Pendimi

February 17, 2023

Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe që të gjithë ju lutni Allahun që t’ju falë o besimtarë, që të mund të jeni të fituar.” |Nur: 31|

Gjithashtu ka thënë: “O ju që keni besuar! Kthejuni Allahut me një pendim të çiltër e të vërtetë!” |Tahrim: 8|

Transmetohet nga El Egarr ibn Jeser el Muzenij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:

“O ju njerëz! Lutjuni Allahu që t’ju falë dhe pendohuni tek Ai! Me të vërtetë që unë i kërkoj falje Atij njëqind herë në ditë.” Transmeton Muslimi me nr. 2702, dhe Ebu Daudi me nr. 1515.

Transmetohet nga Enes ibn Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Allahu gëzohet me pendimin e robit të Tij më shumë sesa dikush i cili ka udhëtuar me deve nëpër shkretëtirë dhe i ka humbur, duke pasur aty ushqimin dhe ujin e tij, e ai e ka humbur shpresën për ta gjetur përsëri. Në atë gjendje shtrihet nën hijen e një peme, ndërkohë i shfaqet përballë deveja që kishte humbur. Ai ngrihet dhe e kap për litari, dhe nga gëzimi i madh thërret duke thënë: O Zoti im! Ti je robi im ndërsa unë jam zoti yt, – duke u shprehur gabimisht nga gëzimi i madh.” Transmeton Buhariu me nr. 6309, dhe Muslimi me nr. 2747.

Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Seid el-Hudriu, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Njëherë e një kohë, përpara jush ka ekzistuar një njeri i cili ka vrarë nëntëdhjetë e nëntë vetë. Ai pyeti për njeriun më të dijshëm që gjendej në atë kohë dhe e drejtuan tek një asket (njeri që bënte shumë adhurim). Shkoi dhe i tha që kishte vrarë nëntëdhjetë e nëntë vetë, dhe e pyeti se a ka pendim për të. Ai iu përgjigj duke i thënë që nuk ka pendim për ty, e si pasojë e kësaj përgjigjeje ai e vrau, dhe me të i plotësoi njëqind vetë. Pastaj pyeti përsëri për njeriun më të ditur në tokë dhe e drejtuan tek një dijetar. Ai i tregoi se ka vrarë njëqind njerëz dhe e pyeti se a ka pendim për të. Ai iu përgjigj duke i thënë:

Sigurisht që ka, askush nuk mundet të të pengojë prej pendimit. Shko në filan vend ku banojnë njerëz të cilët e adhurojnë Allahun. Adhuroje Allahun me ta dhe mos u kthe asnjëherë në vendin tënd, sepse ai është një vend i keq.

Ai (vrasësi) u nis derisa arriti në gjysmë të rrugës, e aty ndërroi jetë. Atëherë filluan të debatojnë engjëjt e mëshirës me ata të dënimit. Engjëjt e mëshirës thanë që ai erdhi i penduar dhe me zemrën e drejtuar nga Allahu i Madhëruar. Ndërkohë që engjëjt e dënimit thanë që ky njeri nuk ka vepruar asnjë vepër të mirë në jetën e tij. Në ato momente shfaqet një engjëll që kishte marrë formën e një njeriu dhe e caktuan si gjykatës në mesin e tyre. Ai u tha:

“Matni në mes dy vendeve, vendit të adhurimit dhe atij të mëkateve. Më afër cilit vend të jetë atij vendi i takon.” Ata e matën dhe konstatuan se ishte më afër vendit drejt të cilit ishte nisur, vendit të adhurimit, ndaj e morën engjëjt e mëshirës.”

Ka ardhur në një transmetim tjetër në “Sahihun” e Buhariut: “Allahu e urdhëroi njërën anë të tokës të largohej dhe njërën anë të afrohej.” Transmeton Buhariu 6/512, dhe Muslimi 2766.

Shpjegimi:

Pendimi është një ndër veprat më të dashura tek Allahu i Madhëruar. Ai është shkak i shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu i ka urdhëruar besimtarët të pendohen dhe i ka nxitur drejt teubes, duke patur parasysh mirësinë dhe mëshirën e madhe që ka. Gjithashtu, Ai nuk shpejton dënimin për robërit e Tij gjynahqarë. Ai gëzohet me pendimin e njeriut edhe pse nuk ia ka nevojën, dhe e pranon pendimin prej çdo lloj mëkati sado i madh të jetë ai.

Dobitë:

  • Obligushmëria e pendimit për tek Allahu në çdo kohë.
  • Vlera dhe pozita e pendimit tek Allahu, duke parë se është shkak për shpëtim dhe se Allahu gëzohet për të.
  • Pendimi është i vlefshëm për të gjitha mëkatet sado të mëdha qofshin.
  • Mëshira dhe mirësia e madhe e Allahut duke parë se e pranon pendimin, sado të mëdha qofshin mëkatet.

 

Shkëputur nga libri: “Mësimet e përditshme”.

Shkroi: Rashid El-AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Loading...