drejtë përpos Teje.

 O Zot, Ti je Krijuesi im ndërsa unë jam robi Yt, premtimit dhe zotimit Tënd do ti përmbahem sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtje tek Ti nga e keqja e asaj që kam vepruar, i pranoj mirësitë që më ke dhuruar, gjithashtu i pranoj gabimet që kam bërë, prandaj më fal sepse nuk i fal gabimet askush përpos Teje.

 Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj, e kur të dyndeni nga Arafati atëherë përmendeni Allahun në vendin e shenjtë Muzdelife. Përmendeni Atë ashtu si u ka udhëzuar, sepse më parë ishit të humbur.”

 Shkuarja në Muzdelife.

Pas përëndimit të diellit të datës nëntë Dhul Hixhe, karvanet e haxhijve nisen për në një vend tjetër të shenjtë, për në Muzdelife. Shkojnë për të falur akshamin dhe jacinë të shkurtuar, duke i bashkuar me një ezan të vetëm dhe dy ikamete, kjo menjëherë sa të mbërrijnë atje.

 Duhet që ta kalojnë natën atje duke bërë telbije, tekbire, dhe duke e falënderuar Allahun për mirësitë që u ka dhuruar, sidomos për atë që ishin prezent në vendqëndrimin e Arafatit.

 Me arritjen e haxhijve në Muzdelife, disa prej tyre bien në disa gabime të cilat duhen sqaruar patjetër, p.sh.; mbledhja e guralecëve para se të kryejnë bashkimin dhe shkurtimin e namazit të akshamit dhe jacisë. Këtë e themi sepse namazi është më parësorë. Gjithashtu, mendimi i disa njerëzve se guralecët nuk mblidhen vetëm se në Muzdelife, është një gabim të cilin nuk duhet ta praktikojmë.

 Është sunet që haxhijtë ta kalojnë natën në Muzdelife, në mënyrë që të falin edhe namazin e sabahut. U është lehtësuar grave, fëmijëve, apo njerëzve të pafuqishëm që të largohen për në Mina pjesën e fundit të natës.

 Në momentet kur haxhiu fal sabahun, është e pëlqyeshme që të shkojë tek vendi i shenjtë i quajtur Meshari Haram, i cili është një mal në Muzdelife, apo mund të qëndrojë në çdo vend në Muzdelife, të kthehet nga Qabja dhe të bëjë dua të ndryshme që mund ti vijnë në mend në ato momente.

 Pas kësaj, shkon për të mbledhur guralecët që ka për të gjuajtur, numri i të cilëve është shtatë. Guralecët duhet të jenë pak më të mëdhenj se qiqrat, kjo për të gjuajtur gurët e ditës së Akabesë së madhe. Ndërsa, guralecët e tjerë mund ti marrë nga Minaja e pas lindjes së diellit të largohet për në Mina, duke bërë telbije dhe dhikër, me frikë-respekt dhe përulësi ndaj Allahut. Kur haxhiu mbërrin në Mina, shpejton për të hedhur gurët tek Akabeja e madhe, e cila ndodhet më afër Mekes. Kur të arrijë tek ky vend, duhet të ndalojë telbijen e më pas të gjuajë shtatë guralecët njëri pas tjetrit, duke bërë tekbir në çdo gur që gjuan.

 Pas kësaj, shkon për të therur kurbanin nëse është prej atyre që duhet të therin, ushqehet me të dhe ushqen të varfërit. Më pas, rruan ose shkurton flokët edhe pse rruajtja e flokëve është më e mirë, ndërsa gruaja shkurton nga flokët e saj sa një majë gishti.

 Radhitja që përmendëm është më e mira, por nëse i jep përparësi një riti para një tjetri, kjo nuk përbën asnjë problem.

Dita e dhjetë e muajit Dhul Hixhe; dita e kurban bajramit.

 Muslimanët në çdo anë të botës e në veçanti ata që ndodhen në Mina, ditën e kurban bajramit janë të gëzuar dhe marrin myzhde për mirësitë që u ka dhuruar Allahu i Madhëruar, duke bërë kurbanet e tyre për tu afruar sa më shumë tek Allahu. Haxhiu do të vërejë se në projektet e shtetit Saudian, është dhe kujdesi për mishrat e kurbaneve për ti shfrytëzuar, e kjo është një ndihmë për ta kryer këtë adhurim sa më mirë.

 Në kohën kur haxhijtë gjuajnë guralecët e tyre, ndodhin disa gjëra që bien ndesh me fenë tonë, p.sh.; besimi që kanë disa njerëz se po u gjuajnë shejtanëve, e si rrjedhojë gjuajnë me mllef duke i sharë këta shejtanë.

 Por, gjuajtja e guralecëve është bërë vetëm për të ngritur përmendjen e Allahut. Përdorimi i gurëve të mëdhenj për ti gjuajtur, apo me këpucë dhe drunj, ky është ekstremizëm në fe për të cilin ka ndaluar i dërguari (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).

 Shtyrja dhe zënkat në vendin ku gjuhen guralecët, është një gabim i madh. Haxhiut i del si detyrë që të tregohet i mëshirshëm me vëllezërit e tij, duke pasur kujdes që guralecët ti gjuajë brenda kufirit sido që të jetë, e preku apo jo shtyllën e vendosur atje.

 Gjuajtja e të gjithë guralecëve me një herë të vetme, e në këtë rast është sikur të ketë hedhur vetëm një guralec. Ajo që kërkohet është hedhja e guralecëve njëri pas tjetrit, duke bërë tekbir në çdo guralec që gjuan.

 Kur haxhiu hedh guralecët e Akabesë së madhe e më pas qethet apo rruhet, kjo tregon se i është plotësuar lejimi i parë, kështu që mund të veshë rroba, gjithashtu i lejohen të gjitha ndalesat e ihramit përpos grave.

Pas kësaj, haxhiu niset për në Meke për të bërë tavafin e Ifadas, i cili është shtyllë e nuk plotësohet haxhi derisa ta bësh.

 Kur mbaron tavafin shkon për të bërë sajin nëse riti i tij ishte i llojit “temetu”, apo bën pjesë tek ata që nuk e shoqëruan tavafin e ardhjes në Meke me sajin, siç është “el kiran” dhe “el ifrad”, kështu që e ka detyrë të bëjë sajin.

 Duhet të dimë se lejohet vonimi i tavafit të Ifadas, qoftë edhe pas ditëve të Minasë apo ardhja në Meke, pasi të mbarojë gjuajtjen e të gjithë guralecëve.

Pasi që haxhiu mbaron tavafin e Ifadas në ditën e kurbanit, në këtë rast i lejohen të gjitha ato gjëra që i kishte të ndaluara për shkak të ihramit, derisa edhe gratë.

 Pas kësaj, kthehet në Mina për të gdhirë tri ditët e teshrikut, pikërisht natën e njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë dhe trembëdhjetë, ose dy netë për atë që dëshiron të largohet shpejt, duke praktikuar kështu fjalën e Allahut që thotë: “Përmendeni Allahun në ditët e caktuara ditët e bajramit, kush ngutet për tu larguar brenda dy ditëve nuk bën mëkat, por edhe ai që e shtyn nuk bën mëkat. Këto rregulla janë për atë që dëshiron të jetë i përpiktë. Prandaj, frikësojuni Allahut dhe dijeni se tek Ai do të tuboheni.”

Është e domosdoshme që haxhiu ti gjuajë të tri llojet e guralecëve pas hyrjes së drekës, pikërisht në ditët që i kalon në Mina, duke bërë tekbir për çdo gur që hedh. Është sunet që pas hedhjes së gurëve të mesit dhe të fundit, haxhiu të qëndrojë i drejtuar nga Qabja me duart e ngritura, duke u lutur me çfarë të dojë. Ndërsa në hedhjen e gurëve të parë nuk lutet, e as nuk qëndron aty për tu lutur.

 Ai që do të largohet brenda dy ditëve, i del si detyrë që ti hedhë të gjithë gurët ditën e dymbëdhjetë pas drekës, e duhet të dalë nga Minaja para se të perëndojë dielli. Nëse dielli perëndon duke qenë haxhiu në Mina, atëherë i bëhet obligim që të qëndrojë në Mina edhe natën e trembëdhjetë, e të nesërmen të gjuajë gurët. Kjo ndodh nëse ai nuk mundi të bëhej gati për tu larguar ditën e dytë, përndryshe ai largohet dhe nuk qëndron më në Mina për ditën tjetër.

 Tavafi i lamtumirës.

 Edhe njëherë udhëtimi jonë është drejt Mekes së ndershme, për të bërë tavafin e fundit rreth shtëpisë së hershme, për shkak se udhëtimit po i  vjen fundi. Haxhijtë i kryen ritet e tyre bashkë me shtyllat, detyrimet dhe obligimet që kërkojnë këto rite, kështu që tavafin e lënë për në fund me qëllim që të jetë gjëja e fundit me të cilën ndahen, duke praktikuar kështu fjalën e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) që thotë: Mos të largohet ndonjëri nga ju derisa të jetë gjëja e fundit me të cilën ndahet nga Qabja, tavafi.

 Tavafi i lamtumirës është vaxhibi i fundit i këtij haxhi, të cilin duhet ta kryejë haxhiu menjëherë para se të udhëtojë drejt vendit të tij. Nuk justifikohet askush për lënien e këtij tavafi, përpos gruas me menstruacione dhe lehoni.

 Medina profetike dhe mënyra e vizitës së xhamisë së Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).

 Drejt Medines profetike; vendit ku emigroi i Dërguari (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe vendi ku u varros. E ndërmarrim këtë udhëtim për të vizituar xhaminë e ndershme të Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), e cila është njëra prej tri xhamive ku nuk lejohet të ndërmirret udhëtim përpos këtyre tri xhamive, siç ka thënë i Dërguari (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të): Nuk ndërmirret udhëtimi veçse drejt tri xhamive; xhamisë së Mekes, xhamisë time, dhe xhamisë së Kudsit.

 Vizita e xhamisë së Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) nuk është kusht apo obligim që bën pjesë në ritet e haxhit, madje mund të themi se nuk ka asnjë farë lidhje me haxhin, por duhet të dimë se është e pëlqyeshme që të vizitohet në çdo kohë gjatë gjithë vitit. Gjithashtu, kur Allahu ia mundësoi njeriut që të vizitojë këto dy hareme të ndershme, është sunet që të shkojë drejt Medines profetike që të falë namaz në xhaminë e Tij (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ku namazi është më i mirë se një mijë namaze në ndonjë xhami tjetër. Kjo përpos xhamisë së shenjtë në Meke, sepse namazi në të është i barabartë me njëqind mijë namaze, pa harruar dhe përshëndetjen e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).

 Kur të arrish vëllai im si vizitor i xhamisë së Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), futu në xhami me këmbën e djathtë, thuaj bismilah dhe bëj salavate për Profetin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Kërkoi Allahut që ti hapë dyert e mëshirës së Tij, dhe thuaj; kërkoj ndihmë tek i madhi Zot, kërkoj ndihmë tek fytyra e Tij e ndershme dhe pushteti i Tij i hershëm nga shejtani i mallkuar.

 O Zot, mi hap dyert e mëshirës Tënde. Kjo dua lejohet të bëhet në çdo xhami tjetër.

 Pasi të hysh në xhami, shpejto për të falur dy rekate përshëndetje xhamisë, nëse është e mundur në raudah, përndryshe falu kudo që të jesh brenda xhamisë.

 Pas kësaj vëllai im vizitor, shko tek varri i Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe qëndro i kthyer drejt tij. Jep selam duke filluar me Profetin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) me moral dhe me zë të ulët, duke thënë: Paqja, mëshira, dhe bereqeti i Allahut qoftë mbi ty o profet i dërguar. O Zot, jepi atij ndërmjetësimin dhe mirësinë, ngrije atë në vendin e nderit të cilin ia ke premtuar.

 O Zot, shpërbleje atë nga umeti i tij me shpërblimet më të mira, pas kësaj shko pak djathtas për të qëndruar para varrit të Ebu Bekrit, të sinqertit, ti japësh selam dhe të lutesh që Allahu ta mëshirojë, ta begatojë dhe të jetë i kënaqur prej tij. Edhe një herë shko djathtas për të qëndruar para varrit të Omerit, ti japësh selam dhe të lutesh që Allahu ta mëshirojë, ta begatojë dhe të jetë i kënaqur me të. Tek disa vizitorë vihet re që kur qëndrojnë tek varri i Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), bien në disa bidate të cilat nuk kanë origjinë në fenë tonë, dhe që nuk janë transmetuar që ti kenë bërë sahabët.

 P.sh.; të fërkuarit pas dritareve ku qëndron varri apo me cepat e xhamisë, të drejtuarit nga varri kur bëjnë dua, e më e sakta është që të drejtohemi nga Qabja.

 Pas kësaj, është sunet që të shkosh për të vizituar varret e Bekijes të cilat mbartin një numër të madh të sahabëve, ku në mesin e tyre është dhe prijësi i tretë i besimtarëve; Othman bin Afani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).

 Gjithashtu, vizita e varreve të dëshmorëve të Uhudit, ku në mesin e tyre qëndron zotëria i dëshmorëve; Hamza bin Abdulmutalib.

 Tu japësh selam dhe të lutesh për ta ashtu siç i ka mësuar Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) shokët e tij, që kur të vizitojnë varret të thonë: Paqja e Allahut qoftë mbi ju o banorë të këtyre varreve, besimtarë dhe muslimanë. Edhe ne në dashtë Allahu menjëherë do të vijmë pas jush, lusim Allahun për ne dhe për ju që të na falë.

 Gjithashtu, është sunet vëllai im vizitor që të shkosh tek xhamia e Kubasë i pastruar, sepse ajo është xhamia e parë që është ndërtuar në Islam. E viziton dhe falesh brenda saj, siç ka vepruar Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe ka nxitur për një gjë të tillë. Pas të gjitha këtyre që thamë, nuk ekziston xhami apo vend tjetër në Medine që duhet vizituar, prandaj njeriu të mos e vendosë veten në vështirësi duke u munduar sa këtej e sa andej, për gjëra që nuk kanë shpërblim.

 Kërkohet nga haxhiu dhe ai që bën umre që kur të kthehet në vendin e tij të kujtojë gjithmonë ritet që ka kryer në haxh, në mënyrë që sa herë ta thërrasë shpirti i tij për të bërë mëkat, të kujtojë qëndrimin e tij në Arafat, tavafin rreth shtëpisë së shenjtë, dhe përmendjen që i ka bërë Allahut në vende të ndryshme. Kjo e ndihmon atë që të ruhet më shumë nga mëkatet. E lus Allahun e Madhëruar për të gjithë që ta pranojë haxhin e tyre, tu falë mëkatet, dhe ta vlerësojë mundin e tyre. Vërtetë, Allahu ka fuqi mbi çdo send, dhe në fund përshëndetjet ia dërgojmë Muhamedit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), familjes dhe shokëve të tij.

 

Përktheu Fatjon Çorapi

No Comments

Leave a Comment