I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
“Me të vërtetë që nëse e lë diçka për hir të Allahut, Ai do ta zëvendësojë me një tjetër më të mirë se ajo.” Transmeton imam Ahmedi në “Musnedin” e tij me nr. 20738 dhe 23073. E ka saktësuar zinxhirin e transmetimit shejh Albani sipas kushteve të Muslimit në librin “Ed-Daijfeh” 1/62.
Ka thënë Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë:
Shprehja “Ai i cili lë diçka për hir të Allahut Ai ia zëvendëson me një tjetër më të mirë se ajo” është e vërtetë. Mënyrat dhe format e zëvendësimit mund të jenë të shumta dhe të ndryshme, ndërsa forma më e mirë është; afërsia me Allahun, dashuria e Tij, qetësimi i zemrës me Të, forca që ka zemra, zelli, gëzimi dhe të kënaqurit e saj prej Zotit të Madhëruar. “El-Feuaid” 107.
Ndërsa prej shembujve të zëvendësimit në këtë botë që ka përmendur Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, është rasti i Sulejmanit:
Kur Sulejmani i biri i Daudit theri kalin të cilin e hutoi nga namazi i ikindisë deri në perëndim të diellit, atëherë Allahu i Madhëruar ia nënshtroi erën me të cilën udhëtonte aty ku dëshironte.
Gjithashtu, është dhe rasti i muhaxhirëve (muslimanëve në Meke të cilët emigruan në Medine) që lanë shtëpitë dhe vendin e tyre për hir të Allahut që ishin gjërat më të dashura për ta. Atëherë Allahu u hapi atyre dyert e kësaj bote dhe u mundësoi të mbretëronin botën nga lindja e deri në perëndim.
Nëse hajduti do ta kishte frikë Allahun dhe do linte vjedhjen e pasurisë së ndaluar, atëherë Allahu do t’ia zëvendësonte me pasuri tjetër hallall të barazvlefshme ose më të madhe. Allahu i Madhëruar ka thënë: “E ai i cili e ka frikë Allahun Ai do t’i bëjë rrugëdalje e do ta furnizojë prej nga nuk e pret.” | Surja Talak: 2-3 |
Gjithashtu, nëse ai që kryen imoralitet do ta linte veprën e tij të ndaluar për hir të Allahut, atëherë Allahu do t’ia shpërblente me hallall më të mirë se vepra e ndaluar. “Raudatul muhibijn” fq. 445-446.
Zëvendësimi i të mirave të botës tjetër nuk krahasohet me mirësitë e kësaj dynjaje.
Ka thënë Ibën Dekijk el Ijd, Allahu e mëshiroftë:
“Është e ditur se të gjitha mirësitë e kësaj bote nuk janë të barabarta as me një grimcë të Xhenetit.” “Fet-hul Bari” 6/14.
Gjithashtu, Es-Sindi ka thënë:
“Një grimcë e vetme prej botës tjetër është më e mirë se e gjithë dynjaja dhe çka ka në të.” “Hashijet Ibën Maxheh” 1/356.
Përgatiti dhe përktheu: Ardit Ulqinaku
Dosje: Dynjaja