Veprat më të dashura tek Allahu – sipas Fjalëve të Profetit ﷺ”
(30) Kapitulli: Sqarimi i mohimit (kufrit) të atij që thotë: “Na ra shi për shkak të yllit filan (apo pozicionit të tij)”
46 – Hadithi i Zejd ibn Khalid el-Xhuheni i cili tregon:
Pejgamberi i Allahut ﷺ na fali namazin e sabahut në Hudejbije, pas një nate me shi. Kur e mbaroi (namazin), u kthye kah njerëzit dhe tha: “A e dini çfarë ka thënë Zoti juaj?” Ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.”
Ai ka thënë: “Ka prej robërve të Mi që u gdhinë si besimtarë në Mua dhe mohues (kafirë). Sa i përket atij që thotë: Na ra shi me mirësinë dhe mëshirën e Allahut’, ai është besimtar në Mua dhe mohues i yllit. Ndërsa ai që thotë: ‘Na ra shi për shkak të yllit filan apo filan’, ai më ka mohuar Mua dhe ka besuar tek ylli.”
Transmeton Buhariu, në Librin e Ezanit 10, Kapitulli 156: Imami duhet të kthehet kah njerëzit pas dhënies së selamit.
(31) Kapitulli: Argumenti se dashuria për ensarët është prej besimit
47 – Transmeton Enesi nga Pejgamberi ﷺ, i cili tha:
“Shenja e imanit është dashuria për ensarët, ndërsa shenja e hipokrizisë është urrejtja ndaj ensarëve.”
Transmeton Buhariu, në Librin e Imanit 10, Kapitulli: Shenja e besimit është dashuria për ensarët.
48 – Hadithi i el-Bera’ i cili thotë:
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ensarët nuk i do veçse një besimtar, dhe nuk i urren veçse një hipokrit. Kush i do ata, atë e do Allahu, e kush i urren ata, atë e urren Allahu.”
Transmeton Buhariu, në Librin e Meritave të Ensarëve 63, Kapitulli 4: Dashuria për ensarët.
(32) Kapitulli: Sqarimi se imani pakësohet me pakësimin e veprave të mira
49 – Hadithi i Ebu Seid el-Hudriut:
I Dërguari i Allahut ﷺ doli ditën e Kurban Bajramit ose të Fitër Bajramit për në musala (vendin e faljes), dhe kaloi pranë grave, dhe u tha:
“O ju gra, jepni sadaka, sepse më është treguar se ju jeni shumica e banorëve të Zjarrit!” Ato thanë: “Pse, o i Dërguari i Allahut?”
Tha: “Ju i përmendni shumë të metat (e burrave) dhe mohoni mirësitë e tyre. Nuk kam parë ndonjë me mangësi në mendje e në fe që ia merr mendjen burrit të arsyeshëm më shumë sesa njëra prej jush.” Ato thanë: “Çfarë është mangësia jonë në arsyetkm dhe në fe, o i Dërguari i Allahut?”
Ai tha: “A nuk është dëshmia e gruas sa gjysma e dëshmisë së burrit?” Ato thanë: “Po.”
Tha: “Kjo është mangësia e saj në arsyetim. Gjithashtu, a nuk është se kur gruaja është me menstruacione, ajo nuk falet e as nuk agjëron?” Ato thanë: “Po.”
Tha: “Kjo është mangësia e saj në fe.”
(34) Kapitulli: Sqarimi se besimi në Allahun e Lartësuar është vepra më e mirë
50 – Hadithi i Ebu Hurejrës – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cili tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u pyet:
“Cila është vepra më e mirë?”
Ai tha: “Besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij.”
I thanë: “Pastaj cila?”
Tha: “Xhihadi në rrugë të Allahut.”
I thanë: “Pastaj cila?”
Tha: “Haxhi i pranuar (i vlefshëm e i sinqertë).”
Transmeton Buhariu në: Libri i Besimit – Kapitulli 18: Ai që thotë se imani është vepër.
51 – Hadithi i Ebu Dherit – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cimi thotë:
E pyeta Profetin ﷺ:
“Cila është vepra më e mirë?”
Tha: “Besimi në Allahun dhe xhihadi në rrugën e Tij.”
E pyeta: “Cili prej skllevërve është më i miri për t’u liruar?”
Tha: “Ai që ka vlerën më të lartë dhe është më i çmuari për zotërinë e tij.”
Thashë: “Po nëse nuk mundem ta bëj?”
Tha: “Ndihmo dikë që është i paaftë apo punësoje për ndonjë nevojë.”
Thashë: “Po nëse as këtë nuk e bëj?”
Tha: “Përmbaju nga e keqja – kjo është sadaka që e bën për veten tënde.”
Transmeton Buhariu në: Libri i Çlirimit të skllevërve – Kapitulli 2: Cili është skllavi më i mirë për t’u liruar?
52 – Hadithi i Abdullah ibn Mes’udit – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cili thotë: E pyeta Profetin ﷺ:
“Cila është vepra më e dashur tek Allahu?” Tha: “Namazi në kohën e vet.” E pyeta: “Pastaj cila?”
Tha: “Respekti ndaj prindërve.”
E pyeta: “Pastaj cila?” Tha: “Xhihadi në rrugën e Allahut.”
I Dërguari më tregoi për këto tri gjëra dhe më tha: “Po të më kërkoje më shumë, do të të tregoja edhe më tepër.”
Transmeton Buhariu në: Libri i Kohëve të Namazit – Kapitulli 5: Vlera e namazit në kohën e tij.
Shënime gjuhësore:
“Ala ithri sema” do të thotë “pas një shiu që kishte rënë”
“Bi neu’i kedha” do të thotë “për shkak të yllit filan” – pra, duke ia atribuar shiun pozicionit të një ylli të caktuar. Në arabishten klasike, termi “نوء” i referohet pozicioneve të yjeve, të cilat shënonin stinët dhe motin
“Mu tregua (ju pashë)”: nënkupton në natën e Isra’së (Udhëtimit të natës drejt qiejve të lartë).
“Mohoni të mirat e bashkëshortit”: nuk i vlerësoni të mirat që ai ka bërë.
“Më i mençuri” (el-lubb): nënkupton mendjen e pastër nga çdo mangësi – çdo lubb është mendje, por jo çdo mendje është lubb.
“Ai që ka kontroll në çështjet e tij” (el-hazim): nënkupton atë që i menaxhon mirë veprimet dhe ndjenjat e tij.
اللؤلؤ و المرجان
#Perlat dhe Koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët” (Buhariu dhe Muslimi)
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: hadith, veprat e mira
Të Ngjashme
- Tregimi i Temim ed-Darit për El Xhessasen dhe Mesihu Dexhalin Udha e Besimtarëve
- Mëkati i atij që merr atësinë e dikujt tjetër Udha e Besimtarëve
- Mëkatet e pakësojnë Imanin (besimin) Udha e Besimtarëve
- Gradët e ndryshme të ithtarëve të besimit Udha e Besimtarëve
- Disa kritere të besimit (imanit) Udha e Besimtarëve