Transmetohet nga Ebu Seid el-Hudriu, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-Allahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Ai i cili agjëron një ditë (vullnetare) në rrugën e Allahut, atëherë si shkak i saj Allahu ka për t’ia larguar fytyrën prej zjarrit për 70 vjet.” Transmeton Buhariu 6/47, 2840, dhe Muslimi me nr. 1153.
Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Allahu i Madhëruar ka thënë: Çdo vepër e njeriut është për të përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë jap shpërblimin për atë vepër. Agjërimi është mburojë (nga zjarri dhe mëkatet). Ai që agjëron le të mos flasë fjalë të ulëta dhe mos ta ngrejë zërin e tij. E nëse atë e shan dikush atëherë le t’i thotë që është agjërueshëm. Pasha Atë që në Dorën e Tij është shpirti i Muhamedit! Aroma e gojës se agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa aroma e miskut (lloj parfumi). Agjëruesi ka dy gëzime; kur e çel agjërimin dhe kur ta takojë Zotin e tij do të gëzohet për agjërimin e tij.” Transmeton Buhariu 4/103, 1894, dhe Muslimi me nr. 1151.
Shpjegimi:
Agjërimi është prej adhurimeve me pozitë të lartë. Këtë ibadet Allahu e ka veçuar për Veten e Tij dhe i ka premtuar agjëruesit shpërblim të madh. Agjërimi është mburojë nga mëkatet dhe nga zjarri. Ai është gjithashtu shkak për largimin nga ky zjarr në ditën e gjykimit. Prandaj besimtarit i takon që të shpejtojë drejt kësaj vepre madhështore dhe të durojë ato pak vështirësi që ka ky adhurim. Pas atyre vështirësive vjen gëzimi i madh në ditën e Fitër Bajramit, si dhe gëzimi kur agjëruesi takon Allahun e Madhëruar në ditën e gjykimit.
Dobitë:
- Vlera që ka agjërimi dhe shpërblimi i madh.
- Ai është mburojë nga mëkatet dhe zjarri.
- Ai është shkak për largimin nga ky zjarr në ditën e gjykimit.
Shkëputur nga libri: “Mësimet e përditshme”.
Shkroi: Rashid El-AbdulKerijm
Përktheu: Ardit Ulqinaku
Dosje: Bajramet