Vlera e muajit Muharrem dhe agjërimit të Ashurasë

November 8, 2013

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Atë që Allahu e udhëzon në rrugën e drejtë me mirësinë e Tij, nuk ka kush ta humbasë, dhe atë që Ai e lë në humbje me drejtësinë e Tij, nuk ka udhëzim për të. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç  Allahut, Një i vetëm, i pa ortak, dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij. Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të nderuar, mbi shokët e tij besnikë dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë  rrugën e tij deri në Ditën e Fundit.

Muaji Muharrem është muaji i parë prej muajve hixhri (hënor) në kalendarin Islam, dhe këtë muaj Allahu e ka veçuar me vlera të veçanta nga muajit e tjerë. Prej veçorive të këtij muaji është se i Dërguari i Allahut – salallahu alejhi ue sel lem – i ka nxitur besimtarët që të shtojnë në të agjërimin vullnetar.

Transmeton imam Muslimi nga hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas muajit të Ramazanit është agjërimi në muajin e Muharremit, dhe namazi më i mirë pas namazeve të detyruara është namazi i natës”. Ndaj ky muaj duhet të jetë për besimtarin muaj i shtimit të agjërimit, për vlerën e madhe që ka agjërimi në të tek Allahu i Lartësuar.

Gjithashtu ky muaj veçohet në vlera dhe mirësi se në ditën e dhjetë të këtij muaji, Allahu i Lartësuar e ka shpëtuar Pejgamberin e Tij, Musain – alejhis selam – dhe popullin e tij nga Faraoni dhe pasuesit e tij. Dhe kjo ditë quhet ndryshe  dita e Ashurasë (që do të thotë ‘e dhjeta’ duke iu referuar ditës së dhjetë të muajit Muharrem kur ka ndodhur kjo histori).

Transmeton imam Buhariu nga hadithi i Abdullah ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se ka thënë: “Kur erdhi i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem në Medine i gjeti çifutët duke agjëruar ditën e Ashurasë dhe i pyeti: “Pse e veproni këtë?” Ata i thanë: “Kjo është ditë e dalluar. Në këtë ditë Allahu i shpëtoi çifutët nga armiku i tyre, ndaj Muasai e agjëroi këtë ditë”. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Unë jam më përparësor në raport me Musain se sa ju” ndaj e agjëroi atë ditë dhe urdhëroi për agjërimin e saj.” Në transmetimin e imam Muslimit ka një shtojcë ku tregohet se çifutët thanë: “Musai e agjëroi atë ditë si falënderim ndaj Allahut, ndaj dhe ne e agjërojmë”.

I Dërguari i Allahut – salallahu alejhi ue sel lem – i ka nxitur muslimanët që ta agjërojnë këtë ditë, dhe ka treguar vlerat e saj në hadithe të tjera, siç tregohet psh në hadithin që e transmeton imam Muslimi nga Ebu Katadeja (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se ai ka thënë: Është pyetur i Dërguari i Allahut – salallahu alejhi ue selem – për agjërimin e ditës së Ashura-së dhe ka thënë: “I shlyen gabimet e vitit të shkuar”. Kurse në hadithin që e transmeton Ibn Maxheh në Sunenin e tij, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shpresoj tek Allahu që agjërimi i ditës së Ashurasë të shlyejë gjynahet e vitit para saj”.

Gjithashtu për vlerën e kësaj dite në hadithin që e transmeton Taberani nga Ebu Seid el-Hudrij (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai i cili agjëron ditën e Arafatit, i shlyhen gjynahet e vitit para tij dhe vitit pas tij. Kurse ai i cili agjëron ditën e Ashurasë i falen gjynahet e një viti”.

Ndaj i Dërguari i Allahut – sal lallahu alejhi ue sel lem – kujdesej për agjërimin e kësaj dite, ashtu siç kujdesej për agjërimin e muajit të Ramazanit, siç transmeton imam Muslimi nga Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se ka thënë: “Nuk e kam parë Pejgamberin – sal lall llahu alejhi ue sel lem – të ruante mirësinë e agjërimit të ndonjë dite, siç bënte me ditën e Ashurasë, dhe as të ndonjë muaji tjetër siç bënte me muajin e Ramazanit”.

SË FUNDMI VLEN TË PËRMENDIM SE:

Tradita e Pejgamberit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – në agjërimin e kësaj dite, është që kjo ditë të shoqërohet me agjërimin e një ditë para saj, dmth me agjërimin e ditës së nëntë dhe ditës së dhjetë në mënyrë që t’i kundërshtojmë cifutët në mënyrën e agjërimit të tyre. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem – në hadithin që e transmeton imam Muslimi nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: “Nëse do të jetoj deri në vitin e ardhshëm, nëse dëshiron Allahu do ta agjëroj edhe ditën e nëntë”, dmth do ta agjëroj edhe ditën e nëntë bashkë me ditën e dhjetë. Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: Nuk erdhi viti tjetër (Ashuraja e ardhshme) vetëm pasi që i Dërguari i Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem – ndërroi jetë.

Megjithëse i Dërguari i Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem – nuk e veproi me veprën e tij, ai ua la porosi besimtarëve që ditën e dhjetë të muajit Muharrem ta shoqërojnë në agjërim me ditën e nëntë, në mënyrë që të jetë një formë kundërshtimi me mënyrën e festimit të kësaj dite nga çifutët.

VËREJTJE:

Duhet të theksojmë se agjërimi i kësaj dite nuk ka lidhje me festën e “ashures” që është e përhapur në vendin tonë. Siç e theksuam edhe më lartë se kjo ditë është emëruar  ‘Ashura’ sepse është dita e dhjetë e muajit Muharrem dhe vjen nga numri dhjetë, që në gjuhën Arabe i thuhet “ashratun” (ndërsa ‘ashura’ dmth: ‘e dhjeta’. Ndaj kjo ditë nuk ka aspak lidhje as me festën e dervishëve, apo bektashinjve që fatkeqësisht kjo ditë u atribuohet atyre, e as me festimin që i bëhet asaj duke gatuar ëmbëlsirën e ‘ashures’. Kjo ditë agjërohet si falënderim dhe madhërim ndaj Allahut, që shpëtoi Pejgamberin e Tij, Musain – alejhis selam – dhe popullin e tij nga armiku i tyre. Ndaj le të mundohet secili prej nesh në shoqërinë e tij, për ta ndryshuar këtë kuptim të shtrembër që populli ynë i ka dhënë ditës së Ashura-së, duke ua sqaruar me butësi dhe informim në formën më të mirë.

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar,  dhe paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit, Muhamedin – sal lall llahu alejhi ue sel lem -, mbi familjen e tij të nderuar, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tyre deri në Ditën e Fundit.

 

Përgatiti: Ylli Rama.

Loading...