Pyetje: Kërkoj shpjegimin e këtij ajeti dhe sqarimin e mendimit të saktë në lidhje me të, Allahu thotë: “Për sa u përket atyre që ishin fatzinj, do jenë në zjarr, ku do kenë dihatje dhe frymëmarrje të vështirë.Aty do të jenë përjetë sa të jenë qiejt dhe toka përvecse aq sa të dojë Zoti yt,vërtetë Zoti yt bën cfarë të dojë.Sa u përket atyre që janë të lumturuar,do jenë në xhenet,përjetë sa të jenë qiejt dhe toka përvecse aq sa të dojë Zoti yt, dhuratë dhe bujari pandërprerje”. A mund të kuptohet nga ky ajet se kush hyn në xhenet mund të dalë prej tij në një kohë që të dojë Allahu? A mos vallë këto dy ajete janë anulluar me ndonjë ajet tjetër të mëvonshëm, duke pasur parasysh se këto ajete janë të periudhës Mekase?
Përgjigje: Këto dy ajete nuk janë të anulluara, përkundrazi janë ashtu sic kanë zbritur. Fjala e Allahut: “Përvecse aq sa të dojë Zoti yt” , ka pasur mendime të ndryshme ndërmjet dijetarëve në sqarimin e kuptimit të tij, pasiqë ata kanë rënë të gjithë dakort se mirësitë e banorëve të xhenetit janë të përhershme, të vazhdueshme, nuk ndërpriten dhe as nuk zhdukendhe as nuk dalin kurrë prej tij.Për këtë arsye në vazhdim të ajetit Allahu tha: “dhuratë dhe bujari pandërprerje”, pikërisht për të shmangur këtë lloj keqkuptimi që mund t`i lindë dikujt në mendje.Pra, ata janë aty përgjithmonë përjetë në këtë dhuratë dhe dhënie pa ndërprerje.
Këtë kuptim e gjejmë të sqaruar edhe në ajete të tjera si psh: “Vërtetë të devotshmit janë në xhenete dhe burime, hyni në to me paqe dhe siguri”. Allahu sqaroi se ata janë të sigurtë, të sigurtë nga vdekja, të sigurtë nga dalja prej xhenetit, të sigurtë që nuk preken prej sëmundjeve, pikëllimeve apo cdo gjëje tjetër të keqe. Në vazhdim Allahu thotë: “Hoqëm prej gjokseve të tyre zilinë,smirën, i bëmë që të jenë vëllezër, të mbështetur mbi frone përballë njëri-tjetrit, aty nuk preken nga lodhja dhe as nuk do dalin kurrë prej saj”. Allahu sqaron se ata do jenë aty përgjithmonë duke mos dalë kurrë prej saj. Allahu ka thënë: “ Vërtetë të devotshmit do jenë në pozita të sigurta, në xhenete dhe burime, të veshur me mëndafsh, përballë njëri-tjetrit, i martojmë me hyri të xhenetit, aty u ofrohet cdo frut që ata kërkojnë, janë të sigurtë, nuk shijojnë në të as vdekje,përvec asaj që kanë shijuar fillimisht, Zoti i tyre i ka ruajtur nga dënimi i xhehenemit. E gjithë kjo është bujari dhe mirësi nga Zoti yt.Kjo është fitorja madhështore”. Allahu na tregon se banorët e xhenetit do jenë në pozita të sigurta, ku nuk i druhen frikës,humbjes së të mirave,vdekjes,sëmundjes,pikëllimit dhe as daljes prej saj.Ata nuk vdesin aty dhe nuk i tremben asgjëje të keqe, dmth që do jenë aty përgjithmonë, përjetë.
Ndërsa thënia: “Përvecse aq sa të dojë Zoti yt”, është komentuar nga dijetarët me kuptime të ndryshme:
Disa kanë thënë:Ka për qëllim periudhën e qëndrimit të tyre në varre, pavarësisht se besimtari ndodhet në një nga kopshtet prej kopshteve të xhenetit dhe mirësi prej mirësive të saj, por nuk është ai vetë xheneti,por është një pjesë prej xhenetit.Pra besimtarit i hapet një dritare drejt xhenetit nga ku i vjen prej erës së mirë dhe mirësive të tij, e më pas zhvendoset për në xhenet, i cili ndodhet mbi shtatë qiejt.
Disa dijetarë të tjerë kanë thënë: Ka për qëllim periudhën e qëndrimit të tyre në tokën e gjykimit dhe dhënies së llogarisë, pasiqë kanë dalë nga varret, e më pas transferohen për në xhenet.
Disa të tjerë kanë thënë:Ka për qëllim të dyja këto periudha,qëndrimin në varr dhe qëndrimin gjatë llogarisë,kalimin mbi urën e Siratit, në të gjitha këto kohë ata nuk ndodhen në xhenet, por në etapat e transferimit drejt xhenetit. Dmth Përvec kohës së qëndrimit të tyre në varre dhe në vendin e dhënies së llogarisë dhe gjatë kohës së kalimit të Siratit, sepse gjatë gjithë kësaj kohe nuk ndodhen në xhenet, por janë në rrugën e transferimit për atje.
Në këtë mënyrë qartësohet kuptimi dhe nuk ngelet dicka e dyshimtë apo e paqartë: Banorët e xhenetit shijojnë mirësitë e tij dhe aty do jenë përgjithmonë, përjetë, as vdekje, as sëmundje, as dalje, as vështirësi, as mërzi, as menstruacione, as lehoni dhe asnjë lloj papastërtie apo lëndimi tjetër,përkundrazi janë në mirësi të vazhdueshme.
I njëjti parim vlen dhe për banorët e zjarrit: do jenë aty përgjithmonë, përjetë, nuk dalin kurrë prej tij dhe as nuk u shuhet ai vend, përkundrazi zjarri qëndron dhe ata qëndrojnë në të.
Ndërsa në lidhje me ajetin:“Përvecse aq sa të dojë Zoti yt”, është thënë: Pervec kohës së qëndrimit të tyre në varre dhe në vendin e dhënies së llogarisë, e më pas orientohen për në zjarr, ku do jenë përgjthmonë, e lusim Allahun të na shpëtojë. Këtë e gjejmë të shprehur në ajetin e sures Bekarah: “Kështu do ua shfaqë Allahu veprat e tyre, dështim dhe dëshpërim.Ata kurrsesi nuk do dalin nga zjarri” , gjithashtu thotë në suren el Maideh në lidhje me kafirat: “ Ata dëshirojnë që të dalin nga zjarri, por nuk do dalin kurrsesi, përkundrazi do kenë aty dënim të vazhdueshëm”.
Dikush nga selefët ka pasur mendimin se zjarri ka një afat të caktuar dhe një fund, pasi të kalojnë mijëra vjet dhe mundime të shumta, dhe se banorët e tij vdesin ose dalin prej saj. Por ky mendim nuk vlen aspak tek dijetarët e ehlu sunetit, madje konsiderohet i kotë, që refuzohet nga argumentet e shumta, si nga Kurani ashtu dhe nga Suneti, sic i cekëm disa më lart.
Pas këtij mendimi, ehlu suneti kanë qenë unanimë mes tyre që: banorët e zjarrit do jenë aty përgjithmonë, përjetë, nuk dalin kurrë prej saj dhe as nuk u shuhet ai vend, përkundrazi zjarri qëndron dhe ata qëndrojnë në të.Kjo është që shihet qartë në ajetet kuranore dhe në Sunetin e saktë. Nga ato argumente, sëbashku me të lartpërmendurat, përmendim ajetin: “Sa herë që i ulet flaka(zjarrit), e shtojmë atë” dhe thotë në suren Nebe: “Shijojeni, sepse nuk do u shtojmë tjetër vecse dënim”.
E lusim Allahu të na ruajë nga zjarri dhe nga gjendjet e banorëve të tij.
Marrë nga Mexhmuul Fetaua 4/361 të shejh Ibn Bazit
Përktheu Shuajb Rexha
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve