Në këto ajete (të sures El Bekare) ka një paralajmërim për sëmundjet e zemrës. Zemrat kanë dy lloje sëmundjesh. E para është sëmundja e dyshimeve e cila çon në hipokrizi dhe është përmendur kryesisht në fjalën e Allahut: “Në zemrat e tyre ka një sëmundje.” Kur dikush ka një dyshim është detyra e tij që ta trajtojë dhe ta kurojë atë, duke mbjellë bindjen në zemrën e tij dhe duke qenë i vetëdijshëm për ajetet kuranore dhe hadithet profetike që përmbajnë shërimin e këtyre dyshimeve.
Çdo dyshim në zemër nuk është një dukuri e re por ka ekzistuar edhe në kohën e profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe teksti hyjnor ka ardhur me zgjidhjen dhe me ilaçin e suksesshëm për të. Prandaj është e nevojshme që ata që ndiejnë dyshime në zemrat e tyre t’u kthehen teksteve hyjnore. Përveç kësaj, dijetarët e sheriatit kanë njohuri të mjaftueshme rreth Kuranit dhe Sunetit për të përfshirë trajtimin e këtyre dyshimeve.
Lloji i dytë i sëmundjeve të zemrës është sëmundja e pasioneve dhe e epsheve, ku njeriu vendos dëshirat e tij mbi bindjen ndaj Zotit dhe përkrahësit të tij. Trajtimi i kësaj sëmundjeje bëhet duke mbjellë në zemrat e njerëzve besimin në Allahun, në mënyrë që njeriu të ndiej mbikqyrjen e Allahut dhe të kultivojë frikën e Allahut në zemrën e tij. Ai duhet të ndiej besimin në Ditën e Gjykimit dhe të jetë i vetëdijshëm se së shpejti do të japë llogari për të gjitha veprat e tij, qofshin ato të vogla apo të mëdha.
Kur kjo sëmundje (e dyshimeve) u shfaq në zemrat e hipokritëve ata nuk nxituan ta trajtonin, por përkundrazi iu dorëzuan asaj gjë që çoi në shtimin e sëmundjes mbi ta. Për këtë arsye Allahu tha: “Në zemrat e tyre ka një sëmundje dhe Allahu ua shtoi sëmundjen.” Kjo do të thotë se ata kishin një sëmundje në zemrat e tyre por nuk e trajtuan, por iu bindën dhe u dorëzuan para saj gjë që ishte një nga arsyet për përkeqësimin e sëmundjes së tyre. Kur dikush ka një sëmundje dhe nuk e trajton atë menjëherë, kjo do të bëhet një nga arsyet për përkeqësimin e sëmundjes.
Autor: Sead esh Shithri
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Dy sëmundjet