Shembuj nga dijetarët në përsëritjen e librave

October 2, 2017

Shembuj nga dijetarët në përsëritjen e librave.

Në rreshtat më sipër folëm për dashurinë e madhe të dijetarëve ndaj librave, leximin e tyre të vazhdueshëm ditën dhe natën, në vendin e tyre apo në udhëtim. Ndërsa kjo që do të shpalosim në vijim është një tjetër pamje prej dashurisë së tyre për librat dhe lidhjen e fortë me ta, dhe ajo është konkretisht zhytja në leximin e një libri të veçantë dhe qëndrimi me të vazhdimisht, në atë mënyrë që sapo e mbaronin leximin e tij një herë i ktheheshin leximit të tij sërish. Kështu e lexonin atë herë pas here.
Nuk ka nevojë të theksohet se sa e vështirë është për shpirtin që t’i rikthehet leximit të një libri që e ka lexuar një herë. Si mund të imagjinohet leximi i tij disa herë!
Për këtë arsye, prej porosive që jepnin dijetarët ishte edhe kjo: Kur ta lexosh një libër mos mendo se do t’i kthehesh edhe një herë leximit të tij, sepse ky mendim do të bëjë të humbasësh dhe anashkalosh dobi të shumta me shpresën se do t’i kthehesh leximit të tij përsëri.

Sido që të jetë kjo është çështje zakoni, kush e ka mësuar veten me leximin e një libri disa herë e ka të lehtë përndryshe nuk mundet. Ky i fundit le ta lexojë ashtu siç duhet librin që me herën e parë dhe të arrijë synimin e tij prej tij. Edhe pse mësimi me leximin e një libri disa herë – sidomos kur i kthehesh atij pas një farë kohe – të sjell përfitime të mëdha prej librit, çështje dhe dobi shkencore që nuk i ke vërejtur me leximin e tij të parë. Kjo për shkak të zgjerimit të perceptimit tënd dhe shtimit të kuptimit. Kjo është diçka e provuar, dhe do të vijë historia e Muzeniut me “Risalen” e Shafiut.
Madje kanë thënë: Leximi i një libri të vetëm tri herë është më i dobishëm se leximi i tri librave të ndryshëm me të njëjtën temë.

Këtu po përmendim disa prej historive të dijetarëve që kemi hasur, ku ata qëndronin me leximin e disa librave të veçantë dhe ishin të dashuruar pas tyre aq sa gati i mësonin ata përmendësh. Kësisoj ata nuk i ndanin nga vetja këta libra por i lexonin vazhdimisht, qofshin në vendin e tyre apo në udhëtim.

Leximi i Risale-s së Shafiut prej 50 vjetësh!

Ibnu Subkij përmend në “Tabekatush-shafiijetil kubra” tek jetëshkrimi i Rabia ibn Sulejman el Muzenij, shokut të Shafiut (viti 263) duke thënë: “Ka thënë el Enmatij nga Muzeniu: Unë kam 50 vjet që e lexoj Risale-n! Nuk di ta kem lexuar një herë e të mos kem përfituar prej tij diçka që nuk e kam ditur më parë.”

Leximi i Buhariut 700 herë!

Ka ardhur tek jetëshkrimi i imam Galib ibn Abdurrahman ibn Galib ibn Temam ibn Atijeh el Muharibij (viti 518), tek libri “El ghun’jeh” i Kadi Ijadit dhe tek “Es-sileh” i Ibn Bashkualit (sh.p. i biri i Paskualit, emër italjan) ku thotë: “Kam lexuar me shkrimin e njërit prej shokëve tanë se ai e ka dëgjuar Ebu Bekër ibn Atijeh të thotë se e ka përsëritur leximin e Sahih Buharit 700 herë!”

Leximi i Buhariut 150 herë!

Tek libri “Inbaul ghumr”, tek jetëshkrimi i Sulejman ibn Ibrahim ibn Umer Nefisudin el Uluij el Jemenij (viti 825) përmendet: Më ka treguar se ai e ka lexuar Sahih Buharin 150 herë, duke e lexuar vet, duke ia lexuar dikush tjetër dhe ai e dëgjonte, apo ua lexonte studentëve apo përpara dijetarëve, apo duke e krahasuar me kopjet që gjendeshin tek të tjerët.

Dhe tek “Fihresul feharis” i cili citon prej “Tabekatul khauas” i Sherxhij, përmendet se ai e ka lexuar Sahihun (e Buhariut) 280 herë, duke e lexuar vet, duke ia lexuar atij të tjerët, apo duke e dëgjuar atë nëpër mexhlise.
Ka ardhur tek libri “El bedrut-taliu” se ai e ka lexuar Buhariun më shumë se 50 herë. Me sa duket Sheukani nuk i ka numëruar këtu herët që e ka dëgjuar, që ua ka lexuar të tjerëve apo që e ka krahasuar me kopjet e të tjerëve.

Leximi i Sahih Buharit më shumë se 40 herë!

Tek jetëshkrimi i Ahmed ibn Uthman ibn Muhamed ibnul Kulutatij (viti 835) prej librit “El xhem’ul muessis” thuhet: “Pastaj iu bë i dashur kërkimi i dijes së hadithit dhe filloi të lexonte që nga viti 779 e në vazhdim. Nuk e ndërpreu asnjëherë kërkimin e diturisë e as u lodh prej saj. Ai ndoshta e lexoi Sahih Buharin më shumë se 40 herë.”

Leximi i Sahih Buharit më shumë se 100 herë!

Tek jetëshkrimi i Ebu Bekër ibn Muhamed ibn Abdullah ibn Mukbil el Kahirij el Hanefij, i njohur si tregtari (viti 805) nga libri “Ed dau’ul lamiu” citohet: “Ka thënë Burhan el Halebij – nxënësi i tij – se ai i ka treguar se e ka lexuar Sahih Buharin deri në vitin 780, 95 herë. Ai ka vazhduar ta lexojë edhe pas atij viti shumë herë të tjera.”

E ka lexuar “Buhariun” përpara 30 dijetarëve të ndryshëm.

Tek “Durratul hixhal” të Ibnul Kadij el Miknasij, tek jetëshkrimi i Uthman ibn Muhamed ibn Uthman et Tuzraj (viti 713) përmendet se ai e ka lexuar “Buharin” tek më shumë se 30 burra (dijetarë) prej shokëve të Busajrit.

E ka lexuar “Buhariun” përpara një shejhu më shumë se 20 herë.

Tek “Ibnaul Ghumr” tek jetëshkrimi i Es’ad ibn Muhamed ibn Mahmud esh Shirazij (viti 803), përmendet se ai e ka lexuar “Sahihul Buharin” përpara Shemsudin el Kirmanij më shumë se 20 herë.

E ka lexuar “Buhariun” më shumë se 60 herë dhe “Muslimin” më shumë se 20 herë.

Tek jetëshkrimi i Burhan el Hanbelij (viti 840) prej librit “Ed dau’ul lamiu” përmendet se ai e ka lexuar “Buhariun” më shumë se 60 herë dhe “Muslimin” gati 20 herë, pa llogaritur këtu leximin e tij gjatë kohës së kërkimit të diturisë (në rini) apo rastet që të tjerët i kanë lexuar ato përpara tij.

E ka lexuar “Buhariun” më shumë se 50 herë.

El Kitanij thotë në librin “Fihresul feharis”: “Kam hasur fjalët e Shihab Ahmed ibn Kasim el Buunij i cili thotë: Kam lexuar me shkrimin e Fejruz-Abadit tek vëllimi i fundit i “Sahihut” të imam Buhariut, ku thoshte se e ka lexuar Sahihul Buharin më shumë se 50 herë’!”

E ka lexuar “El muhedh-dheb” më shumë se 40 herë!

Umer ibn Semurah ka përmendur në “Tabekatu fukahail Jemen” tek jetëshkrimi i imamit, fekihut Jahja ibn Ebil Khajr el Imranij (viti 558) i cili tregon për veten e vet: Unë nuk e kam shkruar librin “Ez zeuaid alel muhedh-dheb” veçse pasi e kam mësuar atë përmendësh prej imamit Abdullah ibn Ahmed el Hemedani.” – Pastaj tregon se e ka përsëritur atë në ‘Uhadhah’ (fshat në Jemen), pastaj e ka lexuar atë pas gjithë këtyre – para se ta përpilonte – 40 herë apo më shumë.
Dhe tregon – Allahu e mëshiroftë – se e lexonte një pjesë gjatë ditës dhe natës, prej 41 pjesëve të “Muhedh-dheb”, dhe atë e lexonte 14 herë.

E ka lexuar “Mu’xhemul udeba” 8 herë.

Tregon shejhu, dijetari i madh Abdulaziz el Mejmenij er Raxhkutij (viti 1398) për veten e tij: E kam lexuar “Mu’xhemul udeba” të Jakutit së paku 7 apo 8 herë, dhe ai më pëlqen më shumë se libri “Uefejatul ea’jan”.

E ka lexuar librin “Et teudih” 70 herë dhe “Sherh Ibnul Musannif” më shumë se 30 herë.

Tek libri “Ed dau’ul lamiu”, tek jetëshkrimi i Ibrahim ibn Haxhaxh ibn Mihrez ibn Malik Ebu Is’hak el Ebnasij (viti 836) es Sehauij thotë: “Thuhet se ai e ka lexuar “Et teudih” më shumë se 70 herë dhe shpjegimin e atij libri të quajtur “Sherh ibnil Musanif” afro 30 herë.”

E ka lexuar “EL mudeuueneh” një mijë herë!

Ne përmendëm më parë tek historia e Ibnu Tiban ku folëm për durimin e tij të jashtëzakonshëm ndaj leximit dhe studimit, dhe aty cituam edhe fjalën e Kadij Ijadit për të që thotë: “Mësonte shumë. Përmendet se e ka lexuar një libër më shumë se 1000 herë!” E ka fjalën për librin “El mudeuueneh”.

Leximi i një libri 1000 herë!

Ebul Arab et Temimi përmend në “Tabekatu ulemai Ifrikijeh ue Tunis” tek jetëshkrimi i Abas ibnul Uelid el Farisij (viti 218), se në fund të njërit prej librave të tij kanë gjetur të shkruar: “E kam lexuar atë 1000 herë.”

Leximi i librave disa herë.

Kadi Ijad përmend tek “Tertibul medarik” tek jetëshkrimi i Imamit Ebu Bekër el Ebherij (viti 375) se ai ka thënë për veten e tij: “E kam lexuar “Mukhtesar ibni Abdilhakem” 500 herë, “El esedijeh” 75 herë, “Muuetta” 45 herë, “Mukhtesar el Berkij” 70 herë, dhe “El Mebsuut” 30 herë”!!!

Leximi i “Buhariut” dhe “Kesh-shafit” shumë herë.

Thotë El Muhibbij në librin “Khulasatul ether” tek jetëshkrimi i dijetarit të madh Alij ibn Abduluahid ibn Muhammed el Ensarij Ebul Hasen es Sixhilmasij el Xhezairij (viti 1057), se ai arriti pikën më të lartë në transmetim dhe mësim përmendësh dhe në leximin e shumtë. Aq sa njëri prej studentëve të tij thotë se ai i ka lexuar gjashtë librat e sunetit përpara mësuesve të tij me studim të teksteve të haditheve të tyre, dhe e ka lexuar “Buhariun” 17 herë në mësimet e tij, lexim të thelluar me studim të tij dhe saktësim. Dhe e ka kaluar “El Kesh-shaf”-in nga fillimi në fund 30 herë. Disa prej tyre lexim e disa shfletim (më i shpejtë).”

Aq sa ndonjëri prej tyre gati e kishte mësuar përmendësh librin për shkak të kohës së shumtë që kalonte me të.
Për shembull tek jetëshkrimi i Abdullah ibn Muhammed ibn Ferhun el Ja’murij (viti 769), përmendet se ai tregon për veten e tij: “Aq shpesh e kam kaluar tefsirin e Ibn Atijeh sa gati e di atë përmendësh!”

Tek jetëshkrimi i Ebul Kasim ibn Alij ibn Mesud esh Shatibij përmendet se ai gati e kishte mësuar përmendësh “Sahihul Buharin” për shkak të leximit të shumtë të tij në çdo Ramazan.
Në këtë temë vjen edhe ajo që ka përmendur Sekhauij në “Ed-dau” tek jetëshkrimi i Uthman ibn Abdullah Ebu Amr el Maksij (viti 877) se ai është marrë shumë me katër libra: “Et tenbih”, “El muhedh-dheb”, “El Behxheh” dhe librin bazë të tij, duke i lexuar dhe duke ua lexuar të tjerëve aq sa u bë shumë i fortë në to (sh.p. i kujtonte me lehtësi përmbajtjet e tyre).”

Tek jetëshkrimi i Ahmed ibn Umer en Nashirij el Jemanij qëndron se: “Ai u bë i famshëm si njohës i mirë i librit “El Uesit”, aq sa e dinte mirë se ku gjendej një çështje e caktuar tek ai në cilën faqe, edhe pasi u verbua!”

 

“Nxitësi i leximit”

Përktheu: Emin Bilali

Loading...