Burri që e humbi rrugën e drejtë me dije.

February 13, 2016

Burri që e humbi rrugën e drejtë me dije.

Allahu i Madhëruar në Kuran ka marrë shumë shembuj nga kohët e kaluara në mënyrë që ato të shërbejnë si mësime për brezat e mëvonshëm. Prej këtyre shembujve ka shembuj të mirë si shembulli i Profetëve të Allahut dhe ndjekësve të drejtë të tyre, të cilët janë marrë për tu ndjekur dhe ka gjithashtu edhe shembuj të këqij si shembujt e mohuesve dhe kundërshtarëve të Profetëve të cilët janë marrë për tu ruajtur nga ndjekja e rrugës së tyre.

Njëri  prej këtyre shembujve është edhe ai i sures El-Earaf, ku Allahu i Madhëruar thotë:
“(O Muhamed!) Lexoju atyre lajmin e atij që ne i dhamë prej argumenteve tona dhe ai u zhvesh prej tyre. Atëherë atë e ndoqi shejtani dhe ai u bë prej të humburve * Nëse do të donim do ta kishim ngritur me ato por ai u kap fort pas tokës dhe ndoqi dëshirat e tij. Shembulli i tij është si shembulli i qenit, nëse e tremb e nxjerr gjuhen jashtë dhe nëse nuk e tremb ai prapë e nxjerr gjuhën jashtë. Kështu janë ata të cilët përgënjeshtrojnë argumentet tona prandaj tregoji historitë se ndoshta ata meditojnë (i thërrasin mendjes)” suretu El-Eraf: 175-176

Fjala e Allahut [i dhamë prej argumenteve tona] dmth i dhamë dije nga libri i Allahut sepse fjala [ajet] të cilën e përkthyem me fjalën [argument], përdoret në kuran me kuptim libri i Allahut siç thuhet në suren “Muminun” se mohuesve në zjarr do tu thuhet: “A nuk ju janë lexuar ajetet e mia dhe ju i përgënjeshtronit ato” [ajetet e mia] dmth libri im.

Fjala e Allahut [ai u zhvesh prej tyre] dmth: I la porositë e Allahut siç e le kafsha e therur lëkurën kur rrjepet sepse fjala [selekha] të cilën këtu e përkthyem [u zhvesh] për përshtatje, në origjinë përdoret për rrjepjen e bagëtive dhe është përdorur këtu për të treguar largimin e plotë nga porositë e Allahut.

Fjala e Allahut [Atëherë atë e ndoqi shejtani] dmth kur u largua prej porosive të Allahut ra viktimë e shejtanit siç bie gjahu prehe e luanit ndërkohë që më përpara ishte i ruajtur prej tij.

Fjala e Allahut [dhe ai u bë prej të humburve] dmth prej atij lloji njerëzish që punojnë të kundërtën e asaj që dinë dhe kjo është humbja më e shëmtuar sepse fjala [gaua] e përdorur në këtë ajet për të treguar humbjen e tij përdoret siç thonë komentuesit e kuranit për ata që humbin duke e ditur se çpo bëjnë ndërsa për ata që humbin nga injoranca përdoret fjala [dal-le].

Fjala e Allahut [Nëse do të donim do ta kishim ngritur me ato] dmth do ta kishim ngritur lart në grada me dijen që i dhamë mirëpo Allahu nuk deshi ta ngrejë sepse Allahu ngritjen nuk e bën vetëm me dije por duke punuar me të në kënaqësi të tij. Kështu duhet kuptuar edhe një ajet tjetër ku Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ngre ata që besuan prej jush dhe ata që u është dhënë dija në grada” suretu Muxhadile: 11. Dmth: i ngre për shkak të besimit dhe dijes por me kusht që shoqërohet me punë.

Fjala e Allahut [por ai u kap fort pas tokës dhe ndoqi dëshirat e tij] El-Kelbij një prej komentuesve të kuranit thotë: Ai u kap pas punëve të ulta dhe la punët e larta. Pra atij iu dha mundësia për tu kapur pas gjërave të larta të cilat do ta kishin ngritur në dynja dhe ahiret mirëpo ai preferoi punët e ulta duke ndjekur dëshirat e tij dhe prandaj këtu është marrë për shembull toka se ajo është vendi më i ulët siç thuhet dhe në një ajet tjetër “Jo, por libri i të shthururve është në vende të ulëta” pastaj “Jo, por libri i të mirëve është në vende të larta” suretu El-Mutaffifin: 7-18. Shumë komentues të kuranit thonë vendi i ultë është toka e shtatë dhe vendi i lartë është qielli i shtatë.

Fjala e Allahut [Shembulli i tij është si shembulli i qenit, nëse e tremb e nxjerr gjuhen jashtë dhe nëse nuk e tremb ai prapë e nxjerr gjuhën jashtë] dmth: ky njeri i cili vendosi të kundërshtonte Allahun pavarësisht se u këshillua apo jo, shembulli i tij në mbajtjen e të njëjtit qëndrimi në të dyja rastet është si shembulli i qenit i cili nuk i ndahet prej zakonit të nxjerrjes së gjuhës jashtë pavarësisht se e ndjek apo nuk e ndjek atë njeri.

Ky zakon i nxjerrjes së gjuhës është edhe te kafshët e tjera mirëpo ato e nxjerrin vetëm në rast lodhje e mundimi të madh kurse qeni e nxjerr atë gjithmonë me arsye dhe pa arsye dhe prandaj është marrë për shembull në këtë ajet.

Fjala e Allahut [Kështu janë ata të cilët përgënjeshtrojnë argumentet tona prandaj tregoji historitë se ndoshta ata meditojnë] dmth si ky lajm i çuditshëm që ju treguam është edhe shembulli i atyre që përgënjeshtrojnë argumentet tona pasi që janë njoftuar me to prandaj tregoje këtë histori se ndoshta ata meditojnë.

Në këtë shembull të marrë në këto ajete shumë prej komentuesve të kuranit mendojnë të jetë për qëllim një njeri nga Beni Israilët që quhet Bel’am bin Baura i cili ishte njeri me dije dhe dinte emrin e madh të Allahut dhe kur i lutej atij për diçka i pranohej lutja. Ai këtë dije që kishte në vend që ta përdorte për të ndihmuar të vërtetën dhe pasuesit e saj e përdor kundra tyre dhe siç thuhet se ai bëri dua kundra profetit të Allahut Musës alejhi selam dhe mbajti krahun e kundërshtarëve të tij për qëllime të ulta dynjaje dhe kështu humbi rrugën e drejtë edhe pse e dinte fare mirë atë duke u bërë kështu shembull i atyre që humbin me dije –Allahu na ruajt prej këtij përfundimi-!

Kushdo që është njohur me udhën e drejtë, librin dhe porositë e Allahut, pastaj u kthen atyre shpinën dhe punon të kundërtën duke u dhënë përparësi punëve të ulëta është si shembulli i këtij njeriu që refuzoi të ngrihej lart e të shpërblehej prej Allahut madhëruar!
Një hadith është përcjellur nga Profeti -alejhi selam- dhe trajton të njëjtën çështje siç transmetohet nga Hudhejfja -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Gjëja që kam më shumë frikë për ju është një burrë i cili e ka lexuar kuranin derisa është i është parë bukuria e tij mbi fytyrë dhe është përkrahës i islamit pastaj zhveshët prej tij dhe hedh atë pas shpine dhe ndjek komshiun e tij me shpatë dhe i thotë atij mushrik”. Hudheifja e pyet: O i dërguari i Allahut, cili prej tyre ka më të drejtë të jetë mushrik ai që e tha fjalën apo ai që ju tha? Profeti -alejhi selam- i thotë: “Ai që e tha fjalën” e transmeton Ibn Hibbani dhe e saktëson sheikh Albani.
Ky hadith u shkon shumë përshtat khauarixhëve dhe tregon se shembulli i tyre është i barabartë me shembullin e Bel’am bin Baura dhe se ekstremizmi është një mënyrë tjetër e humbjes me dije.

Dhe së fundi i lutemi Allahut duke thënë: O Allah, mos na i devijo zemrat pasi që na udhëzove në rrugë të drejtë dhe na jep prej mëshirës tënde sepse ti je dhurues i madh!

 

Shkroi Dr Abdullah Nabolli

Loading...