Kini kujdes nga ky helm vdekjeprurës

October 25, 2024

Kohë më parë Iraku e kishte lodhur kalifatin Islamik me probleme, përçarje, revolta dhe pakënaqësi qysh nga koha e Uthmanit, derisa erdhi Haxhaxhi në vitin 75 h. Ai u dha fund trazirave dhe konflikteve dhe vendi u kthye në një qendër të zgjerimeve islame. A e dini se cili ishte shkaku më i madh për suksesin e Haxhaxhit në këtë? Me një fjali të vetme ai i dha fund përçarjes. Irakenët kishin para, bënin mbledhje, takime, propozime, kritika dhe delegacione që shkonin në qendrën e kalifatit islamik. Kur erdhi Haxhaxhi dhe në predikimin e tij të famshëm i drejtoi ata për të luftuar bashkë me El Muhelbin kundër havarixhëve, u dha atyre vetëm tre ditë kohë. Më pas tha: “Pasha Allahun, këdo që ta gjej pas tre ditësh (pa iu bashkangjitur ushtrisë) do t’ia pres kokën, do t’ia marr pasurinë dhe do t’ia shemb shtëpinë.”
Nuk kishte më propozime dhe kritika. Njerëzit dolën të gjithë dhe kështu përfunduan trazirat dhe shqetësimet.

Nëse njëzet minuta bosh gjatë javës dhe jo gjatë ditës, mund të krijojnë mundësi për lindjen e problemeve dhe sëmundjeve mendore siç thonë specialistët, çfarë mund të ndodhë me orë dhe me ditë të tëra?
Pyesni klinikat psikologjike dhe ata që i frekuentojnë. Pyesni të burgosurit, të varurit nga droga, të devijuarit, të dashuruarit dhe ata që janë të lidhur pas dikujt, si dhe ata që kanë përjetuar zhgënjime dhe fatkeqësi. Cili është shkaku i kësaj? Do t’ju përgjigjen me një fjalë: Shkaku i parë është boshllëku (koha e lirë). Personat që punojnë nuk kanë kohë për këto gjëra të kota, nuk ulen me orë të tëra në celular. Njerëzit që kanë projekte qoftë burra apo gra, kur ulesh me ta e llogaritin çdo minutë me kujdes. Rrallë mund të gjesh një burrë apo grua ambicioze që kalon një ose dy orë në celular, ose që të thotë: “Jam i mërzitur, jam i lodhur, kam probleme emocionale, kam depresion.” Jo, nuk ka gjëra të tilla. Nuk ekzistojnë në fjalorin e tyre. Pse? Sepse nuk kanë boshllëk (në kohë).

Boshllëku është barra më e madhe dhe më e rëndë që mund të mbajë njeriu.

Imam Ibën Kajimi ka thënë: “Një nga gjërat më të dëmshme për njeriun është dembelizmi dhe boshllëku, sepse shpirti nuk qëndron bosh. Nëse nuk e mbush atë me diçka të dobishme do të mbushet me diçka të dëmshme.”
Boshllëku zgjon dëshirat, përhap dyshimet, nxit kuriozitetin dhe sjell fatkeqësi. Boshllëku është helm vdekjeprurës dhe armik i heshtur që vret më të bukurën tek njeriu. Prandaj shfrytëzo kohën tënde për diçka që të sjell dobi, dhe mos e lejo boshllëkun të të sundojë dhe të të bëjë viktimë të ideve shkatërruese. Puna që të lodh është më e mirë sesa boshllëku që të prish.
Kërko një punë edhe me shpërblim të ulët. Lexo një libër, fillo të mësosh përmendësh Kuranin, lexo për jetën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, shiko diçka që të sjell dobi, regjistrohu në një klub sportiv.
O baballarë, o nëna, angazhoni fëmijët tuaj me diçka, ngarkojini me detyra që të mbushin kohën e lirë, inkurajojini dhe motivojini ata para se t’i humbni dhe para se ata të humbasin vetveten.

Autor: Dr. Abduselam Muhamed

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...