Kurani qetëson zemrën dhe vendos sigurinë

March 7, 2023

21- Kurani qetëson zemrën dhe vendos sigurinë. Besimtarët e dinë se ai është argumenti më i madh me të cilin zemrat gjejnë qetësinë dhe ëmbëlsinë e sigurisë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që besuan dhe zemrat e të cilëve qetësohen me përmendjen e Allahut. Me të vërtetë, përmendja e Allahut i qetëson zemrat.” |Er Ra’d: 28|

Nëse ndonjëri prej muslimanëve është i prekur nga ankthi, depresioni ose ndonjë sëmundje, le të dëgjojë Kuranin fisnik nga një këndues që ka zë të mirë, si p.sh. El-Menshaui apo dikush tjetër. I dërguari i Allahut ka thënë: “Zbukurojeni Kuranin me zërat tuaj, sepse me të vërtetë zëri i këndshëm e shton bukurinë e Kuranit.”[1]

22- Kurani famëlartë në shumicën e sureve të tij fton për njëshmërinë e Allahut, dhe në veçanti për njëshmërinë e Allahut në; adhurim, lutje (dua), dhe kërkimin e ndihmës. Prandaj në pjesën e parë të Kuranit, suren El-Fatiha gjen thënien e Allahut. “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” Kjo do të thotë se ne nuk adhurojmë askënd përveç Teje dhe nuk kërkojmë ndihmë nga askush përveç teje O Allah.

Ndërsa në fund të Kuranit në suren el Ihlas, el Felek dhe en Nas, gjejmë se njëshmëria e Allahut manifestohet qartë në thënien e Tij. “Thuaj se Ai është Allahu Një.” Si dhe në ajetin tjetër: “Thuaj: Kërkoj strehim te Zoti i agimit!” Si dhe në ajetin tjetër: “Thuaj: Kërkoj strehim te Zoti i njerëzve!” Ndërsa në suren el Xhin lexon ajetin: “Thuaj: Unë i lutem Zotit tim dhe nuk i bëj shok Atij askënd.” |El Xhin: 20| Gjithashtu lexon ajetin: “Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt krahas Allahut!” |El Xhin: 18|

Edhe në suret e tjera të Kuranit ka ajete të shumta që flasin për njëshmërinë e Allahut, Është e çuditshme kur njëri nga ata që supozohet të ketë njohuri prej sufijve, kur i pa këto ajete të vendosura në dyert e xhamisë tha: “Këto janë ajetet e Vahabijve”, – sepse ndalojnë nga lutja e dikujt tjetër përveç Allahut.

Në një rast tjetër, një profesor sufi më tha: “Ajeti “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” është ajet Vahabi, sepse ai fton në kërkimin e ndihmës vetëm prej Allahut!!

23- Kurani fisnik është burimi i parë i legjislacionit islam, i shpallur nga Allahu i Lartësuar tek i dërguari ynë Muhamedi salAllahu alejhi ve sel-lem. Ai erdhi për t’i larguar njerëzit nga errësira e mosbesimit, shirkut dhe injorancës, për në dritën e besimit (imanit), njëshmërisë së Allahut dhe diturisë. Allahu i Lartësuar ka thënë “Këtë libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit me lejen e Zotit të tyre nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd.” |Ibrahim: 1|

24- Kurani fisnik na informon për ngjarjet që do të ndodhin në të ardhmen të cilat nuk mund të dihen veçse përmes shpalljes, siç është fjala e Allahut: “Numri i madh do të mposhtet dhe ata do të ikin.” |El Kamer: 45| Në fakt ashtu ndodhi, sepse idhujtarët u mundën në ditën e Bedrit dhe ikën nga fusha e betejës.

Kurani gjithashtu na informon për shumë ngjarje të tjera që kanë ndodhur, siç është p.sh. fitorja e romakëve ndaj persëve.

25- Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu gjatë leximit të Kuranit, dhe kjo bazuar në fjalën e  Allahut që thotë: “Kur dëshiron të lexosh Kuranin kërko mbrojtjen e Allahut kundër djallit të mallkuar.” |En Nahl: 98|

26- Domosdoshmëria e dëgjimit dhe heshtjes gjatë leximit të Kuranit, sidomos për ata që falen pas një imami në namaz apo gjatë hytbes së xhumasë. Kjo bazuar në fjalën e Allahut që thotë: “Kur të lexohet Kurani dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.” |El A’raf: 204| Prandaj, kur të lexohet Kurani dëgjojeni atë që t’i kuptoni ajetet e tij, dhe heshtni që ta kuptoni atë në mënyrë që të fitoni mëshirën e Zotit tuaj.[2]

PËRMBLEDHJE

Veçoritë dalluese të Kuranit janë të shumta dhe Allahu i ka përshkruar ato me thënien e Tij: “Ai është vërtet një libër i madhërueshëm. Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.” |Fusilet: 41-42|

I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve sel-lem, për të ka thënë: “Ju kam lënë dy gjëra pas të cilave nuk do të humbni; librin e Allahut dhe sunetin tim, dhe ato nuk do të ndahen derisa të më tregohet haudi (burimi).”[3]

Gladstone, kryeministri i mëparshëm i Britanisë tha: Për sa kohë që ky Kuran vazhdon të jetë ende, Europa nuk do të jetë në gjendje të sundojë mbi lindjen Islame.

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Përktheu: Fatjon Isufi

—————————————–

[1] Hadith i saktë. Shih librin “Sahih el xhami” të Albanit.

[2] “Tefsiri” i Taberiut.

[3] Hadithi është i saktë, e përcjell Hakimi.

Dosje: ,

Loading...