A e ke pyetur veten ndonjëherë: Kush të ka krijuar dhe përse?

October 9, 2025

A e ke pyetur veten ndonjëherë: Kush të ka krijuar dhe përse? Dhe çfarë ka pas vdekjes?

Kjo broshurë trajton çështjen e ekzistencës dhe krijimit, duke argumentuar racionalisht ekzistencën e një Krijuesi veprimet e të Cilit janë plot urtësi dhe atributet e të Cilit janë të përsosura. Ai sqaron se qëllimi i vërtetë i jetës është adhurimi i Allahut të vetëm dhe se Islami është feja e vërtetë dhe feja e ruajtur nga ndryshimet. Libri fton në besimin tek i Dërguari i Allahut, Muhamedi, dhe në ndjekjen e mësimeve të tij. Ai paralajmëron kundër shirkut dhe pohon llogarinë dhe shpërblimin në botën tjetër.

Po ty kush të krijoi, o njeri? Po ta shikoje trupin tënd në mikroskop, do të shihje një botë më vete të saktësisë dhe mrekullisë. Çdo qelizë në trupin tënd mbart në vetvete informacione gjenetike me kode komplekse. A e ke pyetur veten kush i shkroi këto kode? Dhe kush i vendosi në vendin e tyre të duhur?

Çdo ndërtesë e lartë dhe çdo shtëpi modeste dëshmon për ndërtuesin e saj; a është e arsyeshme që ky univers i gjerë, me bukurinë, saktësinë dhe harmoninë midis detajeve të tij, të ekzistojë pa Krijues?

O njeri, ashtu siç mendja jote nuk e pranon po të të thuhej se një smartfon, i prodhuar me saktësi të lartë, u shfaq papritur pa projektues dhe pa prodhues, ose se një rrjet i ndërlikuar pajisjesh punon në harmoni dhe me përpikmëri pa programues apo mbikëqyrës, po ashtu, si mund ta pranojë mendja të thuhet se ky univers madhështor, me gjithë sistemin, mjeshtërinë, ligjet e sakta dhe rregullin e përsosur që ka, erdhi pa Krijues?

Çdo pjesë në këtë gjithësi, prej atomit më të vogël e deri te galaktika më e madhe, dëshmon për madhështinë e Krijuesit të saj. Logjika e ka të pamundur ta pranojë që ky sistem i përkryer të ketë lindur nga kaosi dhe rrëmuja. Ajo nuk e pranon që ky univers të ketë ardhur nga hiçi, apo që ky sistem i mahnitshëm e kompleks të jetë rezultat i një rastësie.

Sikurse logjika e shëndoshë dhe natyrshmëria e pastër e shtyjnë njeriun drejt besimit në ekzistencën e një krijuesi të universit, ashtu edhe na shtyjnë të meditojmë rreth cilësive të këtij Krijuesi dhe detyrimeve që kemi ndaj Tij.

Meditimi rreth cilësive të këtij Krijuesi na hap dyert e perceptimit të thellë se ky krijues, në mënyrë të domosdoshme, karakterizohet nga përsosmëria absolute dhe paprekshmëria nga mangësitë.

Kjo do të thotë se Krijuesi karakterizohet nga të gjitha atributet e bukurisë dhe madhështisë; Ai është i Fuqishëm mbi çdo gjë, i Gjithëdijshëm për çdo gjë dhe ka urtësi në gjithçka që ka krijuar dhe ka përcaktuar. Kjo përsosuri nuk është thjesht një gjasë, por një domosdoshmëri logjike, sepse çdo mangësi në cilësitë e Tij do të çonte në një çrregullim në krijim dhe në përkujdesje e mbarështim, gjë e cila bie ndesh me mjeshtërinë që e vërejmë në gjithësi.

Po ashtu, të qenët i pastër nga çdo mangësi kërkon që Krijuesi të jetë i pavarur nga krijesat e Tij; të mos ketë nevojë për askënd, përkundrazi, të gjithë krijesat të kenë nevojë për Të në ekzistencën dhe mbijetesën e tyre. Ai është i pastër nga të pasurit ortak dhe fëmijë, sepse këto janë dukuri të mangësisë dhe paaftësisë, ndërsa Allahu, i Plotfuqishmi e i Madhërishmi, është i pastër nga të gjithë këto.

Përderisa Allahu është Krijuesi Madhështor, i Cili është i karakterizuar nga atributet e përsosurisë dhe madhështisë, që na krijoi ne dhe gjithësinë nga hiçi, që sundon mbi gjithçka, që na furnizon dhe na mbulon me mëshirën e Tij, që rregullon dhe përkujdeset për çdo gjë; a nuk e kemi për detyrë ta falënderojmë Atë, të kërkojmë si ta fitojmë kënaqësinë e Tij, si t’i përmbushim detyrimet që kemi ndaj Tij dhe si të punojmë për të realizuar qëllimin për të cilin na krijoi?

A është e logjikshme që Allahu të na krijojë, pastaj të mos na sqarojë se çfarë kërkon prej nesh? Pse jemi këtu? Cili është qëllimi dhe objektivi i ekzistencës sonë në jetë? Çfarë do të ndodhë me ne pas vdekjes?

Paramendo pak: sikur një njeri të ndërtonte një pallat madhështor, ta pajiste me teknologjinë më moderne dhe, sapo të përfundonte ndërtimin e tij, papritmas ta shkatërronte plotësisht pa asnjë arsye. A mund ta cilësojmë këtë njeri si të urtë? A nuk është e vetëkuptueshme se një veprim i tillë është i kotë dhe nuk i ka hije një njeriu të mençur?!

Nëse një vepër e tillë është e papranueshme për njeriun, atëherë si mund të përfytyrojmë se Allahu, i Urti, i Gjithëdijshmi, e ka krijuar këtë gjithësi të mrekullueshme me mjeshtëri dhe përpikmëri, e pastaj ta shkatërrojë duke mos pasur asnjë qëllim apo urtësi?

Zoti i ka krijuar njerëzit për një urtësi të madhe, që është adhurimi i Tij i vetëm, pa i bërë ortak. Ai i krijoi ata për t’i vënë në provë në këtë botë dhe u caktoi një ditë kur do të ringjallen, Ditën e Gjykimit, për të dhënë llogari për veprat e tyre. Kush beson në Zotin dhe i përgjigjet thirrjes së Tij, do të ketë si shpërblim begatitë e parajsës, ku do të jetojë përjetësisht, kurse kush i kthen shpinën të vërtetës, do të jetë prej banorëve të zjarrit.

Adhurimi është detyrë e jona, sepse ai është qëllimi i ekzistencës sonë, dhe është prova që dëshmon se ne jemi falënderues ndaj Allahut për të mirat që na ka dhënë si dhe prova që dëshmon për sinqeritetin tonë në pohimin se Allahu është zoti i gjithësisë dhe se vetëm Ai meriton të adhurohet.

Andaj duhet të meditosh se Allahu i Lartësuar është Ai që të ka krijuar dhe të ka nderuar me shqisën e dëgjimit dhe shikimit, të ka mbuluar me mirësi të panumërta. Ai është që e vë në lëvizje gjakun në venat e tua, të furnizon me ujë e ajër, dhe ti në çdo çast ke nevojë për Të. Pa mëshirën dhe kujdesin e Tij, do të ishe shkatërruar dhe energjitë e tua do të kishin shteruar. Madje, Ai, i Lartësuari, mori përsipër furnizimin tënd kur ishe ende embrion në barkun e nënës tënde, kur ishe i pafuqishëm dhe s’kishe asgjë në dorë.

A nuk e meriton ky Krijues madhështor që ta adhurosh ashtu siç dëshiron Ai, e jo siç dëshiron ti?! Mendo pak: sikur të doje t’i bëje nënës tënde një dhuratë, a do të zgjidhje si dhuratë atë që kënaq egon tënde, apo do të përpiqeshe të dish se çfarë pëlqen ajo, për ta gëzuar atë me diçka që i përshtatet asaj? Po kështu edhe adhurimi i Allahut të Lartësuar, nuk duhet të jetë sipas dëshirave apo zakoneve tona të trashëguara, por ashtu siç dëshiron i Lartmadhërishmi, dhe sipas mënyrës që Ai na ka urdhëruar.

Adhurimi duhet t’i kushtohet sinqerisht vetëm Allahut të Lartësuar, i Cili nuk ka ortak. Andaj, nuk i lejohet njeriut t’ia kushtojë adhurimin dikujt tjetër përveç Krijuesit të tij. Gjynahu më i madh që shkakton qëndrimin e përhershëm në Zjarr është politeizmi: që njeriu të adhurojë dikë tjetër përveç Allahut prej krijesave të Tij, siç është adhurimi i idhujve, diellit a hënës, ose adhurimi i njerëzve, i një kafshe apo njeriu të mirë. Të gjitha këto janë lloje të politeizmit dhe të mosbesimit, dhe kushdo që vdes në këtë gjendje, dënimi i tij do të jetë qëndrimi i përjetshëm në zjarrin e Xhehenemit.

Allahu dërgoi shumë profetë dhe të dërguar që të na njoftonin për qëllimin e ekzistencës sonë në këtë botë dhe për objektivin e jetës. Mesazhi i të gjithë të dërguarve ishte i njëjtë: mesazhi i Islamit dhe thirrja për të adhuruar vetëm Krijuesin, pa i bërë shok Atij. Mirëpo, pati prej atyre që e shtrembëruan dhe e ndryshuan atë që sollën të dërguarit e mëparshëm, prandaj Allahu dërgoi vulën e të dërguarve, Muhamedin ﷺ, dhe i zbriti atij mesazhin e fundit për njerëzimin, që është Kurani i madhërishëm. Ka shumë argumente logjike dhe shkencore që vërtetojnë se Kurani është fjala e Allahut dhe se ai është Libri i vetëm që nuk është shtrembëruar e as ndryshuar. Allahu na ka treguar në Kuran se Ai nuk do të pranojë nga njeriu fe tjetër përveç Islamit dhe se mesazhi i të gjithë të dërguarve ishte i njëjtë: thirrja për të njësuar Krijuesin dhe për të adhuruar vetëm Atë, pa i bërë shok. Allahu na ka njoftuar në Kuran se ka një Xhenet ku gjendet lumturia e përjetshme për besimtarët, dhe se ka një Zjarr ku gjendet dënim i dhembshëm për atë që adhuron dikë tjetër veç Allahut ose refuzon të hyjë në Islam.

Ajo që e dallon Islamin nga fetë e tjera është se muslimanët janë të vetmit të aftë të paraqesin argumente logjike dhe fakte shkencore, duke u mbështetur në burime të besueshme të dijes, për të vërtetuar se Kurani i madhërishëm që e kanë sot në duart e tyre është fjala e Allahut, Krijuesit të Madhërishëm, i ruajtur nga ndryshimi dhe shtrembërimi.

Kurani i madhërishëm është libri që Allahu ia shpalli pejgamberit të Tij, Muhamedit ﷺ, përmes të cilit Ai e sfidoi njerëzimin prej më shumë se katërmbëdhjetë shekujsh që të sjellin një të ngjashëm me të, apo qoftë edhe një sure të vetme si ai, por ata nuk mundën ta bënin këtë. Sfida është e hapur edhe sot e kësaj dite, pa mundur askush të sjellë diçka që i përngjan atij në elokuencë, qartësi, paimitueshmëri dhe legjislacion. Megjithatë, askush ndër shekuj nuk ka mundur të sjellë diçka si ai apo qoftë edhe të përafërt me të. Paimitueshmëria në Kuran nuk qëndron vetëm në gjuhën e tij, e cila ka arritur kulmin e elokuencës dhe qartësisë, por shtrihet dhe më gjerë duke përfshirë argumente logjike dhe shkencore që vërtetojnë se ai është fjala e Allahut. Nëse Kurani i madhërishëm përmban argumente të qarta që dëshmojnë se ai është fjala e Allahut, atëherë veprimi racional dhe logjik është që të besojmë në të dhe të ndjekim udhëzimet që ceken në të, e jo të mbështetemi në libra të tjerë që janë ndikuar nga ndërhyrja njerëzore në hartimin e tyre.

Mendja e shëndoshë na shpie te përfundimi se Fjala e Krijuesit, i Cili krijoi universin dhe përsosi rendin e tij, është burimi më i vërtetë për njohjen e së vërtetës. Kur në Kuran hasim-përveç ruajtjes së tij nga shtrembërimi ndër shekuj-,mrekullinë gjuhësore, faktet shkencore dhe legjislacionin e përkryer, atëherë nuk kemi rrugë tjetër veçse të pranojmë se ai është fjalë e Allahut.

Prandaj, besimi në Kuran nuk është thjesht një zgjedhje besimore, por një vendim racional që përputhet me logjikën e kërkimit të së vërtetës.

Allahu i Lartësuar ka sqaruar në Kuranin Fisnik se Ai nuk na krijoi pa arsye, por na krijoi që ta adhurojmë Atë.

Allahu na tregoi në Kuran se jeta e kësaj bote që jetojmë është vetëm një fazë e përkohshme e cila do të përfundojë së shpejti, ndërsa jeta e vërtetë dhe e amshueshme do të jetë në botën tjetër, kur besimtarët të hyjnë në Xhenet dhe jobesimtarët në Zjarr.

Krijuesi, i Cili na krijoi nga hiçi, është padyshim i Fuqishëm të na kthejë në jetë pas vdekjes. Në shenjat e Allahut që gjenden në gjithësi, të cilat na rrethojnë, ne jemi dëshmitarë të një argumenti të prekshëm të fuqisë së pafundme të Allahut në kthimin në jetë të gjërave që nuk kanë jetë. Si përshembull: Allahu nxjerr zjarrin nga druri i gjelbër, nxjerr bimët dhe frutat nga toka e thatë dhe krijon embrionin në barkun e nënës nga një pikë fare. Po kështu, Ai, i Lartësuari, është i Fuqishëm t’i ringjallë të vdekurit dhe t’i ngrejë nga varret e tyre për llogaridhënie në Ditën e Gjykimit. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë, dhe do të ishte padrejtësi e zullum që jeta e zullumqarit dhe e të shtypurit të përfundonte pa llogaridhënie apo gjykim.

E njeriu mund të pyesë: Pse Islami dhe jo fetë e tjera?

Veçoria më e madhe që e dallon njeriun nga krijesat e tjera është mendja, funksioni i së cilës është të menduarit dhe kërkimi i fakteve.

Islami është fe që përputhet me mendjen e shëndoshë dhe natyrën e pastër njerëzore, pasi ai ofron përgjigje logjike për pyetjet e mëdha ekzistenciale: Pse jemi këtu? Cili është qëllimi i jetës sonë? Dhe cili është fati ynë pas vdekjes?

Islami bazohet në njësimin e Krijuesit në adhurim dhe në dëshminë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut. Kjo është dëshmia e parë dhe themeli i besimit në Islam, që nënkupton se askush nuk është i denjë të adhurohet përveç Allahut të Vetëm.

Kjo dëshmi përmban disa çështje të cilat janë:

Teuhidi(monoteizmi): Besimi në Zotin që është i vetmi i Cili meriton të adhurohet, që nuk ka ortak as fëmijë dhe as të ngjashëm.

Distancimi nga shirku(politeizmi): mohimi i të gjithë idhujve dhe zotave të sajuar nga njerëzit.

Në Islam është i detyrueshëm besimi në të gjithë të dërguarit, andaj muslimanët besojnë, ashtu siç na ka treguar Allahu në Kuran, se Isai (Jezusi) është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij, e jo biri i Zotit, sepse Allahu është i Lartësuar dhe nuk i takon të ketë bashkëshorte e as fëmijë, pasi Ai nuk ka nevojë për ta e as për ndonjë gjë tjetër. Allahu na tregoi në Kuran se Isai ishte profet, të cilit Allahu i dha mrekulli të shumta dhe se Ai e dërgoi te populli e tij që t’i ftojë për të adhuruar Allahun, të vetmin e pa ortak. Gjithashtu na tregoi se Isai nuk u kërkoi njerëzve të adhuronin vetë Isain, por ai vetë e adhuronte Krijuesin e tij. Prandaj, nëse dëshiron të besosh në Isain sipas të vërtetës që e do Allahu, atëherë duhet të futesh në Islam.

Allahu na ka treguar në Kuran se Isai (Jezusi) e urdhëroi popullin e tij që të adhuronin Allahun të Vetmin dhe i paralajmëroi ata nga politeizmi.

A është e logjikshme që një njeri me mend të adhurojë një krijesë si vetë ai, që ndjen uri e etje dhe nuk ka fuqi ta shpëtojë veten nga vdekja apo nga ndonjë dëm tjetër!? Vallë, si mund ta adhurosh, o njeri, Isain (Jezusin), birin e Merjemes, ndërkohë që ai ishte një qenie njerëzore që kishte nevojë për ushqim e pije dhe i drejtohej Krijuesit të tij duke iu lutur e falur?! A mund ta imagjinojë mendja se Zoti i falej vetes së vet?! A nuk është Allahu Ai që karakterizohet nga madhështia, i vetmi me atribute të përsosura, i pangjashëm dhe i pashembullt, dhe gjithçka që gjendet në këtë univers është nën pushtetin dhe sundimin e Tij? Si mund të pranohet logjikisht se Krijuesi i qiejve dhe i Tokës e ul Veten për t’u lindur nga një njeri si foshnje, e pastaj ia dorëzon Veten krijesave të Tij që ta kryqëzojnë? Ata që mund të kryqëzohen dhe vriten janë njerëzit të cilët janë të vdekshëm, ndërsa Krijuesi është i Gjalli që nuk vdes kurrë, i Përjetshmi, të Cilin nuk e kaplon as kotja e as gjumi. A nuk është pjesë e përsosmërisë së madhështisë dhe lartmadhërisë së Tij që të jetë i pastër nga diçka e tillë?

Allahu na ka treguar në Kuranin Fisnik se të gjithë të dërguarit erdhën me një mesazh të vetëm, i cili përmblidhet në: thirrja e popujve të tyre për të adhuruar vetëm Allahun, pa ortak. Por me kalimin e kohës, disa e shtrembëruan këtë mesazh të përjetshëm dhe e shuan dritën e Teuhidit(monoteizmit)që e sollën profetët. Prandaj Allahu dërgoi të dërguarin e fundit, Muhamedin ﷺ, dhe i shpalli atij Kuranin Fisnik, për të ripërtërirë mesazhin e Teuhidit, të cilin e kishin sjellë të gjithë të dërguarit para tij.

Dhe në përfundim, të themi, o njeri:

Islami është feja e arsyes dhe e natyrshmërisë së pastër, dhe është feja e vetme që Krijuesi i Madhërishëm e ka përzgjedhur për njerëzimin; prandaj çdo njeri i mençur duhet të nxitojë të hyjë në Islam duke besuar në Allahun si Zot, në Islamin si fe dhe në Muhamedin si të Dërguar, dhe kjo është një çështje për të cilën njeriu nuk ka zgjedhje tjetër, sepse Allahu do ta marrë në llogari në Ditën e Kiametit se si u është përgjigjur të dërguarve: nëse ai është besimtar, atëherë do të shpëtojë e do të arrijë sukses të madh, e, nëse është jobesimtar, atëherë do të jetë dështues i qartë.

Nëse je duke kërkuar lumturinë e vërtetë në këtë botë dhe shpëtimin në botën tjetër, dije se vendimi më madhështor që mund të marrësh në jetën tënde është të hysh në Islam. Mjafton vetëm t’i shqiptosh këto fjalë me zemër të sinqertë dhe plot besim: “Dëshmoj se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Tij”, pastaj fillo ta mësosh fenë tënde dhe të zbatosh detyrat e kësaj dëshmie; të besosh në Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe të përmbushësh shtyllat e Islamit.

Thuaje tani dhe mos hezito; sepse vdekja mund të të vijë papritur, prandaj mos e shtyj për më vonë një vendim kaq të rëndësishëm. Mos i lër shejtanit mundësi që të të largojë nga e mira. Bëhu trim dhe fillo të ecësh në rrugën tënde drejt dritës dhe udhëzimit.

Merre vendimin tënd tani dhe nis një jetë të re, e mbushur me qetësi dhe kënaqësi.

“Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Tij.”

Burimi: Komisioni Shkencor pranë Shoqatës për Shërbimin e Mesazhit Islam në Gjuhë të Ndryshme

Përshtati Rexhep Milaqi

 

Dosje: ,

Loading...