Përmirësimi i zemrës është çelësi i shpëtimit! 

October 23, 2024

Përmirësimi i zemrës është çelësi i shpëtimit!

Myslimani duhet të tregohet vigjilent në përmirësimin e zemrës së tij! Shqetësimin për përmirësimin e zemrës duhet ta ketë më të madh se sa për përmirësimin e trupit të tij. Përmirësimi i zemrës duhet të jetë më i rëndësishëm për myslimanin se sa përmirësimi i veprave që kryen.

Zemra ka sëmundje dhe epidemi të ndryshme, të cilat disa dijetarë i kanë numëruar të jenë deri në dyzet të tilla. Prandaj, njeriu duhet t’i njohë ato dhe të dijë se si ta trajtojë zemrën nga këto sëmundje, që të shërohet prej tyre dhe prej pasojave të tyre, për atë ditë kur as pasuria dhe as fëmijët nuk do të sjellin dobi, përveç atij që vjen tek Zoti me një zemër të pastër. Shëndeti i zemrës është çelësi i shpëtimit dhe arsyeja për shpëtimin e njeriut në ditën kur as pasuria e tij dhe as fëmijët e tij nuk do të kenë vlerë. Pse atëherë shumë njerëz e shpërfillin përmirësimin e zemrës së tyre? Dhe shohim se shumë prej sëmundjeve të zemrës janë të vështira për t’u shëruar tek shumë myslimanë, madje edhe tek disa prej atyre që i përkasin dijes dhe studimit të saj. I gjen ata duke thënë: “U përpoqëm por dështuam. U përpoqëm të përmirësojmë nijetin (qëllimin) dhe dështuam. U përpoqëm të afrohemi te Zoti dhe të arrijmë përulësi në namaz, por sërish dështuam.

U përpoqëm ta luftojmë smirën por dështuam. U munduam ta luftojmë vetëpëlqimin por dështuam! Nga ana e tjetër e gjen të përkushtuar në njohjen e dispozitave të namazit dhe agjërimit – që padyshim është e nevojshme – sepse atij që Allahu ja do të mirën e bën të kuptojë fenë, por përparësia duhet t’i jepet zemrës. Përse pra nuk përpiqemi të përmirësojmë zemrën tonë kur Kur’ani dhe Suneti e theksojnë qartë rëndësinë e zemrës dhe mënyrat për ta përmirësuar atë? Megjithatë, gjejmë më shumë libra dhe shkrime për jurisprudencën e dukshme sesa për çështjet e brendshme të zemrës, ndërkohë që kemi nevojë të madhe për të reformuar anën e brendshme, sepse kjo është thelbi i gjithçkaje. Ndërsa Profeti thotë: “Devotshmëria është këtu,” duke treguar drejt zemrës së tij. Po, devotshmëria është e fshehtë dhe vendi i saj është zemra, por shenjat dhe vërtetësia e këtij pretendimi shfaqen në veprimet e jashtme.

Prandaj, shpeshherë gabojnë ata që thonë se “devotshmëria është këtu,” ndërkohë që veprimet e tyre të jashtme tregojnë të kundërtën e asaj që pretendojnë. Mund të gjesh dikë që kryen gjynahe dhe thotë: “Këto janë çështje të jashtme, s’ka problem. Devotshmëria është këtu,” siç ka thënë Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të. Por nëse ti do ta kishe pasur frikë Allahun, nuk do ta kishe bërë këtë,” Siç i tha Profeti alejhi selam Ibn Medh’unit: “Sikur ta kishte pasur frikë Allahun, nuk do ta kishte bërë këtë,” kur ai bëri një keqinterpretim dhe piu alkool.

Si mund t’i bësh mëkate të dukshme Zotit dhe të pretendosh devotshmëri? E vërteta e devotshmërisë është përmbushja e urdhrave dhe shmangia e ndalesave. Po, vendi i saj është zemra, por efektet e saj shfaqen në veprimet e jashtme, si dëshmi për atë pretendim. Nëse në veprimet e tua shfaqet ajo që bie ndesh me devotshmërinë, atëherë je i pasinqertë në pretendimin tënd. Por nëse në veprimet e tua shfaqet ajo që përputhet me devotshmërinë, si përmbushja e urdhrave dhe shmangia e ndalesave, atëherë pretendimi yt është i vërtetë.

Shejh Abdul Kerim el Hudejr

Përshtati Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...