Vlerësimi i veprave nga më e rëndësishmja tek më e dobishmja

September 9, 2025

Sa i përket fjalës së pyetësit: Cilat janë shkaqet me të cilat forcohet imani derisa të plotësohet sipas radhës? A fillohet me zuhdin (asketizëm)? Apo me diturinë? Apo me adhurimin? Apo të mblidhen së bashku sipas mundësisë së tij?

Është e domosdoshme të plotësohet imani i detyrueshëm, adhurimi i detyrueshëm dhe zuhdi i detyrueshëm. Pastaj njerëzit dallohen në shkallët e imanit ashtu siç dallohen në degët e tij. Çdo njeri kërkon atë që ka mundësi të kërkojë dhe parapëlqen atë që ka aftësi ta parapëlqejë prej veprave më të mira.

Njerëzit dallojnë edhe në këtë çështje: disa prej tyre e kanë më të lehtë diturinë sesa zuhdin, disa të tjerë e kanë më të lehtë zuhdin sesa diturinë, ndërsa disa të tjerë e kanë më të lehtë adhurimin sesa dy të parat. Prandaj çdo njeriu i është lejuar të bëjë aq sa ka mundësi nga veprat e mira, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Kijeni frikë Allahut sa të keni mundësi.” | Et-Tegabun: 16.

Në momentin kur degët e imanit grumbullohen (dhe përplasen ndërmjet tyre), atëherë ai duhet t’i japë përparësi asaj që është më e kënaqshme për Allahun dhe që është më i aftë ta përmbushë. Mund të ndodhë që ai të jetë më i aftë në atë që është më e pakët (më pak e vlefshme në mënyrë absolute) sesa në atë që është më e madhe në vlerë, dhe prej saj të përfitojë më shumë se sa do përfitonte nga ajo që është më e madhe.

Prandaj, më e mira për të është të kërkojë atë që është më e dobishme për të dhe që për të ka vlerë më të madhe, jo atë që është më e mirë në mënyrë absolute, nëse është e pamundur për të ose e vështirë në mënyrë që t’i humbasë atij ajo që është më e vlefshme e më e dobishme.

Shembull për këtë është ai që lexon Kuranin natën duke u thelluar në meditim dhe duke përfituar nga leximi i tij, ndërkohë që namazi e shpërqëndron dhe nuk përfiton prej tij sa duhet, për të është më i vlefshëm leximi sesa namazi. Ose kush përfiton nga dhikri më shumë sesa nga leximi, atëherë dhikri për të është më i vlefshëm.

Pra çdo vepër që i sjell më shumë dobi dhe është më bindëse ndaj Allahut, është më e vlefshme për të sesa të mundohet me një vepër që nuk mund ta përmbushë siç duhet por vetëm në formë të mangët, duke humbur kështu atë që është më e dobishme për të.

Dihet se namazi është më i theksuar (më i rëndësishëm) sesa leximi i Kuranit, dhe se leximi i Kuranit është më i vlefshëm sesa dhikri dhe lutja. Gjithashtu dihet se dhikri në formën e tij të veçantë – si në ruku dhe në sexhde – është më i vlefshëm sesa leximi i Kuranit në ato momente. Po ashtu; dhikri, leximi dhe lutja në kohën e lindjes së diellit dhe në kohën e perëndimit të tij janë më të mira sesa falja e namazit në ato çaste.

 

Autor: Ibn Tejmije

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...