Kujt i pranohet lutja?

October 15, 2023

1-Lutja e nevojtarit.

Allahu i Madhëruar ka thënë: “A është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e juve ju bën mbizotërues të tokës. A ka zot tjetër pos Allahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni.” | En Neml: 62|

2- Lutja e të dëmtuarit pa asnjë përjashtim, edhe nëse është i pafe apo i shthurur.

Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruhuni nga lutja e të dëmtuarit sepse ajo mbartet deri mbi re. Allahu i Madhëruar thotë: ‘Pasha fuqinë dhe madhështinë Time! Unë do të ndihmoj sikur edhe pas një kohe!” Hadith i saktë. Shiko “Vargu i saktë” me  nr. 868.

“Ruhuni nga lutja e të dëmtuarit, sepse ajo ngjitet drejt qiellit si një shkëdijë.” Hadith i saktë. Shiko “Vargu i saktë” me nr. 871.

“Ruhuni nga lutja e të dëmtuarit edhe nëse është i pafe, sepse para saj nuk ka asnjë pengesë.” Hadith i mirë. E transmeton Ahmedi.

“Lutja e të dëmtuarit pranohet edhe nëse është i shthurur, ngase shthurja e tij është mbi veten e tij.” Albani e ka vlerësuar si hadith të mirë në librin “Sahih el xhami”.

3- Lutja e agjëruesit, udhëtarit dhe prindit.

Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Tri lutje pranohen; lutja e agjëruesit, lutja e të dëmtuarit dhe lutja e prindit.” Hadith i saktë. Shiko “Vargu i saktë” me nr. 1797.

“Tri lutje janë të pranuara pa asnjë dyshim; lutja e prindit, lutja e udhëtarit dhe lutja e të dëmtuarit.” Shejh Albani e ka vlerësuar si të mirë. Shiko “Vargu i saktë” me nr. 596.

4- Lutja e muslimanit për vëllanë e tij në mungesë:

Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Lutja e muslimanit për vëllanë e tij në mungesë është e pranuar. Te koka e tij qëndron një engjëll i cili është i ngarkuar që sa herë që njeriu lutet për vëllanë e tij për ndonjë mirësi, të thotë: Amin, edhe për ty e njëjta gjë.” Muslimi.

5- Lutja në gjendje të mirë.

Profeti sal-lAllahu aleji ve sel-lem ka thënë: “Atij që i vjen mirë që Allahu t’ia pranojë atij lutjen në kohën e vështirësive dhe të pikëllimit, le të lutet sa më shumë kur të jetë në gjendje të mirë.” Hakimi dhe Dhehebiu e kanë vlerësuar si hadith të saktë.

Marrë nga libri: “Orinetimi i muslimanëve”.

Autor: Xhemil Zejno

Përktheu: Rexhep Milaqi

Dosje: ,

Loading...