Këshillë me shumë vlerë

November 15, 2024

Këshillë me shumë vlerë

Aliu, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Sot mund të punosh pa dhënë llogari, ndërsa nesër do japësh llogari dhe nuk do kesh mundësi të punosh.” Është përmendur në disa transmetime se banorët e varreve do të dëshironin të ktheheshin edhe një herë në këtë botë. Pse të kthehen? Për të ndërtuar pallate? Për t’u martuar? Për të mbledhur pasuri? Jo. Ata dëshirojnë të kthehen në këtë botë për të thënë qoftë dhe një herë të vetme “Subhanallah” (Larg të metave është Allahu).
Kështu që, ne sot jemi dhe jetojmë në këtë botë – bota e tesbihut, namazit, agjërimit, dhe lëmoshës, dhe na mbetet vetëm të punojmë. A pret njeriu të befasohet nga vdekja dhe t’i mbyllet libri i veprave, pa pasur më mundësi për të shtuar vepra të mira?
Një prej imamëve të hershëm shkroi një libër të quajtur “Et-Tevehum” “Imagjinata” ku përshkruan imagjinatën e tij sikur të kishte hyrë në zjarrin e Xhehenemit. Ai i thotë vetes: “Dëshiro!” Dhe vetja i përgjigjet: “Dëshiroj të kthehem në dunja dhe të punoj vepra të mira.” Ai i thotë vetes: “Ja pra, sot je në këtë dunja, prandaj puno!” Kjo është një shenjë e mençurisë. Imagjinoni sikur të hynit në zjarr; çfarë do të dëshironit? Do të dëshironit të kishit punuar. Dhe ja ku jeni sot, në botën e veprave.
Xheneti është rrethuar me vështirësi, ndërsa zjarri me dëshira dhe epshe. Me sprovat e mëkateve dhe gjynaheve, zgjatjen e bisedave në përgojime dhe thashetheme, dhe përfshirja në çështje të parëndësishme të cilat janë të dashura për njerëzit. Dijetarët thonë se bisedat e pavlera janë një lloj kënaqësie, si kënaqësia e mardhënieve dhe e barkut. Njerëzit flasin dhe veprat e tyre regjistrohen; engjëjt i shkruajnë ato. Dy engjëj: njëri që shkruan veprat e mira dhe tjetri që shkruan veprat e këqija.
Njerëzit i kalojnë ditët e tyre, secili ose drejt shpëtimit, ose drejt shkatërrimit. Njerëzit e mençur dhe largpamës punojnë për të ardhmen – dhe e ardhme nuk konsiderohet kjo jete, por ajo që do të vijë pas saj. E ardhmja është ajo në të cilën do të mbyllen regjistrat e veprave, ku nuk mund të shtohen vepra të mira e as të hiqen mëkate. E ardhmja është kur njerëzit të hyjnë ose në Xhenet ose në Xhehenem, ku do të ketë ose pavdekësi në Xhenet ose hyrje në zjarr. Kjo është e ardhmja e vërtetë dhe kështu veprojnë njerëzit e mençur.
Shejh Ibrahim Er Ruhajli
Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...