Të mësojmë nga historia jonë e ndritur.

El Harith ibn Miskin ka qenë një dijetar i madh i cili nuk pranoi të thoshte se Kurani është i krijuar dhe për këtë u burgos nga pushtetari i asaj kohe Me’muni. Kur në pushtet erdhi Xha’fer el Muteuekkil e liroi dhe e bëri Gjykatës të Egjiptit. Siç bëri Allahu i Madhëruar me Profetin Jusuf – alejhisselam – i cili pasi duroi sprovën e burgut u ngrit në rangun e ministrit të thesarit. Sepse Allahu i Lartësuar e ka bërë ligj: “… Ne nuk ua humbasim shpërblimin vepërmirëve” (Jusuf: 52)

Kur Imam Nesaij përcjell hadithet që ka dëgjuar prej Harithit nuk thotë: “na ka thënë” e as “na ka treguar” siç thotë për mësuesit e tij të tjerë, por thotë: “kemi dëgjuar prej tij kur të tjerët ja lexonin”.

Për këtë dijetarët kanë thënë dy versione:

I pari është se Harithi ishte gjykatës dhe mes tij dhe imam Nesait kishte pak ashpërsi, për këtë arsye ai nuk e lejonte që të ulej në tubimet e tij. Prandaj imam Nesaij fshihej diku dhe dëgjonte prej tij pa e parë ai. Për këtë arsye u tregua i kujdesshëm dhe nuk tha: “na ka thënë” e as “na ka treguar”, sepse kjo do të nënkuptonte sikur ai i ka folur drejtpërdrejtë, gjë që s’është e vërtetë, por tha: “kanë lexuar në prani të tij dhe unë e kam dëgjuar”.

Versioni i dytë është se Harithi kishte diskutuar disa punë të pushtetarit dhe kur imam Nesai erdhi tek ai me një veshje që nuk ishte e njohur për banorët e atij vendi, ai mendoi se mos ishte ndonjë nga spiunët e sulltanit dhe nuk e lejoi të qëndronte në tubimet e tij, për këtë arsye ai dëgjoi prej tij fshehtas, por u tregua i kujdesshëm kur i shënoi hadithet që dëgjoi prej tij në “sunenin” e vet.

Kjo është këmbëngulja e kërkuesit të diturisë, sepse ‘kush dëshiron diçka gjen mënyrën, ndërsa kush nuk e dëshiron gjen justifikimin’. Dhe kjo është devotshmëria e Imam Nesait dhe vërtetësia e tij në fjalë.

Allahu i mëshiroftë të gjithë dijetarët tanë të sunetit.