Sheikh Mesh’hur Hasan Al-Salman – Allahu e ruajtë – ka thënë:
Parimi themelor në dije është fjala e Allahut të Lartësuar:
“Dhe mos e ndiq atë për të cilën nuk ke dije.” [El-Isra: 36]
Çdo çështje për të cilën njeriu pyetet dhe nuk ka njohuri, duhet të thotë: “Nuk e di.”
Dijetarët thonin: “Kush nuk e përdor shprehjen: ‘Nuk e di’, atij i është shkatërruar thelbi.”
Disa nga ata që e shoqëronin Imamin Malikun kanë thënë:
“Sikur të kishim dashur, do të kishim mbushur fletoret vetëm me fjalët e Imamit Malikut: ‘Mendojmë kështu, por nuk jemi të bindur’, apo: ‘Nuk jemi të sigurt’.”
Një njeri erdhi tek ai dhe i tha:
“Kam dyzet pyetje.” Imam Maliku iu përgjigj vetëm për dy ose tri prej tyre. Njeriu u habit dhe tha:
“Ti je Imami i Darul-Hixhras, Imami i Medinës Profetike, dhe thua: ‘Nuk e di’?!”
Imam Maliku iu përgjigj me qetësi dhe vendosmëri:
“Dil dhe folu njerëzve me zë të lartë: Maliku nuk e di. Dil, lajmëroji njerëzit se Maliku nuk e di.”
Ç’të dëmton të thuash: “Nuk e di”?
Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe mos e ndiq atë për të cilën nuk ke dije.” [El-Isra: 36]
Dija ngrihet mbi argument. Ndërsa imitimi pa argument nuk është dije. Prandaj është thënë: “Nuk imiton veçse budallai ose i padituri.”
Po, imitimi mund të lejohet në rast domosdoshmërie, por ai në vetvete nuk përbën dije. Argumentet për këtë janë të shumta.
Detyra e njeriut është që, kur flet, të flasë mbi bazën e dijes së saktë. Ky është një parim themelor dhe një shtyllë madhore për çdo nxënës të diturisë.
Në mesin e argumenteve të shumta është fjala e Allahut të Lartësuar:
“O ju që besuat, largohuni nga shumë dyshime; me të vërtetë, disa prej dyshimeve janë mëkat.” [El-Huxhurat: 12]
Gjërat që mbështeten vetëm mbi hamendje, mos fol për to. Fol vetëm pasi të kesh siguri dhe bindje.
Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu:
“Dhe mos thoni, me gjuhët tuaja që shpifin të pavërtetën: ‘Kjo është e lejuar dhe kjo është e ndaluar’, duke shpifur kështu gënjeshtër ndaj Allahut. Me të vërtetë, ata që shpifin gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë.” [En-Nahl: 116]
Ky është një ligj hyjnor, i pandryshueshëm deri në Ditën e Kiametit:
“Me të vërtetë, ata që shpifin gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë.” [En-Nahl: 116]
Pjesë e përfituar nga Ligjërata e dytë e Sheikh Mesh’hur Hasen Al-Selman me temë “Nejlu-l-Meram fi Sherhi Ajati-l-Ahkam”
Përktheu: Fatjon Isufi
Dosje: Dija, metodologjia