“Do të vdisni ashtu si flini dhe do ringjalleni ashtu si zgjoheni”

September 3, 2024

Kur i erdhi urdhri për të ftuar fisin e tij në Islam, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ftoi në shtëpinë e tij rreth 40-45 njerëz nga fisi i tij, u dha për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit dhe u mbajti këtë fjalim:
“Falënderimi i takon Allahut, Atë e lavdëroj dhe i kërkoj ndihmë! E besoj Atë dhe tek Ai mbështetem! Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush tjetër veç Allahut i Cili është i vetëm dhe pa ortak! Pastaj u tha: I dërguari i popullit të tij, atë që e nisin për të kërkuar ujin dhe lëndinat, nuk i gënjen njerëzit e tij (për vendodhjen e tyre). Pasha Allahun! Sikur t’i gënjeja të gjithë njerëzit nuk do tju gënjeja juve, dhe sikur t’i mashtroja të gjithë njerëzit juve s’kisha për t’ju mashtruar kurrë. Pasha Allahun përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, unë jam i Dërguari i Allahut tek ju në veçanti dhe tek të gjithë njerëzit.
Pasha Allahun se patjetër do të vdisni ashtu si flini dhe patjetër do ringjalleni ashtu si zgjoheni, gjithashtu do të merreni në llogari për atë që bëni. Patjetër që do shpërbleheni për të mirën me të mirë dhe për të keqen me të keqe. Ai është Xhenet përjetësisht ose Zjarr përjetësisht!
Pasha Allahun o bijtë e Abdulmutalibit, unë nuk di që ndonjë djalosh në mesin e arabëve t’i ketë ardhur popullit të tij me diçka më të mirë se ajo me të cilën unë kam ardhur. Unë ju kam ardhur me mirësinë e kësaj bote dhe të botës tjetër. Allahu i Lartësuar më ka urdhëruar që t’ju thërras për tek ajo (mirësi, Islami), prandaj kush prej jush po ma jep besën që të jetë vëllai im dhe shoku im?”

(E përcjell Ahmedi me zinxhir të saktë 1371, 1220.)

* Duke jetuar më së shumti në shkretërirë ata ishin gjithmonë në kërkim të lëndinave dhe të ujit. Për këtë arsye dërgonin dikë përpara që t’i gjente këto, pastaj sipas fjalës së tij zhvendoseshin dhe i zinin besë. Pra i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue  sel-lem shfrytëzoi besimin që kishte fituar në mesin e tyre përpara profetësisë, që kurrë s’i kishte gënjyer dhe nuk e kishte atë ves të ulët, që t’i besonin edhe kësaj here për këtë ftesë që po u bënte. U tha se s’do t’i kishte gënjyer kurrë dhe se ua do të mirën. Dhe sikur të donte nuk i gënjente sepse gënjeshtarin e njeh shumë mirë populli i vet, mund të mashtrojë të tjerët por jo popullin ku është rritur sepse ata e njohin që në vegjëli. Ashtu siç e njohën Muhamedin, profetin tonë, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që nga vegjëlia për virtyte të larta, për nder dhe vërtetësi në të folur. Ai i nxiti të ishin të parët që përfitonin nga kjo e mirë e madhe me të cilën u kishte ardhur që ishte Islami, i cili përfshin mirësitë e kësaj bote dhe të botës tjetër, rehati shpirtërore, jetë e bukur dhe lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër.

Emin Bilali

Dosje: ,

Loading...