Shejhul-Islam – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:
Dikush pyeti: “Me çfarë gjuhe do t’u flitet njerëzve në ditën e ringjalljes? A do t’u flasë Allahu i Lartësuar me gjuhën arabe? A është e saktë se gjuha e banorëve të zjarrit është persishtja, dhe gjuha e banorëve të xhenetit është arabishtja?!”
Pas falënderimit të Allahut, Zotit të botëve, unë u përgjigja:
“Nuk dihet se me çfarë gjuhe do të flasin njerëzit atë ditë, dhe as me çfarë gjuhe do ta dëgjojnë fjalën e Zotit të Madhëruar, sepse Allahu i Lartësuar nuk na ka njoftuar për këtë gjë, dhe as i Dërguari i Tij ﷺ.
Nuk është e saktë se persishtja do të jetë gjuha e banorëve të Xhehenemit, e as që arabishtja do të jetë gjuha e banorëve të kënaqësisë së përjetshme. Për këtë nuk dimë ndonjë mospajtim midis sahabëve – Allahu qoftë i kënaqur me ta – por të gjithë janë përmbajtur (kanë heshtur) nga kjo gjë, sepse të folurit rreth gjërave të tilla konsiderohet prej fjalëve të panevojshme.
Allahu i Lartësuar nuk i ka lajmëruar njerëzit për diçka të tillë. Por, tek të mëvonshmit kanë ndodhur mospajtime për këtë çështje.
Disa kanë thënë: Ata do të flasin mes njëri-tjetrit në gjuhën arabe.
Të tjerë kanë thënë: “Përveç banorëve të zjarrit, sepse ata do të përgjigjen në persisht, dhe ajo është gjuha e tyre në zjarr.”
Të tjerë kanë thënë: ‘Ata do të flasin në gjuhën sirasiane (siriake), sepse ajo ishte gjuha e Ademit, dhe prej saj janë degëzuar gjuhët.’
Dhe të tjerë kanë thanë: ‘Përveç banorëve të xhenetit, sepse ata do të flasin në gjuhën arabe.’
Por të gjitha këto thënie nuk kanë asnjë argument për ata që i thonë, qoftë përmes arsyes, apo në anën e transmetimit. Përkundrazi, janë vetëm pretendime të zhveshura nga argumentet. Allahu i Lartësuar është më i Dituri dhe më i Urti.
“Mexhmu el Fetaua” 4/300.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Fetua
Të Ngjashme
- Cila është mënyra më e mirë e bërjes së tesbihut pas namazeve farz? Udha e Besimtarëve
- Vlerësimi i veprave: nga më e rëndësishmja tek më e dobishmja Shehul-Islam Ibn Tejmie
- A është e saktë shprehja “vdiq parakohe”? Udha e Besimtarëve
- Falja e dy rekateve të hyrjes në xhami afër kohës së ikametit Udha e Besimtarëve
- Ai që nuk e kthen selamin kur dikush e përshëndet me selam Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin