Kënaqësia më e Madhe e Banorëve të Xhenetit

September 7, 2025

Dijetari i madh, Imam Ibn Kajim el Xheuzije (v. 751 H/ 1350 G) përshkruan kënaqësitë e banorëve të Xhenetit duke thënë:

“Xheneti nuk është thjesht emër për pemët, frutat, ushqimet, pijet, hyrijet, lumenjtë, kështjellat dhe begatitë e tjera.

Shumica e njerëzve gabojnë në kuptimin e fjalës ‘Xhenet’, sepse ai, në të vërtetë, është emri i vendit të mirëqenies dhe kënaqësisë absolute e të plotë.

Nga mirësitë më të mëdha të Xhenetit është kënaqësia që besimtarët përjetojnë kur shikojnë Fytyrën e Allahut dhe dëgjojnë Fjalët e Tij, si dhe gëzimi i tyre nga afërsia me Allahun dhe fakti që Ai është i kënaqur me ta.

Nuk mund të bëhet asnjë krahasim midis kënaqësisë së ushqimeve, pijeve, veshjeve dhe bukurive e peizazheve të tjera të Xhenetit, me këtë kënaqësi. Madje, gjëja më e vogël nga Kënaqësia e Allahut është më e madhe se i gjithë Xheneti dhe çfarë ka brenda tij.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

{وَرِضۡوَٰنٞ مِّنَ ٱللَّهِ أَكۡبَرُۚ}

«…kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh.» (Et Teube: 72)

Kjo është përmendur në trajtë të pashquar për të treguar se në çfarëdo shkalle që të arrijë kënaqësia e Allahut ndaj njeriut, ajo është më e madhe se vetë Xheneti dhe çdo begati që ndodhet në të.”

Në hadithin e saktë ku përmendet shikimi i Allahut, Profeti ﷺ ka thënë:

“Pasha Allahun, Allahu nuk u ka dhënë atyre diçka më të dashur për ta sesa shikimi i Fytyrës së Tij.” (Transmeton Muslimi)

Marrë nga libri: “Medarixh es Salikin” 2/329.

Përktheu: Dr. Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...