Vlera e namazit dhe pozita e tij në Islam
Falënderimet janë për Allahun, paqja dhe nderimi i Allahut është për Profetin, familjen e tij, shokët dhe të gjithë besimtarët që pasojnë udhëzimin e tij. E më pas:
Transmetohet nga Ibn Umeri se Profeti ka thënë: “Është ndërtuar Islami mbi pesë shtylla: mbi dëshminë se nuk ka të adhuruar me të drejtë pos Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe vizita e Qabes për kë ka mundësi”. Allahu i ka nxitur besimtarët që ta kryejnë atë sa më mirë, në ajete të shumta, për shembull fjala e Tij: “Të kthyer tek Ai, kijani frikën Atij, kryejeni më së miri namazin dhe mos jini nga idhujtarët të cilët e përçanë fenë duke u ndarë në grupacione ku çdo palë i gëzohet idesë së tij” (Rrum 31); dhe thotë: “E nuk qenë të urdhëruar për diçka tjetër përveçse ta adhurojnë Allahun sinqerisht me përkushtim vetëm ndaj Tij ta falin më së miri namazin, ta japin zekatin. Kjo është feja e drejtë” (Bejineh 5); dhe ka thënë: “Thuaju robërve të Mi të cilët kanë besuar: ta falin namazin dhe të japin nga ajo që Ne i kemi furnizuar, të japin fshehtas dhe haptas para se të vijë ajo ditë ku nuk ka shitblerje dhe as lidhje të ngushtë” (Ibrahim 31).
Të gjitha këto ajete na përftojnë rëndësinë e xhamisë për të cilat Allahu urdhëron që të ngrihen me qëllimin e faljes kolektive në to. Xhamitë janë nga simbolet më madhështore të Islamit, po ashtu nga këto simbole është falja kolektive dhe thirrja (ezani) për në to ndërsa mos prezantimi në këto falje kolektive është një nga shenjat e hipokrizisë, Zoti na ruajt. Allahu për namazin ka thënë: “Kërkoni ndihmë me durim dhe namaz, kjo është diçka e madhe përveçse për të devotshmit të përulurit të cilët janë të bindur se do e takojnë Zotin e tyre dhe se do kthehen tek Ai” (Bekareh 45-46).
Transmetohet nga Ebu Hurejrah se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Namazi më i rëndë për mynafikët (hipokritwt) është namazi i jacisë dhe i sabahut, e sikur ta dinin çfarë ka në to do vinin qoftë dhe zvarrë. Më shkoi mendja dhe për pak desh vendosa të urdhëroja të fillonte namazi, ta lë dikë të falet me njerëzit kurse unë me disa të tjerë që bartin dru me vete të shkojmë tek ata që nuk marrin pjesë në namaz e tua djeg shtëpitë e tyre”. Transmeton Buhariu 657, Muslimi 651. Transmetohet nga Abdullah bin Mesud i cili ka thënë: “Askush prej nesh (sahabëve) nuk mungonte në namaz përveç atij që ishte munafik i mirënjohur ose dikush i sëmurë. Kishte të sëmur që bartej ndërmjet dy personave që të vinte në namaz”. Tha (Ibn Mesudi): “Profeti na ka mësuar simbolet (rrugët) e udhëzimit dhe nga këta simbole është namazi në xhami për të cilin thërritet ezani” transmeton Muslimi: 654.
Profeti qartësoi vlerën e namazit kolektiv siç transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Namazi me xhemat është më i mirë se namazi i personit të vetëm me njëzet e pesë herë. Engjëjt e natës dhe të ditës bashkohen në namazin e sabahut”. Ebu Hurejra tha: Po të doni (vërtetimin e kësaj) lexoni ajetin: “Dhe leximi i mëngjesit ( falja) vërtetë leximi i mëngjesit është i prezantuar (nga engjëjt)” transmeton Buhari 648 dhe Muslimi: 649.
Transmetohet nga Ibn Umeri se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Namazi kolektiv është më i mirë se namazi vetëm njëzet e shtatë shkalle (grade) më shumë” Buhariu: 645 dhe Muslimi: 650. Transmetohet nga Ebu Hurejre se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Namazi që personi kryen me xhemat shumëfishohet njëzet e shtatë herë në krahasim me namazin që fal në shtëpinë e tij apo në pazar. Ky (shumëfishim) nëse e përsos abdesin e tij dhe del nga shtëpia duke pasur vetëm namazin si qëllim (parësor) çdo hap që hedh e ngre një gradë lart dhe i shlyen një të keqe. Për sa kohë që ky person qëndron në vendin ku është falur, engjëjt luten për të: O Allah mëshiroje atë, o Allah ço salavate për të. Ai që e pret namazin është në namaz” Buhariu: 647 dhe Muslimi: 649.
Namazi t’i shlyen të këqijat. Transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Çfarë mendoni sikur para portës së ndonjërit prej jush të kishte një lumë ku lahej 5 herë në ditë a do mbetej papastërti në trupin e tij?! Ky është dhe shembulli i namazeve të cilat Allahu shlyen mëkatet” Buhariu: 528 dhe Muslimi: 667. Transmetohet nga Xhabir bin Abdullah se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Shembulli i pesë namazeve është si shembulli i një lumi të rrjedhshëm para derës së ndonjërit prej jush në të cilin ai lahet pesë herë çdo ditë” Muslimi: 668.
Përdorimi i termit kufër (mosbesim) për atë që lë namazin:
Transmetohet nga Xhabir bin Abdilah: E kam dëgjuar Profetin duke thënë: “Ndërmjet njeriut dhe shirkut ose kufrit është lënia e namazit” Muslimi: 82, ndërsa tek Ebu Daudi 4678: “Ndërmjet robit dhe kufrit është lënia e namazit”, ndërsa tek Tirmidhiu 2618: “Ndërmjet kufrit dhe besimit është lënia e namazit”. Transmetohet nga Abdullah bin Burejdeh nga babai i tij se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Marrëveshja mes nesh (muslimanëve) dhe tyre (hipokriteve) është namazi, kush e lë atë ka mohuar” Tirmidhiu: 2621 dhe tha hadithi është hasen sahih garbi (i mirë, i saktë). Në zinxhirin e këtij hadithi është transmetuesi Husejn bin Uakid që e ka konsideruar të besueshëm Ibn Mein por e ka përfolur imam Ahmedi. El Hafidhu Ibn Haxher për të ka thënë: I besueshëm por që nganjëherë ka pasaktësi ndaj hadithi i transmetuar prej tij vlerësohet vetëm hasen (i mirë).
Dijetarët kanë mospajtime në lidhje me kufrin e përmendur, një pjesë thonë është për qëllim kufri i madh që të nxjerr nga feja duke marrë këtë hadith argument si dhe fjalën e Abdullah bin Shakik (tabiin): Shokët e Profetit nuk e konsideronin kufr lënien e ndonjë vepre përveç namazit.
Një palë tjetër mendojnë se është kufr i vogël që nuk nxjerr nga feja përveç nëse e konsideron të lejuar lënien e namazit, në këtë rast është kafir me ithma (unanimin e dijetarëve). Argumenti i këtyre që nuk e vlerësojnë si kafir është fjala e Allahut: “Allahu nuk fal të bëhet shok Atij kurse çdo gjë tjetër veç kësaj ia fal kujt të dojë”.
Pavarësisht nga ky mospajtim pjesa dërrmuese e dijetarëve nga selefët dhe të mëvonshmit janë të mendimit se lënësi i namazit i kërkohet të pendohet ose përndryshe vritet. Ndërsa Ebu Hanifeja e të tjerë janë të mendimit se nuk duhet të vritet por burgoset dhe kërcënohet, disiplinohet derisa të falet.
Obligueshmëria e drejtimit të safeve (rreshtave) dhe e plotësimit të boshllëqeve në to:
Transmetohet nga Ahmedi në Musnedin e tij nr: 5724 nga Ibn Umeri se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Drejtojini safet sepse ju rreshtoheni siç drejtohen engjëjt. Afrojini supet dhe mbushini boshllëqet, tregohuni të butë me vëllezërit tuaj dhe mos lini boshllëqe për shejtanin. Kush e vazhdon safin Allahu e vazhdon lidhjen me të dhe kush e ndërpret safin Allahu e ndërpret me të”. Gjithashtu ka transmetuar në Musned: 5/262 nga Ebu Umameh se profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Allahu dhe engjëjt bëjnë salavate për safin e parë. Thanë: o Resulullah, po për safin e dytë? Përsëriti atë çfarë tha herën e parë. Thanë: Po për safin e dytë? Tha: “Edhe për safin e dytë. Drejtojini safet tuaja, afroni supet tuaja (në mënyrë paralele), silluni butë me vëllezërit tuaj, dhe mbushni boshllëqet sepse shejtani hyn (nëpër boshllëqe) siç bëjnë qengjat e vegjël” hadith është hasen (i mirë). Ebu Daudi ka thënë: Kuptimi i thënies silluni butë me vëllezërit tuaj është: nëse vjen dikush për të hyrë në saf, të ngushtojnë supet të pranishmit ashtuqë të hyjë” sahih (i saktë). Transmetohet nga Enes bin Malik se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Drejtojini safet sepse vërtetë drejtimi i safeve është nga plotësimi i namazit” Ahmed: 3/177, Buhari: 732, Muslimi: 433.
Gjithashtu nga Enesi i cili tha: Profeti kthehej nga ne me fytyrë para se të bënte tekbirin fillestar dhe thoshte: “Ngjeshuni dhe drejtohuni” mutefekun alejhi (unanimisht i saktë). Transmetohet nga Numan bin Beshir i cili tha: Profeti i drejtonte safet tona siç drejton punuesi i shigjetave shigjetën, derisa e pa (u bind) që ne e kuptuam (dhe zbatuam) qëllimin e tij. Më pas një ditë tjetër doli për namaz dhe sapo do bënte tekbirin pa një person që kraharori i tij dukej nga të tjerët në saf, ndaj tha: “O robër të Allahut ose do i drejtoni safet tuaja ose Allahu do u përçajë mes jush” transmetojnë të gjashtët përveç Buhariut. Në transmetimin e Ahmedit dhe Ebu Daudit thuhet: Më pas i pashë njerëzit që bashkonin nyjet e këmbës me njëri tjetrin, gjunjtë me gjunjtë dhe supet me supet”. Marrë nga libri el Munteka të Mexhd bin Tejmijeh nr: 1479. Transmeton Muslimi 436, Tirmidhiu: 2027, Ebu Daudi: 663. Transmetohet nga Xhabir bin Semurah se ai ka thënë: Doli tek ne Profeti dhe tha: “A nuk po rreshtoheni siç bëjnë engjëjt tek Zoti i tyre? Thamë: O i dërguari i Allahut si rreshtohen engjëjt tek Zoti i tyre? Tha: “Plotësojnë safin e parë dhe ngjeshen në saf” Muslimi: 430, Ahmedi: 5/106. Transmetohet nga Ebu Mesudi i cili ka thënë: Profeti prekte supet tona para namazit dhe thoshte: “Drejtohuni e mos jini të ndryshëm që të mos u përçahen zemrat. Le të jenë menjëherë pas meje më të mençurit e të zgjuarit, më pas ata që janë më pak se ta, më pas ata që janë më se ata”. Ebu Mesudi tha: Ndaj ju sot jeni në një mospajtim të madh. Transmetohet nga Ibn Mesudi se Profeti ka thënë: “Të qëndrojë pas meje të mençurit e të zgjuarit prej jush pastaj ata që vijnë pas tyre (tre herë)” Muslimi: 432, Tirmidhiu: 228.
Së fundmi them: Nga ndikimet e namazit i cili falet në përputhje me sheriatin ku përmbushet kushti i sinqeritetit dhe plotësohen kushtet dhe shtyllat e tij me frikë-respekt është shpëtimi dhe arritje e gjësë më të madhe që kërkohet nga Allahu, thotë i Lartësuari: “Janë të shpëtuar besimtarët ata të cilët janë të kujdesshëm me frikë-respekt në namazin e tyre, të cilët janë larg të kotës dhe që e japin zukatin”. Nga ndikimet e këtij namazi është frenimi nga veprat e ulëta dhe të ndyra, është merita e përmendjes nga Allahu në parinë e lartë, thotë i Lartësuari: “Vërtet namazi të largon nga veprat e ulëta dhe të ndyra. Përmendja e Allahut është gjëja më e madhe. Allahu e di çfarë veproni”. Qëllimi im me këtë fjalë të shkurtër ishte të përkujtoj vëllezërit e mi muslimanë me rëndësinë e madhe të namazit dhe vlerën e tij në Islam, t’i nxis ata ta kryejnë në shtëpitë e Allahut, t’i nxis për diçka që e shoh se i kushtohet pak rëndësi si nga imamët ashtu edhe nga xhemati, bëhet fjalë për drejtimin e safeve, bashkimin e këmbëve, plotësimin e boshllëqeve që i shfrytëzon shejtani, gjëra që shokët e Profetit u përmbaheshin duke zbatuar urdhrat e tij dhe porositë që jepte. Kam parë shumë nga ata që falen që neglizhojnë në këto dhe që nuk i kuptojnë pasojat që vijnë duke i dhënë mundësi shejtanit të mbjellë përçarje, urrejtje dhe shkëputje, ku shkaku kryesor i këtyre problemeve është mos pasimi i udhëzimit profetik dhe i shokëve të tij në lidhje me mënyrën e kryerjes së namazit ashtu siç e sqaroi dhe që na tërhoqi vërejtjen nga kundërshtimi i kësaj.
E lus Allahun t’i japë sukses muslimanëve të kapen pas librit të Zotit të tyre dhe udhëzimit të Profetit të tyre, e të ecin në rrugën e selefëve si në akide (besim), ibadet (adhurim) dhe çdo aspekt tjetër të jetës.
E lusim të na bëjë nga të shpëtuarit që namazi i tyre i frenon nga veprat e ulëta dhe të ndyra. Vërtet Zoti im e dëgjon lutjen. Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë Muhamed.
Shkroi Rabij bin Hadij Umejr el Medkhalij
Përktheu Shuajb Rexha Ebu Duxhanah
Të Ngjashme
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve