Më vijnë vesevese (dyshime, ngacmime) sa i takon ekzistencës së xhenetit, zjarrit dhe botës tjetër, çfarë këshille na jepni

January 16, 2016

Pyetje: Ndonjëherë më vijnë vesevese (dyshime, ngacmime) sa i takon ekzistencës së xhenetit, zjarrit dhe botës tjetër, çfarë këshille na jepni që të ruhemi prej këtyre ngacmimeve?

Përgjigje: Falenderoje Allahun sepse je në mirësi dhe ajo që ndien në brendesinë e shpirtit tënd nuk përbën asnjë problem.
E them këtë, sepse njeriu kur i ndien këto vesvese, ky është tregues i pastërtisë së shpirtit. Eshtë saktësuar tek Muslimi në kreun e Imanit me temë: “Vesveset në Iman (besim)” nga Ebu Hurejra i cili ka thënë: Erdhën disa njerëz, prej shokëve të Profetit (alejhi selam) dhe e pyetën: Ne ndiejmë në vetet tona gjëra që na duken të mëdha nëse i shprehim. Profeti (alejhi selam) u tha: A e keni arritur këtë gjendje? Po, thanë ata. Atëherë i Dërguari i Allahut u tha: “Ky është imani i qartë, në një version tjetër thuhet: ky është thelbi i imanit.”

Kur e pyetën Aliun se si mund të konsiderohet kjo gjë thelbi i imanit? Ai tha: A e keni vënë re hajdutin? Ai gjithmonë synon shtëpitë me vlerë, prandaj edhe njeriu ndien në shpirt vesvese, për shkak të imanit të pastër që ka, ndërsa në zemrën e atij ku shejtani ka ndërtuar folenë, ai nuk i ndien fare vesveset (cytjet).
Për këtë arsye i Dërguari i Allahut thoshte: “Nuk do te bëhet kiameti, derisa ti vijë shejtani ndonjërit prej jush e t’i thotë: Kush e krijoi këtë? Allahu, do të përgjigjet njeriu! Po këtë kush e krijoi? Allahu, do të thotë përsëri dhe në fund do e pyesë: Kush e krijoi Allahun? Këtu i Dërguari i Allahut tha: Ai që e ndien këtë në shpirtin e tij, të kërkojë mbrojtje tek Allahu, nga shejtani i mallkuar dhe të pështyjë në të majtën e tij.
(Në një version tjetër) thuhet: Le të lexoje suren El Ihlas.
Pra, kjo është shenjë e mirë e cila u ka ndodhur dhe e kane ndierë edhe shokët e Profetit alejhi selam, por që mund të largohet duke i kërkuar ndihmë Allahut të të ruajë nga shejtani i mallkuar.

Mesh’hur Hasen al Selman.
Përktheu Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...