Takimi i sotëm është vazhdim i takimit të javës së kaluar, i cili lidhet me krahasimin dhe dallimin midis begatisë së kësaj bote dhe begatisë së botës tjetër. Në këtë takim do të flasim në mënyrë të veçantë për vendbanimet e banorëve të xhenetit.
Disa dijetarë kanë përmendur se vendbanimet e banorëve të xhenetit sipas hulumtimeve (në tekste), ndahen në tri kategori ose lloje: pallatet, shtëpitë dhe dhomat.
Lloji i parë: Pallatet. “I bekuar është Ai që nëse dëshiron mund të të japë më të mirë se kjo; kopshte nën të cilët rrjedhin lumenj dhe që mund të të japë pallate.”
Lloji i dytë: Shtëpitë. “Allahu ka sjellë si shembull për ata që besuan gruan e Faraonit, kur tha: Zoti im, ndërto për mua një shtëpi pranë Teje në Xhenet.”
Lloji i tretë: Dhomat. “Ata do të kenë dhoma mbi të cilat ka dhoma të tjera, dhe nën të cilat rrjedhin lumenj.”
Lloji i katërt: Çadrat ose tendat. “(Atje do të ketë) Hyri syzeza nëpër tenda.”
Disa dijetarë i kanë konsideruar pallatet dhe shtëpitë si një kategori. Ndërsa disa të tjerë kanë thënë se çadrat (tendat) nuk janë banesa të përhershme për banorët e xhenetit, por janë një formë e plotësimit të begatisë. Sepse në këtë botë edhe pse njeriu mund të jetojë në pallate, shtëpi apo dhoma, ai përsëri dëshiron të banojë në tenda veçanërisht në lëndinat e gjelbra dhe në brigjet e lumenjve.
Disa prej tyre kanë thënë: Po ashtu, për banorët e xhenetit Allahu ka krijuar çadra ku mund të banojnë sa herë të duan, në lëndinat e xhenetit dhe në skajet e lumenjve të xhenetit për të plotësuar begatinë. Allahu na bëftë të gjithëve, të gjallët, të vdekurit dhe të sëmurët tanë banorë të xhenetit Firdeus.
Çadrat dhe tendat e banorëve të xhenetit. Në ajetin fisnik thuhet: “(Atje do të kenë) Hyri syzeza nëpër tenda.”
Duke qenë se ky takim është për krahasimin dhe dallimin mes kënaqësive të dunjasë dhe të ahiretit, imagjino tani në mendjen tënde, siç kanë thënë dijetarët, nuk ka asgjë të pamundur për mendjen që të përfytyrojë çdo imazh, qoftë ai edhe i pamundur.
Imagjino në mendjen tënde çadrën më të shkëlqyer që ke parë ndonjëherë, me pëlhura të shtrenjta, madhështore, me hapësirë të bollshme dhe ajrosje të përsosur, dhe pastaj përfytyro edhe më shumë mbi këtë pamje duke kaluar çdo lloj imagjinate.
Pastaj dëgjo për një çadër nga çadrat e xhenetit. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Për besimtarin do të ketë një çadër prej një perle të zbrazët, e cila do të jetë gjashtëdhjetë milje e gjatë.”
Kjo çadër është 60 milje e gjatë në çdo anë dhe brenda saj ndodhen njerëz, ku është thënë se janë gra hyri. Ata nuk mund të shohin njëri-tjetrin për shkak të gjatësisë së saj.
Përcillet nga Ibn Abasi dhe Ebu Derda se kjo çadër ka shtatëdhjetë dyer prej ari ose perlash.
Këto dy thënie, siç kanë thënë disa komentatorë, janë nga dituritë e fshehta. Ndaj nuk mund të supozohet që një sahab të flasë pa dije përveç nëse njihet nga ata që marrin nga ithtarët e librit, dhe kjo dihet tek dijetarët e hadithit.
Kjo që përmendi Ibn Abasi dhe Ebu Derda se kjo çadër ka shtatëdhjetë dyer prej ari ose perlash, mund të jetë edhe përzierja mes dy elementeve ku dera në origjinë është prej ari dhe e përforcuar me perla, ose e kundërta.
E rëndësishme është se ajo është një çadër e vetme e gjatë 60 milje. Sa i përket gjërave që ndodhen brenda saj prej shtrojeve dhe kënaqësive, kjo është një çështje që nuk i ka ardhur dijes sonë por qëndron nën rregullin: “Dhe as që i ka shkuar në mendje ndonjë njeriu.”
Kjo është një çadër e vetme brenda një perle. Sipas ekonomistëve të sotëm perla më e madhe që është zbuluar deri tani ka një diametër prej 7 cm, që është në madhësinë e një veze dhe është më e çmuara dhe më e shtrenjta në botë deri më tani. Përfytyro çfarë do të ketë në xhenet ku një perlë është e gjatë 60 milje.
Allahu na dhëntë të gjithëve xhenetin Firdeus! Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed!
Autor: Abdul Aziz es Sed’han
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Vendbanimet e banorëve të xhenetit