Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Paqja dhe bekimet qofshin për pejgamberin tonë Muhamedin, familjen dhe gjithë shokët e tij!
Kjo është një broshurë e shkurtër mbi etikën dhe normat që lidhen me vizitën në xhaminë e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Në të jemi munduar të sqarojmë çështjet më të rëndësishme që i nevojiten atij që viziton xhaminë e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
I lutemi Allahut që ta bëjë këtë punim të sinqertë për hir të Tij dhe të dobishëm për gjithë muslimanët!
- Dispozita fetare mbi vizitën e xhamisë së Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Vizita në xhaminë e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është vepër e pëlqyer, nuk ka kohë të përcaktuar për të dhe nuk është pjesë e riteve të haxhit. Nuk është detyrë për haxhinjtë, burra apo gra, të vizitojnë varrin e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ose varrezat e Bekijes.
- Etika e hyrjes në xhaminë profetike dhe vizitës së varrit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Kur të hysh në xhaminë e nderuar të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është e preferuar të hysh me këmbën e djathtë, dhe të thuash: “O Allah, m’i hap dyert e mëshirës Sate!” Kjo thuhet edhe kur hyn në xhami të tjera.
Nuk ka ndonjë dhikër të veçantë për hyrjen në xhaminë e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Pastaj fal dy rekate përshëndetje të xhamisë.
Nëse dëshiron të vizitojë varrin e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe të dy shokëve të tij, le të qëndrojë përballë varrit të tij me edukatë, për nderim dhe pa e ngritur zërin. Pastaj e përshëndet Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Es-selamu alejke ja Resulallah ue rahmetullahi ue berekatuhu”. Nuk ka problem nëse shton: “Dëshmoj se ti je vërtet i Dërguari i Allahut dhe e ke përcjellë mesazhin, e ke përmbushur amanetin, ke luftuar në rrugë të Allahut siç duhet, dhe i ke këshilluar me dashamirësi njerëzit. Allahu të shpërbleftë për umetin tënd me shpërblimin më të mirë që i ka dhënë ndonjë pejgamberi për umetin e vet.”
Pastaj lëviz pak në të djathtë dhe përshëndet Ebu Bekrin e sinqertë, Allahu qoftë i kënaqur me të.
Pastaj lëviz pak më tej në të djathtë dhe përshëndet Umer ibën el Hatabin, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ibën Umeri kur përshëndeste Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe dy shokët e tij, zakonisht nuk thoshte më shumë se: “Es-selamu alejke ja Resulallah. Es-selamu alejke ja Eba Bekr. Es-selamu alejke ja ebetah (baba)”, pastaj largohej.
Nuk është e pëlqyer të qëndrohet gjatë apo të bëhen lutje të gjata pranë varrit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem apo dy shokëve të tij. Imam Maliku e ka konsideruar këtë si bidat (risi në fe) që nuk është vepruar nga të parët e mirë, dhe ka thënë: “Asgjë nuk do ta përmirësojë këtë umet veçse ajo që i përmirësoi të parët e tij.”
Po ashtu, ajo që bëjnë disa vizitorë kur përshëndesin Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke u kthyer me fytyrë nga varri dhe duke u lutur me duar të ngritura, nuk lejohet. Kjo bie ndesh me traditën e brezave të parë të mirë, shokët e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe ata që i ndoqën më pas me vepra të mira. Bile këto veprime konsiderohen risi në fe.
Po ashtu, ajo që bëjnë disa vizitorë kur përshëndesin Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke vënë dorën e djathtë mbi të majtën në gjoks si në namaz, nuk lejohet. Sepse kjo është një formë e qëndrimit për adhurim dhe përulësi që i takon vetëm Allahut, siç ka cituar Ibën Haxheri në librin e tij “Fet’h el-Bari” nga dijetarët.
Nuk lejohet që dikush t’i afrohet Allahut duke prekur dhomën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, apo duke bërë tavaf rreth saj, as t’i kërkojë Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem plotësimin e nevojave apo shërimin e ndonjë të sëmuri. Këto kërkesa duhet t’i drejtohen vetëm Allahut.
Vizita e varrezave ka si qëllim përkujtimin e ahiretit, bamirësia ndaj të vdekurve duke bërë lutje për ta dhe ndjekja e sunetit të Profetiit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Kjo është vizita e ligjësuar fetarisht.
Ndërsa vizitat me qëllim lutjeje pranë varreve të tyre, për të kërkuar diçka nga Allahu për hir të tyre, apo për hir të pozitës së tyre, janë vizita të ndaluara dhe të shpikura në fe. Nuk i ka ligjësuar Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e as janë vepruar nga të parët e mirë. Ndërsa t’iu kërkosh atyre plotësimin e nevojave, shërimin e të sëmurëve etj, kjo është shirk i madh.
Këtu po i sjellim lexuesit disa hadithe të shpikura që lidhen me këtë temë, në mënyrë që ai t’i njohë dhe të ruhet prej tyre:
– “Kush bën haxh dhe nuk më viziton mua, më ka fyer.”
– “Kush më viziton pas vdekjes sime, është sikur më ka vizituar gjatë jetës sime.”
– “Kush më viziton mua dhe babain tim Ibrahimin në të njëjtin vit, i garantoj Xhenetin prej Allahut.”
– “Kush viziton varrin tim e ka të sigurt ndërmejtësimin tim.”
- Gabime gjatë vizitës në xhaminë e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Prekja e mureve apo hekurave gjatë vizitës së varrit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, si dhe lidhja e fijeve apo pëlhurave në dritare për bekim.
Ndërkohë që bereqeti është vetëm në atë që e ka ligjësuar Allahu dhe i Dërguari i Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe jo në risi.
Shkuarja në shpella të ndryshme si shpella e Uhudit, Hirasë apo Theurit në Mekë, lidhja e leckave dhe bërja e lutjeve të shpikura atje, si dhe stërmundimi për të shkuar atje.
Të gjitha këto janë veprime të kota dhe pa bazë në sheriatin e pastër.
Vizita e vendeve që mendohet se janë objekte historike që i përkasin Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, si vendi ku u ul deveja e tij, pusi i unazës apo pusi i Uthmanit, dhe marrja e dheut nga këto vende për bereqet.
Lutjet drejtuar të vdekurve gjatë vizitave në varrezat e Bekijes apo të dëshmorëve të Uhudit, apo hedhja e parave nëpër varre për të kërkuar afrim apo bekim prej të vdekurve.
Allahu është më i Dijshmi. Paqja dhe bekimi qofshin mbi Profetin tonë Muhamedin, familjen dhe gjithë shokët e tij!
Burimi: Komisioni shkencor pranë qendrës për shërbimin e mesazhit Islam në gjuhë të ndryshme në Arabinë Saudite.
Përktheu: Rexhep Milaqi
Të Ngjashme
- Mirësia dhe urtësia e të ngrënit bashkarisht Udha e Besimtarëve
- Edukata e kërkimit të dijes dhe durimi ndaj mësuesit Udha e Besimtarëve
- Koha, lojërat dhe ambicia e lartë Shejh Ibrahim er-Ruhejli
- Sekreti i bereqetit në veprat dhe kohën e dijetarëve Udha e Besimtarëve
- Mësime profetike mbi edukatën e gjumit Udha e Besimtarëve