Çdo njeri duhet të kalojë patjetër nëpër faza të ndryshme. Faza e parë është faza e mosekzistencës (hiçit), pasi para se të ekzistonte ai nuk ishte asgjë. Allahu i Lartësuar thotë: “Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore kur njeriu nuk ka qenë qënie e denjë për t’u përmendur?” Kjo pra është faza e parë: mosekzistenca e tij (hiçi). Faza e dytë është faza e shtatzënisë në barkun e nënës së tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Ju krijon në barkun e nënave tuaja, krijim pas krijimi, në tri errësira.” Faza e tretë është faza e kësaj bote, e daljes në këtë botë. Kjo fazë është ajo ku bazohet lumturia dhe fatkeqësia, dhe është vendi i provës dhe sprovës siç thotë Zoti i Lartësuar: “Që t’ju sprovojë se cili prej jush është më i mirë në veprime.” Gjithashtu ka thënë: “Ai që krijoi vdekjen dhe jetën që t’ju sprovojë cili prej jush është më i mirë në veprime.” Kjo fazë e jetës në këtë botë është ajo që përcakton lumturinë dhe mjerimin e njeriut, dhe është vendi i provës dhe sprovës.
Faza e katërt është faza e ndërmjetme (berzahu) pasi njeriu vdes dhe kalon në jetën e varrit. Allahu i Lartësuar thotë: “Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse deri në ditën kur do të ringjallen.” Kjo është faza e katërt.
Ndërsa faza e pestë është faza e ringjalljes dhe e Ditës së Gjykimit, dhe kjo fazë është fundi i udhëtimit dhe kulmi i të gjitha fazave.
Allahu i Lartësuar thotë: “Pastaj, pasi të keni vdekur do të ringjalleni përsëri në Ditën e Gjykimit.” Gjithashtu thotë: “A menduat se ju kemi krijuar për kot dhe se nuk do të ktheheni tek Ne?” Pra nuk është krijim pa qëllim (kot) siç thonë ateistët, të cilët e konsiderojnë këtë botë si një cikël të pakuptimtë të lindjes dhe të vdekjes, ku toka gllabëron (të vdekurit) dhe mitrat lindin (foshnjet). Ata thonë se jeta në këtë botë nuk ka ringjallje, as rikthim, as llogari dhe as shpërblim, por është vetëm një cikël i lindjeve dhe i vdekjeve, ku njëri lind dhe tjetri varroset, pra si makineri. Këtë e thonë vetëm heretikët që mohojnë ringjalljen. Secili njeri kalon në këto pesë faza.
Autor: Sami es Sukajr
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Pesë fazat