Hyrje në librin “Sëmundja dhe Ilaçi”

May 6, 2025

Hyrje në librin “Sëmundja dhe Ilaçi”

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Fundi i mirë u takon të devotshmëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Ai është i vetëm, pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, familjen dhe të gjjthë shokët e tij.

Ky libër që kemi përpara “Sëmundja dhe Ilaçi” është një libër i begatë dhe me dobi të shumta. Allahu i Madhëruar ka bërë që përmes tij të përfitojnë shumë njerëz, ka qenë shkak për udhëzimin e shumë krijesave dhe mbrojtjen e tyre nga mëkatet dhe pasojat e tyre. Allahu, me mirësinë e Tij, i dha sukses autorit të këtij libri – imam Ibn Kajimit (Allahu e mëshiroftë) – në nxjerrjen e kuptimeve madhështore dhe udhëzimeve të bekuara nga Libri i Allahut dhe nga Suneti i të Dërguarit të Tij (paqja qoftë mbi të), në trajtimin e temave që kanë të bëjnë me sëmundjet e shpirtit dhe shërimin e tyre.

Ky libër, i njohur si “Ed-Da’u ued-Devau’” (Sëmundja dhe Ilaçi) apo me emrin e tij të plotë “El-Xhevabu el-Kafi limen se’ele an ed-Deva’ esh-Shafi” (Përgjigjja e mjaftueshme për atë që pyeti për ilaçin shërues), hyn në këtë kapitull të rëndësishëm – përmendjen e sëmundjes dhe mënyrën e shërimit të saj.

Shkaku i shkrimit të këtij libri nga imam Ibn Kajimi ishte një pyetje që ia drejtoi atij një njeri i sprovuar me një mëkat të rëndë, me një gjynah të rrënjosur thellë në shpirtin e tij, që me shumë gjasa do të sillte shkatërrimin e tij (pyetësit) në këtë botë dhe në botën tjetër, ndaj kërkoi rrugë shpëtimi prej tij dhe kërkoi ndihmë për ta çliruar shpirtin prej këtij mëkati.

Imam Ibn Kajim – Allahu e mëshiroftë – iu përgjigj me bujari dhe fisnikëri, duke i dhënë këtë përgjigje të pasur e të gjithanshme, të përmbledhur në këtë libër madhështor. Unë mendoj – Allahu e di më së miri – se qëllimi i sinqertë i atij që pyeti ishte shkaku që Allahu i Madhëruar e bekoi këtë pyetje me një bekim aq të madh, që dha si fryt këtë libër të dobishëm prej të cilit kanë përfituar shumë popuj dhe njerëz.

Nga kjo mësojmë se njeriu duhet të jetë këshillues i vetes dhe i vëllezërve të tij në këtë fushë – pra kur bën pyetje. Për këtë arsye, nëse shikojmë në shumë libra të dijetarëve, do vërejmë se shkaku i shkrimit të tyre ka qenë një pyetje e bekuar. Pra, një qëllim i mirë në pyetje dhe një synim i pastër, sjellin fryte që përfshijnë dobi për vetë pyetësin dhe për të tjerët prej myslimanëve. Dhe nëse ajo pyetje bëhet shkak për një përgjigje të vlefshme, ai do të ketë pjesë në shpërblim dhe sevap. Sepse mirësitë e Allahut të Lartësuar nuk kanë fund dhe shpërblimi i Tij është i pamasë!

Kështu, pyetja e atij njeriu, thyerja dhe brenga e tij në paraqitjen e atij problemi, pendesa e tij për gjendjen në të cilën ndodhej dhe shpresa e tij për një rrugë shpëtimi nga ai mëkat i rëndë, ishin shkak që imam Ibn Kajim t’i jepte këtë përgjigje. Shpresohet që përfituesi i parë të ketë qenë vetë pyetësi, pastaj, përmes pyetjes së tij, Allahu i Madhëruar bëri që të përfitojnë edhe shumë të tjerë.

Me këtë rast them gjithashtu: kushdo që është mëkatar dhe i sprovuar me disa mëkate dhe që nuk po arrin të çlirohet prej tyre, le t’i afrohet dijes dhe dijetarëve, le t’i ndjekë tubimet e dijes dhe të bëjë durim me veten e tij, edhe nëse nefsi i tij nuk pranon apo përton në fillim të herës. Le t’ë qëndrojë me këmbëngulje, sepse nëse e bën veten të durojë dhe afrohet te njerëzit e dijes, Allahu do t’ia lehtësojë rrugën drejt udhëzimit, hapjes së zemrës dhe shpëtimit nga ajo sëmundje që e ka rënduar.

Mëkatet dhe dëmet e tyre janë më të shumta dhe më të rënda sesa mund të përfytyrohen. Ndërsa afërsia me dijetarët është një pasuri, dhe pyetja e tyre për këto çështje problematike është shpëtim dhe siguri.

Gjithashtu, nga kjo përgjigje gjithëpërfshirëse nga ana e imam Ibn Kajimit – Allahu e mëshiroftë – përfitojmë edhe një mësim të çmuar: durimin e dijetarit me pyetësin, mëshirën ndaj tij, butësinë dhe sjelljen e mirë gjatë përgjigjes, të gjjtha këto janë mjete me ndikim të madh dhe fryte të bekuara në afrimin e njerëzve tek e mira dhe largimin e tyre nga e keqja.

Lexues i dashur dhe i nderuar, ky libër gëzon lavdata të mëdha tek dijetarët. Shumë shpesh ata i referohen atij. Po të kërkoni, për shembull, në burimet e kërkimit modern ose në literaturën e fetvave si: Komisioni i Përhershëm i Fetvave, Fetvatë e Ibn Baz, Ibn Uthejmin dhe të tjerë nga dijetarët, do të gjeni se ky libër është përmendur dhe cituar vazhdimisht. Kjo për faktin se ky libër përmban kura të dobishme dhe shërime të plota për shumë sëmundje shpirtërore dhe morale.

Prandaj, çdo njeri që ankohet nga mëkatet, dhe ndjen dhimbje shpirtërore prej tyre dhe kërkon shpëtim, le ti referohet këtij libri të bekuar. Nëse e lexon me qetësi dhe përqendrim, ai do të fitojë shumë dobi dhe përfitime të mëdha.

Dijetarët kanë cituar prej këtij libri shpesh dhe në shumë libra. Për këtë arsye, do të shohësh se ky libër përmendet në shumë libra të dijetarëve dhe në komentet e haditheve.

Nëse e kërkon librin për shembull duke shkruar “Ed-Da’u ued-Deva’” apo “El-Xhevabu el-Kafi”, do të gjesh shumë citime nga ky libër i bekuar i imam Ibn Kajimit – Allahu e mëshiroftë.

Prej lëvdatave që i janë bërë këtij libri është ajo që ka përmendur Ibn el-Uezir në fund të librit të tij “El-Avasim vel-Kavasim”, ku thotë:

“Një shembull të tillë dhe prej fjalëve që të frikësojnë (nga mëkati) i ka përmendur shejhu, imami i njohur Ibn Kajim el-Xheuzije, nxënësi i Shejhul-Islam Ibn Tejmijes, në librin e tij të njohur ‘El-Xhevabu el-Kafi. Ai që kërkon shërim të plotë në këtë temë, le ta lexojë këtë libër, për atë që përmban prej meditimeve në Librin e Allahut dhe Sunetin e vërtetë të Profetit.”

Gjithashtu, Shejkh Bekr Ebu Zejd – Allahu e mëshiroftë – në librin e tij “Et-Takrib li-fikhi Ibn el-Kajim” thotë:

“Ky libër përmban nga bukuritë dhe të vërtetat e dijes, sqarimin e vetëllogaritjes dhe mbikqyrjes së shpirtit, që asnjë kërkues i dijes nuk mund t’i neglizhojë.”

Ai tregon gjithashtu se Shejkh Abdu edh-Dhahir Ebu es-Semh, në përfundimin e botimit të librit të cilit ai i kishte kushtuar kujdes të veçantë, është shprehur se ky libër ka qenë shkaku që Allahu e udhëzoi drejt rrugës së selefëve të drejtë dhe ndjekjes së metodës së tyre në njëshmërinë dhe adhurimin e Allahut të Lartësuar.

Siç e përmenda më herët: ky libër ka qenë shkak që Allahu të udhëzojë shumë prej robërve të Tij drejt udhëzimit, të vërtetës dhe rrugës së drejtë. Është një libër me begati të madhe dhe përfitim të jashtëzakonshëm.

Prej dhuntive të mëdha që më ka dhuruar Allahu i Lartësuar është njohja ime e hershme me këtë libër dhe lidhja ime e hershme me të, gjë të cilën e konsideroj si një nga begatitë më të mëdha.

Ndaj të drejtohem ty, o djalosh: konsideroje këtë libër si një prej mirësive të Allahut ndaj teje që po bie në dorën tënde qysh tani në fillimet e tua, që ta lexosh me përqendrim dhe të meditosh me kujdes rreth fjalëve të tij. Me lejen e Allahut të Lartësuar, ky libër do të ketë ndikim të thellë në jetën tënde.

Lexues i dashur, nëse meditojmë për realitetin tonë bashkëkohor – i cili, pa asnjë dyshim, është kohë me shumë sprova – do të shohim se janë shtuar shkaqet e tundimeve, janë shumëfishuar dyert e epsheve, dhe janë hapur për njerëzit mjete të ndryshme të shthurjes dhe të së keqes që nuk kanë ekzistuar më parë. Mjafton të përmendim këtë teknologji moderne dhe çfarë përmban ajo nga sprovat e rënda dhe shkaqet e shkatërrimit. Këto pajisje kanë bërë që shumë njerëz të bien në dyshime, në harame, mëkate e madje edhe në çrregullim të besimit dhe dijes për Allahun. Disa, madje, kanë rënë në ateizëm – Allahu na ruajtë – përmes këtyre mjeteve.

Ky libër i bekuar, në këtë kohë të vështirë, për këdo që e lexon me durim dhe përqendrim, është një mburojë e fuqishme, një siguri e madhe dhe një mbrojtje e fortë – me lejen e Allahut. Prandaj, unë këshilloj me ngulm dhe theksoj rëndësinë e këtij libri, rëndësinë e leximit të tij me përqendrim dhe vëmendje.

Kur ta lexosh këtë libër, shëno dobitë që përfiton, medito mbi kuptimet e tij dhe përcilli fjalët që të kanë sjellë dobi tek vëllezërit e tu, sepse njerëzit kanë një nevojë të jashtëzakonshme për përmbajtjen e këtij libri.

Lusim Allahun e Lartësuar – me Emrat e Tij të Bukur dhe Cilësitë e Tij të Larta – i Cili nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, të na japë bereqet dhe dobi përmes këtij libri të bekuar të imam Ibn Kajimit – Allahu e mëshiroftë. Të na bëjë që të përfitojmë ne vetë, familjet tona, vëllezërit tanë dhe të gjithë ata që i duam. I lutemi Allahut që ky tubim yni të jetë një derë e mirë për umetin, një derë e madhe për t’u ruajtur nga mëkatet.

Ashtu siç folëm më herët për të këqijat që sjellin këto pajisje moderne, po kështu, njerëzit vullnetmirë i kanë shfrytëzuar mundësitë e shumta për t’i përhapur këto dobi. Allahu, përmes tyre, ka udhëzuar shumë njerëz.

Prandaj, i ftoj të gjithë nxënësit e dijes, njerëzit e virtytit dhe të mirësisë, që të bashkëpunojnë në përhapjen e përmbajtjes së këtij libri të bekuar të imam Ibn Kajimit – Allahu e mëshiroftë – te njerëzit, në mënyrë që të përfitojnë. Ata që nuk e kanë arabishten gjuhë amtare, le ta përkthejnë këtë përmbajtje për të afërmit, vëllezërit dhe muslimanët në vendet e tyre – madje edhe për jobesimtarët – që t’u arrijnë edhe atyre shkë dijat e kësaj diturie.

Lusim Allahun e Lartësuar që përmes këtij libri të sjellë mirësi të mëdha, bereqet të bollshëm, dobi të gjërë, dhe vërtet mirësia është në dorën e Allahut, Ai ia jep kujt të dojë, dhe Allahu është Zotërues i mirësisë së madhe.

Dhe tani, nisim – duke kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e Allahut – leximin e këtij libri të bekuar.

Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” nga shejh Abdurrezak el Bedr

Përshtati: Fatjon Isufi

 

Dosje: ,

Loading...